Thursday, May 13, 2010

AISHE QORRAJ “Magjistre e Letërsisë Shqipe”





AISHE QORRAJ

“Magjistre e Letërsisë Shqipe”

E urojmë, shoqen tonë të letrave,

Anëtaren e Kryesisë së Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, znj. Aishe Qorraj (Shqipja e Dukagjinit), për fitimin e titullit shkencor: “Magjistre e Letërsisë Shqipe”.

Për Klubin “Drita”

Kryetari: Nase Jani





Aishe Qorraj e mbrojti me sukses punimin e magjistraturës, me titull ”Poetika e prozës së Fatos Kongolit”


Kandidatja, Aishe Qorraj, më 06. 05. 2010, në Fakultetin Filologjik, Programi studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në kuadër të USHT-së, para Komisionit profesional shkencor, në përbërje: Prof. dr. Ymer Çiraku nga Universiteti i Tiranës, Republika e Shqipërsisë-mentor, Doc.dr Ejup Ajdini-kryetar i komisionit dhe prof. dr. Salajdin Mehmeti-anëtar, e mbrojti temën e magjistaturës, me temë: ,,Poetika e prozës së Fatos Kongolit”. Doc. dr. Ejup Ajdini, në cilësisnë e kryetarit të komisionit theksoi se tema që kandidatja Aishe Qorraj ka zgjedhur është me një rëndësi të veçantë, sepse mëton të shqyrtojë vlerën letrare të njërit nga krijuesit më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe.






Fatos Kongoli është studijuar shumë pak, kurse në planin e poetikës thuajse nuk është prekur fare. Doc.dr. Ejup Ajdini, më tej theksoi se tema e kandidates në radhë të parë e ka objekt studimi çështjen e poetikës së një krijuesi shumë interesant në letërsinë e sotme shqipe. Aishe Qorraj, gjatë studimit të poetikës së prozës së Fatos Kongolit, konstaton se letërsia shqipe ka si paradigmë të saj fatin dhe fatkeqësinë e etnisë sonë, ngase është krijuar në rrethana të një ideologjie që i rrafshonte vlerat kombëtare me ato ideologjike, në Shqipërinë politike, kurse në rrethana pushtimi dhe të një autonomie kulturore, në Kosovën e para vitit 1999, si dhe në pjesë të tjera të gjeografisë kombëtare, që zhvillimi ishte shumë i varfër, ose shpeshherë i ndërprerë, siç kishte ndodhur në Maqedoni dhe viset tjera të banuara me shqiptarë.

Në përmbyllje të fjalës së tij para të pranishmëve, doc. dr. Ejup Ajdini, konstatoi se tema ,,Poetika e prozës së Fatos Kongolit”, kandidates i ka dhënë mundësi të zbulojë të fshehtën e gjuhës së artit të prozës së Kongolit, shenjat që e përbëjnë kuptimin bazë të veprës, parimet krijuese dhe modernitetin e romaneve të tij. Mentori i kandidates, prof. dr. Ymer Çiraku, nga Republika e Shqipërisë, tha se kam pasur një komoditet profesional të bashkëpunoj me kandidaten Aishe Qorraj, nga Republika e Kosovës dhe vlerësoi se përkushtimi i saj ka dhënë fryte në fushën e studimit, që ajo ka bërë dhe njëkohësisht e falënderoi Universitetin e Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, i cili mundësoi që sot të mbrojmë temën e magjistraturës për poetikën e prozës të njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe.




Gjatë prezantimit të temës së magjistraturës, kandidatja Aishe Qorraj, para komisionit dhe auditorit të gjerë, u shpreh se romanet e Fatos Kongolit janë ndër arritjet më të mira në prozën shqiptare të ditëve tona, sepse përbërësit e poetikës së prozës së tij kanë rritur vlerat e prozës së këtyre viteve, duke shtuar në radhë të parë larushinë e niveleve të realizimeve artistike, duke krijuar rrafshe të tjerë të perceptimit të kësaj proze, në të dy anët e kufirit shqiptar, duke e bërë shumë më komplekse teorinë e pranisë së realitetit në strukturën e veprës letrare, më konkretisht në romanet e këtij autori.

Fatos Kongoli, në kulturën tonë njihet si romansier, përderisa në fushën e romanit ka krijuar vlera të mirëfillta letrare dhe artistike. Fatos Kongoli, që nga romani i parë deri te i fundit, sjell ngjarje nga realiteti konkret i jetës tonë, duke bërë përpjekje t’i shpalos pasojat që kishte lënë ndikimi ideologjik i ish sistemit komunist.

Po ashtu, kandidatja theksoi se krijimtaria letrare e Fatos Kongolit është një ndër më të përkthyerat në gjuhët e tjera dhe kështu ka arritur në nivelin e romanit modern në përgjithësi.

Pas prezantimit të hollësishëm nga ana e kandidates, Komisioni i lartpërmendur solli Vendim, me të cilin kandidates Aishe Qorraj iu dha titulli shkencor: Magjistre e Letërsisë Shqipe.



Aleko Likaj

Zëdhënësi i Klubit “Drita”

Maj, 2010








Thursday, May 6, 2010

Klubi “Drita”,10 vjet - Anëtarë të rinj në Klubin Drita



Klubi “Drita”, 10-vjet

Klubin “Drita” edhe shkrimtarët:






Murat ALIAJ

Athinë

U lind në vitin 1949 në fshatin Kryegjat të rrethit Fier. Është marrë qysh herët me krijimtari letrare.

Ka botuar:

Karroca-Novelë, 1973

Dielli i ditëve tona-Tregime, 1976.

U ndanë dy botë-Poezi, 1999

Fëmijët e fanarëve-Roman, 2000

Gjurmë në rërën e nxehtë-Tregime, 2005

Punon e jeton familjarisht në Athinë.

Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, 2010.


.........................................................................................................................



Skënder SHERIFI

Belgjikë

Skënder Sherifi u lind në një familje që është nga Tropoja. Tani jeton në Belgjikë. Ka punuar gazetar i radiove dhe i shtypit belg, (për sektorin e kulturës e artit) ndërsa tani është profesor i gjuhës e letërsisë frënge si dhe i marrëdhënieve publike në një universitet të Brukselit. Ka botuar në Paris dy vëllime me poezi "Diku, dikush" dhe "Oksigjeni". Përveç këtyre librave ka përkthyer në frëngjishte një antologji të poezisë shqiptare nga trojet jashtë kufijve, të titulluar "Dega e pikëlluar", (1979). Libri me poezi "Ora e meteorëve" është libri i tij i parë i botuar në Shqipëri, një botim i cili përfshin përzgjedhje prej librave të botuar më parë, duke prezantuar një pjesë nga veprat poetike të këtij poeti.

“Love”, i poetit Skënder Sherifi, renditet ndër 10 botimet më të mira në gjuhën frënge për vitin 2008. 10 më të mirëve në të gjithë Evropën frankofone, ku përfshihen botimet e shumta të vitit në katër shtetet kryesore frankofone si Franca, Zvicra, Belgjika e Luksemburgu”. Natyrisht që ky vlerësim i shtypit belg dhe renditja e poetit shqiptar mes 10 më të mirëve ka një domethënie, simbolikë dhe vlerë morale, letrare e artistike të rëndësishme për të gjithë shqiptarët".

Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, 2010.






.........................................................................................................................



Ruzhdi GOLE

Durrës

Ruzhdi Gole lindi më 1952 në qytetin e Vlorës në një familje të thjeshtë qytetare.
Ciklin e ulët dhe të mësem i kreu në qytetin e Vlorës dhe më pas studimet e larta në qytetin e Tiranës, ku u dipomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (1970-1974)
Pas diplomimit për tetë vjet rresht punon mësues në qytetin e Mirditës.
Jeton në qytetin e Durrësit. Eshtë mësues letërsie në një shkollë private.


Ka botuar:


Maji i zambakeve-1976
Emri yt-1984
Vonoj të thinjem-1996
Me zjarr fërkoj duart-1988
Kërcimtar pa kum-2000
Njerk i askujt-2001
Pak terr dhe etje-2003
Mërgoj hijet-2005
Vetmia në gjeth-2007



.........................................................................................................................


Roland MUSTA

SHBA

Roland Musta është lindur në Tiranë, më 6 maj 1946.
Dashuria për letërsinë, dëshira dhe talenti për të shkruar poezi, ishin ngjizur tek Rolandi që kur ishte nxënës në shkollën tetëvjeçare.

Pas mbarimit të klasës së 8-të me rezultate të shkëlqyera i del e drejta e studimit në shkollën e mesme ushtarake "SKËNDERBEJ" .

Më pas, vazhdoi studimet e larta në Akademinë Ushtarake.

Studenti 20 vjeçar në atë kohë i realizohet edhe ëndrra e tij e vjetër; i botohet vëllimi i parë poetik: "Nëpër Agime"

Gjatë gjithë jetës së tij studentore Musta shkruante vazhdimisht poezi.
Përfundimi i studimeve të larta me rezultate të shkëlqyera, i hapi udhën për të punuar në organet e shtypit ushtarak. Musta gjithashtu ka punuar edhe në Drejtorinë e Kulturës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në disa gazeta të ndryshme.
Puna në gazetë bëri, që ai të mos ishte aq i zoti për t'u shmangur dhe për të vijuar krijimtarinë e tij poetike. Në ato vite ka botuar herë pas here në organe të ndryshme të kohës si: "Drita", "Nëntori", "Zëri i Rinisë".

Edhe pse me diplomën e ushtarakut në xhep, Rolandi kishte një "brengë" në veten e tij dhe ajo "brengë" iu realizua, kur fitoi të drejtën për të vazhduar studimet e dyta të larta në Universitetin Shtetëror në Tiranë, në degën Gjuhë-Letërsi, të cilat i përfundoi në vitin 1978.

Ai vit, përveç diplomimit, do t'i sillte edhe një gëzim tjetër; i botohet vëllimi i dytë poetik: "Jetë"

Roland Musta është përfaqësuar gjithashtu me krijimtarinë e tij letrare në përmbledhje të ndryshme poetike si :Antologji poetike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe asaj kushtuar Naim Frashërit, në 150 vjetorin e lindjes apo Antologjia poetike me poetë jashtë Shqipërisë “Itaka e fjalës”, me autor Nase Janin (Toena, 2007).

Nga mesi i viteve 70-të dhe në vitet e 80-të, emri i tij u bë i njohur gjithashtu edhe në Festivalin Kombëtar të Këngës në Radiotelevizion, që zhvillohet çdo fundviti, traditë kjo, që vazhdon edhe në kohën e sotme, ku poezitë e tij u morën nga kompozitorë të ndryshëm për t'u bërë këngë.

Ka në proces botimi edhe një vëllim tjetër me poezi.

Që nga viti 2002 jeton në Michigan bashkë me familjen e tij.

Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” prej vitit 2009.



.........................................................................................................................


Seit Hysen SEITAJ

Itali

I lindur më 28. 07. 1961 në Gjorm të Vlorës. Ka mbaruar Shkollën e Mesmen Ekonomike në Vlorë por nuk mundi të vazhdonte të lartën për arsye politike. Ka punuar llogaritar në fshatin e tij deri në vitin 1991. Me hapjen e kufijve u largua në Greqi e më pas në Itali, ku vazhdon të punojë e të jetojë familjarisht.

Ka publikuar:


1-Prelude poetike, përmbledhje poezish të autorëve të rinj në vitin 1987.

2-Kur qajnë retë, Poezi, viti 1995.

3- Erë e lehtë, vëllim poetik viti 1999.

4-Ditari amorf, roman viti 2002.

5-Purpur,vëllim poetik, viti 2007.

Është përfshire në Antologjinë poetike “Itaka e fjalës”, përgatitur nga Nase Jani, me poetë të kudondodhur jashtë Shqipërisë, “Toena”, 2007

Në një përmbledhje poetike me autorë vlonjatë të përgatitur nga Bardhosh Gaçe.

Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” prej vitit 2009.

.........................................................................................................................


Hysen BERISHA

Kosovë

I lindur më 26 maj 1956 në fshatin Kramovik, komuna e Rahovecit, në Kosovë. Ka kryer Fakulteti Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar arsimtar në shkollën fillore “Rilindja” në Çifllak, Kosovë. Prej vitit 1990 ka mërguar në Norvegji.

Dy vjet kam punuar pa pagesë me fëmijët shqiptarë në Qendrën e Azilkërkuesve në komunën e Bërgenit. Dhe më vonë pesë vjet me marrëdhënie të rregullt pune mësues i gjuhës shqipe në komunën e Bergenit, Norvegji,

Prej njëmbëdhjetë vitesh punon në komunat Ski, Oppegord, Drøbak dhe në Ennebak, Norvegji. Është Anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” (2009)

Ka botuar:

Plagë që nuk duken (roman) 2008,

Lufta ende s`ka mbaruar (dy drama) 2008,

Ajri me zogj të plagosur (tregime për të rritur) 2008 dhe

Kuvendi i kafshëve (dramë, tregime dhe poezi për fëmijë) 2009.


.........................................................................................................................




Brahim Ibish AVDYLI

Kosovë

U lind më 5. 9. 1960 në Morinë të Malësisë së Gjakovës.

Është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fund-viteve shtatëdhjetë dhe të fillim-viteve tetëdhjetë të shekullit të XX. I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, ai që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik vijoi studimet në Degën e Letërsi-së dhe të Gjuhës Shqipe.

Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci.

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.

Ka botuar:

-Në hijen e Alpeve, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,

-Buka e kuqe, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,

-Kur zgjohet Dodona, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.

-Pasqyrë e përgjakur, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,

-Klithje nga fundi i ferrit, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,

-Gjuha e dheut tim, poezi, Albin, Tiranë, 1999,

-Klithje nga fundi i ferrit, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,

-Baraspesha e humbur, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,

-Vragat e një kohe, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,

-Lëvozhga e vdekjes, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,

-Setele Vesniciei /Yjet e Përjetësisë, Poezie albaneza, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008,

-Zogu i këngës, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani” Has, 2009.

Është i prezentuar edhe në këto libra:

-Rrjedhë e lë gjurmë, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,

-Nebil Duraku: Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985, Rilindja, Prishtinë, 1985,

-Poezia dal Kossovo, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò (Lecce), Itali,1999,

-Hasan Hasani: Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001, Faik Konica, Prishtinë 2003,

-Vulcanul rabdarii/Vulkani i durimit, Poeme traduse in liba romana de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukuresti, 2008,

Libri i tij i parë poetik ‘Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin ‘Hivzi Sylejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj. Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit 1997, të organit të LPK ‘Zëri i Kosovës“ dhe i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës…

Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës (AdS) dhe i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, 2010.