Wednesday, March 3, 2010

Poezia dhe realiteti - Nasos Vajenas



10-vjet Klubi “Drita”

Poezia dhe realiteti - Nasos Vajenas

Nasos Vaghenas ka lindur në Dhrama të Greqisë

më 1945. Ka studiuar për letërsi në Athinë, Romë e Kembrixh. Profesor i letërsisë së re greke në Universitetin e Kretës në vitet 1980-1991 dhe prej vitit 1992 është docent i teorisë e kritikës letrare në Universitetin e Athinës.



Poezia dhe njeriu i zakonshëm

Konsiderata e përgjithshme e përhapur, sipas së cilës poeti është njeri me ndjeshmëri të lartë në krahasim me njeriun e thjeshtë dhe kapaciteti poetik është rezultat i kësaj ndjeshmërie të lartë, s’mund të provohet, sepse nuk njohim përcaktuesin e dytë të krahasimit, prodhimin e ndjeshmërisë së njeriut të zakonshëm. Ky prodhim-ose cilat ndjesi provon njeriu i thjeshtë - është diçka e padukshme, sepse ezaurohet në çastin në të cilin prodhohet, pa lënë gjurmë, ose, nëse le gjurmë, këto nuk janë gjurmë të natyrës artistike dhe si pasojë s’mund të shërbejnë si përcaktues të krahasimit.

Kapaciteti poetik duket se i duhet kryesisht ndjesisë më të lartë të disave, jo dhe aq në raport me mënyrën me të cilën ata jetojnë eksperiencën e tyre, sesa materies, nëpërmjet së cilës kjo mënyrë e të jetuarit të kësaj eksperience mund të bëhet art. Piktori ka një raport të veçantë me ngjyrat, muzikanti me tingujt, skulptori me formën plastike, poeti me gjuhën. Kush nuk ka këtë ndjesi të veçantë, nuk mund të bëhet artist, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndiejë poetikisht. Jo vetëm mundet, por çdo veprim i tij tenton për këtë. Si heroi i Molierit, se çdo njeri bën ( ose kërkon të bëjë ) poezi pa e ditur, s’ka rëndësi, nëse nuk është në gjendje që ta transmetojë në mënyrë artistike eksperiencën e vet. Të gjithë kërkojnë atë gjendje shpirtërore ideale, atë harmoni të brendshme, që u ngjan ndjenjave që provohen në ballafaqim me botën, kur është e vogël ajo liri absolute, në të cilën njohuria e kohës që përbën qëllimin e artit, duket se anulohet. Ndryshimi i vetëm: njeriu i thjeshtë kërkon ta arrijë këtë gjendje në mënyra të ndryshme, nëpërmjet eksperiencave të ndryshme:-nëprmjet eksperiencës religjoze, eksperiencës erotike, eksperiencës së prodhuar nga vetë eksperieca e mahnitshme dhe eksperienca artistike, që është më e larta - me e rafinuara dhe me ngjizje - formë e kësaj harmonie, - por edhe nëpërmjet veprimeve më kuptimplote, kurdoherë në mënyrë të pandërgjegjshme për të shprehur atë që provon me gjuhën.

Poezia dhe gjuha

Gjuha e poezisë është gjuha në nivelin më të lartë në gjendjen e saj aktuale. Është e vetmja gjuhë jokonvencionale, pasi shënjuesit dhe të shenjuarit nuk mund të kuptohen të ndarë siç ndodh në gjuhën e zakonshme. Është kjo arsyeja që poezia nuk përkthehet. Në përkthimin e një shprehje poetike, nga njëra gjuhë në tjetrën, nuk ndryshon vetëm forma e fjalëve, por ndryshon edhe përmbajtja e fjalëve (meqë forma dhe përmbajtja e gjuhës poetike identifikohen – forma është edhe përmbajtje dhe anasjelltas) : pandashmëria e esencës së fjalëve ndahet, forma nuk identifikohet me përmbajtjen, gjuha bëhet konvencionale.

Gjuha e poezisë është gjuha më natyrore, sepse nuk pëson asnjë ndarje midis trupit të saj dhe shpirtit të saj. Është gjuha në çastin më të lumtur. Gjuha ideale.

Poezia dhe koha

Poezia është koha e së tashmes jokalimtare, sepse zbulon të shkuarën dhe të tashmen e përkohshmërisë së tyre : çkohëzon imazhet e së shkuarës, duke i shkëputur nga kujtesa; fshin nga e tashmja elementët e aktualitetit, duke e zhytur atë në një harresë të virgjër. E shkuara dhe e tashmja takohen në poezi në një pikë jo kalimtare, në një thellësi të paprekshme të së tashmes së përhershme.

Poezia dhe leximi

Eksperienca e një poezie nuk mbaron me leximin. Leximi është takimi i parë, akti i afrimit tonë me poezinë. Eksperienca e një poezie është edhe eksperienca e kujtimit të saj që është një gjë ndryshe nga eksperienca e leximit. Eksperiencat tona të reja, të jetuara, që në fakt janë vënë, ndërkaq, ndërmjet, ndryshojnë në përgjigjen tonë në përballjet e saj. Eksperienca e kujtimit të një poezie është ajo që mund ta quajmë lexim i fshehtë, sepse çdo herë që kujtojmë një poezi, e rilexojmë atë me mendje. Leximi i një poezie nuk mbaron kurrë. Ai vazhdon çdo herë që ne vijmë tinëz në kontakt me të dhe jo vetëm kaq. Ai vazhdon edhe kur poezia fle brenda nesh si në një paraqitje të pandërprerë që ndërpritet në çastin e krijimit, në çastet e takimit sekret.

Poezia dhe ritmi

Një poezi është ritëm i mishëruar në fjalë dhe i vendosur në vargje. Vargu mund të jetë edhe në prozë. Me fjalë të tjera, vargu nuk është diçka e përcaktuar si formë. Ai mund të ketë formë metrike, të lirë, ose prozaike, sipas vendosjes, ose sipas nevojës së ritmit ( në këtë të fundit shtrirja e tij është baraz me atë që konsiderohet uniteti i minimumit ritmik ). Një poezi fillon me një ndjesi ritmike që bën të lulëzojnë disa fjalë. Ose fillon nga ndjesia e disa fjalëve që bëjnë të lulëzojë një ritëm. Më pas vazhdojnë të shkrirë së bashku.

Poezia dhe vetmia

Ajo që thuhet për vetminë e poetit është një legjendë. Poezia është kontroll i vetmisë. Poeti (njeriu që shkruan, ose njeriu që “ndien ” poetikisht) vuan nga vetmia më pak se kushdo tjetër, pasi ai ka poezinë.

Vetmia provohet, mbi të gjitha, kur njeriu gjendet në kontraset me vetveten, jo kur nuk mundet të komunikojë me të tjerët - pamundësia e komunikimit me të tjerët është rezultati, jo shkaku i vetmisë.

Nëse poezia është një zhytje e poetit në shtresat më të thella të shpirtit të vet, atëherë është dhe një metodë e vetëdijes-një mënyrë drastike për të komunikuar me vetveten

( madje është mënyra më drastike ), një mjet për t’u pajtuar me vetveten. Poeti, në të kundërt, mesa thuhet, është njeriu më i ekuilibruar, i ekuilibruar në kuptimin më të thellë të fjalës, jo në kuptimin e një ekuilibri sipërfaqësor. Dhe pikërisht sepse poezia ndihmon njeriun që të njohë mirë vetveten, e bën më të lehtë komunkimin e tij me të tjerët.

Poezia dhe gjuha II

Pjesa më e madhe e magjisë së gjuhës poetike buron nga kundërtitë e saj. Gjuha e poezisë, në fakt, është gjuha më e përparuar dhe në të njëjtën kohë gjuha më konservatore. Është e përparuar, sepse poeti shprehet me mënyra të papërdorura më parë, përmbys konvecionalitetin e shprehjes tradicionale, krijon një parëzim fjalësh dhe frazash (tingujsh dhe konceptesh). Dhe është konservatore, sepse poeti, duke ditur se midis materialeve të larta, gjuha është ajo më pak e qëndrueshmja në kohë ( fjalët vjetrohen më shpejt se cilido element tjetër artistik), zgjedh fjalët midis atyre të konsakruara nga tradita dhe të zakonshmeve dhe, më pak midis atyre të përdorimit të përditshëm dhe me informacion të ri. Gjuha e poezisë është një gjuhë reaksionare, aq sa materiali është revolucionar për t’u përdorur.

Poezia dhe procesi

Poezia nuk progreson. Ndryshon thjeshtë fytyrën. Ose po qe se progreson, nuk jemi në gjendje që ta superojmë. Në fakt poezia nuk është një tekst poetik, por është ajo që provojmë, kur lexojmë një tekst poetik. Nuk mund ta krahasojmë poezinë e epokës sonë, me poezinë e një epoke tjetër, sepse nuk e dimë ç’kanë provuar njerëzit e një epoke përsa i përket poezisë së tyre. Ato që ne e quajmë poezi të një epoke tjetër, janë poezi të një epoke tjetër, siç i ndiejmë ne në epokën tonë. Me fjalë të tjera, është poezi e epokës sonë.

Poezia dhe ritmi II

Eksperienca poetike s’është gjë tjetër veçse rezultat i lumtur përplasjesh midis dy ritmeve: i ritmit të përditshmërisë, ose i ndjenjës për të jetuar kohën në vijim dhe ritmit t­ë dëshirës për ta kapërcyer këtë ndjenjë, ose të jetuarit e kërkon për një kohë poetike. Çdo eksperiencë poetike përbën një devijim nga asfalti i thatë i përditshmërisë, një devijim i mrekullueshëm yni, drejt një ritmi ideal.

Poezia dhe ritmi III

Fraza e Kit ( Keats ) se poeti është njeriu më pak poetik, mendoj se do të thotë këtë: poeti nuk niset nga poezia, por i afrohet poezisë; nuk kërkon fjalë që të jenë poetike, por kërkon që t’i kthejë në poetike fjalët. Para poezisë, në fakt nuk ekziston gjuha poetike, nga e cila të mund të nxjerrim të dhëna. Në poezi çdo fjalë fillon nga parimi që të ndërtojë natyrën e saj poetike nga hiçi. Poeticiteti i një fjale nuk është i transferueshëm në një poezi tjetër, sepse fiton konkretësi te fjalë të veçanta që e rrethojnë. Për këtë është unike dhe e papërsëritshme. Krijohet me poezinë që e përmban dhe ekziston vetëm nëpërmjet poezisë­ që e përmban.

Poezia dhe leximi II

Nga dy mënyrat e leximit pë pozisë, ai me mend nuk është domosdo më pak domethënës. Të kujtuarit e një poezie na çon në kontakt të thellë me poezinë, kontakt që, çdo herë, gjithçka që nuk kemi harruar nga poezia. Me fjalë të tjera, leximi mneomatik, (shpirtëror) funksionon kryesisht me harresën. Është mbi të gjitha aqsa harrojmë nga një poezi për të përcaktuar ndjenjën që na mbetet nga poezia, shijen e saj, përherë të re, sepse dëshira e pangopur e kujtesës e përtërin atë vazhdimisht.

Poezia dhe etika

Në analizë të fundit etika e një poeti është komportimi gjuhësor. Pavdekshmëria e poezisë së tij, nuk është në raport me gjërat e ulëta që poeti mund të thotë, por në raport me pazotësinë e tij për t’u pastruar nga mëkati origjinal i gjuhës: nga ndarja e fjalës në domethënëse dhe jodomethënëse. Gjuha e poezisë është gjuhë e një forme religjoziteti: e dëshirës së njeriut që të ngrihet në parajsën e shprehjes. Estetika e tij varet nga pasioni me të cilin ai fiton unitetin e humbur të shenjës.

Poezia dhe procesi II

Poezia nuk progreson, sepse është hapësira e ideales, një trevë ku koncepti i më së mirës nuk ekziston. Çdo vepër e re poetike nuk lëviz nga përdorimi i së mëparshmes, siç ndodh me prodhimet e shkencës; thjeshtë modifikimi e bën të ndjehet ndryshe. Megjithatë, poezia jep përshtypjen e procedimit, sepse morali i saj s’është kurrë i njëjtë. Çdo ndryshim poetik zbulon në terrenin e gjuhës shtresa të reja që, për shkaqe teknike, nuk kishin qenë shfrytëzuar ende më parë.

Poezia dhe leximi III

Poezia është aq sa mbetet, pas një ndërhyrjeje drastike personale që lëviz nga poezia atë që s’është ndierë si poezi. Ndërhyrja ndodh çdo herë që lexohet kjo poezi. Ajo që lëvizet s’është përherë e njëjta. Ajo që mbetet është gjithmonë, e njëjta.

Poezia dhe historia

Mendimi, sipas të cilit, se historia vepron me anë të kontrasteve njerëzore dhe forca e saj lëvizëse është lufta e klasave është i drejtë, por megjithatë mbulon vetëm anën e dukshme të çështjes. Pyetja më e thellë është se përse luftojnë klasat midis tyre. Në sfondin e kësaj pyetjeje vibron e lumtur, e shkëlqyer, e patundur përgjigjja: Poezia është forca lëvizëse e historisë. Të gjitha veprimet e historisë janë të diktuara nga dëshira e njerëzve për të jetuar situatën ideale. Ëndrra marksiste e shoqërisë pa klasa që është një ataraksis (qetësi ) sociale, vizion i një staticiteti dinamik, s’është gjë tjetër veçse një zhvendosje e vizionit të situatës poetike në atë të një niveli kolektiv. Me ndryshimin se ky vizion funksionon si ai i qytetit të Platonit në kuadrin e kohërealizimit (që akumulon kontraste) : është një vizion i “përkohshëm”, prandaj edhe i parealizueshëm. Ky me gjithë vizionin marksist, në krahasim me atë platonik, gjendet afër realitetit poetik, sepse është një vizion që nuk llogarit klasat. Harmonia e tij rrjedh nga zhdukja e kontrasteve njerëzore që si ajo e poezisë është rezultati i një shkrirjeje të tyre, jo të një kompromisi, siç ndodh në vizionin platonik.

Poeti dhe angazhimi poetik

Mendimi se poeti duhet të shmangë angazhimin politik, është shumë i dëmshëm për poezinë, po aq sa edhe ai që e do poetin të angazhur. Një qëndrim i tillë, për poetin, do të thotë vetëizolim i disa gjendjeve të tij shpirtërore, se është e pamundur të veprojë poetikisht nëse, nuk lejon që poezia ta çojë ku do ajo.

Poezia dhe koha II

Duke qenë e natyrës psikologjike, situata poetike nuk mund të zgjasë. Zgjatje, në fakt, do të thotë vazhdimësi dhe vazhdimësi do të thotë pasim, përsëritje, uniformitet, staticitet; domethënë, pikërisht ajo që situata poetike kërkon të përmbysë. Ndjesia e harmonisë së brendshme është një ndjesi paradoksale, sepse forca e saj është një forcë statik, ose më mirë një staticitet dinamik. Është ndjesi dinamike, sepse, kur fitohet, bën që koha të pushojë së qeni si kohë e jetuar, si vazhdimësi; ndërpret sensin e vazhdimit, të monotonisë, të staticitetit. Prandaj, në të njëjtën kohë, kjo ndërprerje sjell edhe një “staticitet” tjetër (një staticitet të çastit ) që është dinamik, pikërisht, sepse është i çastit, sepse nuk është pasues i përkohsh­m, kalimtar.

Poezia dhe realiteti

Poezia shpreh realitetin. Por ç’është realiteti? Nuk është sigurisht realiteti i përditshëm që poezia nuk e shpreh kurrë, por që përdoret thjeshtë për ta bërë atë trashedental. Realiteti i përditshëm është një material që fishket dhe poezia nuk mund të krijojë diçka poetike vetëm me të. Poezia shpreh realitetin e vërtetë që është i padukshëm e megjithatë i shkrirë dhe vëlues në realitetin e përditshëm; shpreh realitetin më të thellë që s’është gjë tjetër veçse dëshira e përhershme, e zjarrtë, e përjetshme e njeriut që të kapërcejë gjendjen e përditshme dhe të jetojë realitetin ideal. Realiteti objektiv është aspirata e pakorruptueshme e njeriut me poezinë.

Poezia dhe qyteti ideal

Vendimi i disa filozofëve për ta mërguar poezinë nga qyteti ideal, tregon, sigurisht, injorim të kuptimit të poezisë, por kryesisht, injorim të kuptimit të qytetit. Sepse poezia është gjendja ideale dhe qyteti ideal s’është gjë tjetër veçse qytet poetik.

Ashtu si njeriu ideal është poetik, qyteti ideal është të jetuarit kolektivisht i gjendjes psikologjike të njeriut që provon eksperiencën poetike; me fjalë të tjera, qyteti që gjendet në një situatë poetike.

Ndërsa çdo qytet do të mund të bëhej ideal, qytet ideal, në formën siç e kanë imagjinuar filozofët antipoetikë, nuk mund të ekzistojë, sepse harmonia që përbën mishërimin e situatës së tij ideale është një harmoni fiktive, e jashtme. Situata realisht ideale, e vetmja situatë ideale që mund të ekzistojë është gjendja e brendshme e natyrës psikologjike.

Poezia dhe përditshmëria

Ndjenjat dhe bindjet që poeti shpreh në një poezi, nuk mund të identifikohen me ndjenjat e tij dhe bindjet e tij përsa i përket jetës së përditshme. Poezia është në fakt, një bisedim i ngjeshur dhe i ngritur dhe ajo që gjendet në poezi fiton një qëndrueshmëri më të thellë, aq sa nuk gjendet jashtë poezisë. Ky është një aspekt tjetër i shkakut me të cilin situata poetike s’mund të ngjasojë. Uni poetik i një njeriu është në formën e tij më të lartë dhe pesha e kësaj forme s’mund të qëndrojë gjatë. Poezia që është situata më njerëzore, është në të njëjtën kohë edhe më jonjerëzorja. Ngarkesa e eksperiencës poetike është e tepërt, sa zgjatja e saj do të ishte e zonja të fshinte atë që e jeton. Është e pamundshme që të jetohet përherë poetikisht.

Përditshmëria është e domosdoshme, sepse mund të shijohet me poezinë, ashtu si poezia është e domosdoshme, sepse mund të superojë jetën e përditshme.

Përktheu: Faslli Haliti