Lirikat e kalit
“Të gjithë nga pak, jemi kuaj...”
V. Majakovski
Dritëro AGOLLI
Monumenti i kalit
Kur laja kalin tim në lumë,
me lumin gazi rridhte,
mbulohej kali krejt me shkumbë
dhe bishtin sipër hidhte...
Me shkumbë i veshur, dritës larë,
i ngjante monumentit,
një monument që s’kini parë
në sheshin e qytetit.
Dhe si njeri ma vinte kokën
në qafën time lehtë,
nga kokë e tij e shihja botën
mes paqes së vërtetë.
Dhe shkrofëtinte pak nga qejfi,
mbi mua tundte jelet...
Zbulonte dhëmbët prej sedefi
me lodrat dhe me dhelet...
Ç’e do se zoti nuk më fali
një daltë prej skulptori,
me siguri do gjendej kali
përpara çdo oborri.
Në vend të mbretërve tutkunë,
strategë e gjeneralë,
me dashuri do ngrija unë
në piedestal një kalë...
30 prill 1997
Marin SORESKU
Kali
Shkoj kaluar mbi këtë planet,
që e kam trashëguar nga babai,
i cili gjithashtu e ka trashëguar
nga gjyshi,
të cilit ia kish lenë një majmun.
Majmuni, nga ana e tij
e kishte prej një tjetër kafshe
ose prej një bime.
Është kali i familjes,
siç e shihni
duket sikur do të vdesë
nga çasti në çast,
po kushedi dhe sa qindra vjet
do të qëndrojë në këmbë...
Merrem vesh mjaft mirë me të,
i them: hyya,
kaloje dhe këtë mal,
pa të shohim ç’ka përtej?
Kaloje dhe këtë vit,
pa të shohim ç’ka përtej?
Gjer kur, një ditë prej ditësh,
shpirti të më mbetet në udhë
si një patkua,
ndërsa kali,
ndoshta pa e ditur që më ka humbur,
të tretet në horizont
në trok gjeneratash...
Përktheu: Aurel Plasari
Pol ELYAR
Kali
I vetmuari kalë, i dënuari kalë,
i rrahuri nga shirat, i lëpirë nga mizat,
i shkretuari kalë, i plakuri kalë!
Në shtegun festiv të galopit,
tokën dikur mund ta çante me këmbë,
mund dhe të ngordhte,
po s’mbetej në rrugë...
Në vijat e lena nga rripat e qerres
i vetmuari kalë pret mbremjen,
që rrugën e largët mos shohë
dhe vdekjes t’i fshihet, i shkreti!
Shqipëroi: Dritëro Agolli
Vargje për shije të ndryshme
Kali devenë e pa dhe i tha
Ç’kalë gjigand, i shëmtuar, hata!
Deveja, kalit i pati bërtitur,
ti nuk je kalë, je deve e parritur!
Veç zoti mjekërthinjosh thosh të vetat:
Janë kafshë krejt të ndryshme, të shkretat!
Përktheu: Dritëro Agolli
Kali i fatit
Kali i fatit revanshumë,
oh, sa herë më rrëzove,
oh, sa herë nxorre shkumë,
kur më shkele, më shkelmove...
Me patkonjtë gozhdëhekur,
por në zemër s’m’ë ke prekur...
Ilia Lvoviç SELVINSKI
Kazakja
Një kazake vetëullzezë
mbathi kalin tim në fshat,
mbi patkonjtë u lag në djersë,
u pagua fare pak...
-Emrin tënd a s’po ma thua?
i flas unë, ajo zë qesh:
-Emri im nga çdo patkua,
në vrapim të vjen në vesh...
Brodha rrugë e rraha shtigje,
nëpër pluhur, hon më hon
dhe trokiste nëpër brigje
kali thundrat me palkonj...
Masha? Zina? Dasha? Nina?
S’është ajo po ki durim
-Ka-tja, Ka-tja, pë-rcë-llima,
nën patkonjtë e kalit tim...
Fluturuan javë e stinë
dhe me kalin rrugën nis,
“Katja, Katja, Katerinë”
duke bredhur pëshpëris...
S’e marr vesh se ç’bëj vëllezër,
puna ime shkon në dreq!
S’kam një Katje, kam një tjetër,
Katjen shpirti dot s’ma heq...
Katja kalin ma ka mbathur,
në një fshat me mollë e ftonj,
po dhe mua krejt padashur,
më ka mbathur me patkonj...
Shqipëroi: Dritëro Agolli
Kuajt e Akilit
Kur të vdekur e panë Patroklin,
që ishte aq trim, i fortë dhe i ri,
filluan të qajnë kuajt e Akilit;
u zemërua natyra e tyre e pavdekshme
kur pa këtë gjëmë të vdekjes,
kokë e krifë tundnin, turfullonin,
me këmbë godisnin dheun
dhe vajtonin Patroklin pa shpirt-të zhdukur,
vetëm një kurm-frymëhumbur,
pa mbrojtje, pa jetë
të ikur drejt Asgjësë së Madhe...
I pa Zeusi lotët e kuajve të pavdekshëm
dhe u pikëllua. “Në dasmën e Peleut”
tha “s’duhej të veproja kështu pa menduar;
më mirë, o kuajt e mi fatkeqë
atje të mos u kishim dhuruar.
Ç’kërkoni ju aty përdhe,
mes njerëzimit mizor, lojë e fatit,
ju që as vdekja nuk ju trazon,
as ankthi i pleqërisë nuk ju tiranon.
Në mizerjen e tyre ju mpleksën njerëzit”
Për kuajt fisnikë po qanin me lot
për gjëmën e vdekjes, të përjetshmin kob.
Shqipëroi: Luan Zyka
Kali i vdekur në kampin e refugjatëve Sabrah
Edhe kufoma e tij është më e dashur
se Shevroleti i fjalës së fundit,
Patjetër, duhet të ketë vrapuar
deri tek një fanfarë mbretërore,
ose i vunë në qafë zgjedhën për parmendën,
ose u shty mbrapa,
nguli këmbët e pasme dhe u shndërrua
në rrotullore fëmijësh...
Shqipëroi: Ukzenel Buçpapaj
(kënga e XIII e poemes “Demoni”)
Vrapon një kalë me revan
ngre pluhur duman e s’ka ç’e mban,
herë-herë ngrihet kas përpjetë,
sikur kërkon të pijë retë
e hingëllin e çkrofëtin,
herë-herë tokën zë rëmin
me një patko që shkëndijon...
Pastaj me perçe shpurpulisur,
i çakurdisur gjithë harbon.
Mbi të kalorësi i zalisur,
në shalë tundet si i lenë,
mbi perçe koka i ka rënë,
në dorë s’mban kamzhik e fre,
i varen këmbët n’yzengji,
ja mbyti gjaku si rrëke,
jelekun e ri me plot stoli...
O kalë i shkathët prej luftimit
me vrap tët zot e nxorre gjallë,
por plumbi i keq i osetinit,
e mori natën m’u në ballë...
Shqipëroi: Dritëro Agolli
Kuajt
Diçka nuk më shkon te kuajt,
kolosët me urtësi ëngjëllore:
sytë e tyre përherë të trishtë,
në kundërshtim
me gjallërinë trupore.
-Ç’ju ka ndodhur,
or miq fisnikë,
thellë, në mijëvjeçarët e kaluar?
-Ngaqë e njohëm Njeriun kaq mirë,
na mbetën sytë të trishtuar...
Kuajt
I pashë nga dritarja kuajt.
Në Berlin, në dimër. Drita ishte pa dritë, qielli pa qiell.
Ajri i bardhë si buka e njomë...
Dhe nga dritarja ime një rreth i vetmuar,
kafshuar nga dhëmbët e dimrit.
Befas dolën nga mjegulla
dhjetë kuaj të ngarë nga një njeri.
Sa mezi valëzonin, duke dalë, si zjarri,
po për sytë e mi e mbushën botën e zbrazët gjer atëherë.
Të derdhur, të ndezur ata ishin si dhjetë zota
me thundra të gjata të pastra, me krifa si prej gjumi të kripës.
Vithet e tyre ishin rruzuj të portokalltë.
Ngjyra ishte mjaltë, qelibar, zjarr...
Qafat e tyre qenë kulla
të prera në gurë krenarie
dhe nëpër sytë e furishëm u dukej
si një robinë energjia...
Dhe atje, në heshtje,
në mesin e ditës dimërore të pistë e të shregullt,
kuajt e rrëmbyeshëm ishin gjak,
rritëm, pasuri ushqyese e jetës.
I pashë e i pashë... dhe u përtërita,
pa e ditur,
atje ishte burimi, vallëzimi i ajrit, qielli,
zjarri që jetonte në bukurinë.
E kam harruar dimrin e atij Berlini të zymtë,
kurrë s’do të harroj dritën e kuajve.
Përktheu: Fatos Arapi
Kuajt
Po trokojnë kuajt
nëpër mjegull...
ti, mos i ke nisur për tek unë?
Kam dy vjet,
i pres
e jam në pritje...
Nëpër mjegull,
mos kanë humbur udhë?
Dhe në pritje,
herë-herë më shfaqen,
më trokojnë mbi gjoks e ikin prapë...
Ngrihem llahtarisur, i zhgënjyer,
bredh pas trokut
dhe unë këtë natë...
Kujtim HALILI
Kuajt
Kuajt mos i lini në oborre natën,
hiquani të drejtën e livadhit me hënë,
në çdo bark kali, Odisea end rrjetën e dinakrisë,
dashuri të zërë...
Mos përkëdhel krifën diellore të kalit,
Dashuria-Trojë, Troja-dashuri...
Nga rrënojat e kujtesës hingëllin një këmbanë,
në udhën e kishës, kufomat e dashurisë nxijnë...
Mos qesh e dashur, në Trojën tonë puthemi,
në zjarrin e buzëve na digjet dashuria e Helenës,
Në mbylljen e qepallave Odisea përgjon,
në barin e mërisë kullosin kuajt e natës...
Mos qesh e dashur, mos...
Aleksandër PUSHKIN
Kalorësi i vrarë
Në pyjet e largëta mbremja po ikën,
të fundmet shkëlqime të saj u venitën,
lugina e thellë ka heshtur;
zhurmon në mes mjegullës lumi me valë.
Mes reve që enden në qiell me ngadalë,
ndrin hënëza e artë parreshtur...
Koracë e çeliktë dhe heshtje e coptuar,
të shtrira po prehen te kodr e vetmuar,
mburoja prej ndryshkut po nxin...
Mamuzet të shkreta, në myshk kanë mbetur
dhe s’tunden nga vendi dhe hënëz e mekur,
mbi trup të përgjakur po ndrin...
Rreth kodrës vërtitet besniku dori,
diçka vezullon rreth syve të tij,
me kryet e unjur kalon...
Luginën po rreh me patkonjtë gjithë zjarr,
karrocën vështron dhe krejt vetmimtar,
po dridhet që thellë e gulçon...
Nxiton nëpër terr vetmitari dori,
me shpresë e me frikë, me drojtje në gji,
patkonjtë i brengosur rreh shpejt...
Po ngjitet me duf, në kodrinë, vështron,
nxiton e çeliku në terr tringëllon,
ndënë këmbën e lodhur të vetë...
Afrohet tek trupi i kalorsit të shkretë,
mundohet ta çojë, por kocka kërcet
dhe kafka përplaset për tokë...
Së thelli, i gjori dori, hingëlliti,
përqark n’errësisrë vështrimin vërviti
dhe heshtas pastaj uli kokën...
Shtegëtari, që larg, nëpër terr po kalon,
mes heshtjes të ngjet se mbi kocka po shkon...
Po ja dita zbardh përsëri...
Karoca dhe heshta e shkretë po ndrin,
kalorsi rri shtrirë e s’lëviz mbi kodrinë,
doriu veç endet rreth tij...
Përktheu: Jorgo Bllaci
Gjekë MARINAJ
KUAJT
Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç'bëhet prapa s'duam t'ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç'na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s'është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Kali i bardhë
Janë shuar dritat. Jashtë një hingëllimë,
në udhëtimin e fundit po më fton…
Ç’të bëj këtu? Të gjithë po heshtin rrotull,
urrejtja e tyre, fshehtas më përgjon.
Ndaj kali këmbën rreh dhe nuk i pritet,
për rrugë, për rrugë, të shkojmë te qetësia…
Dhe kali i bardhë, sa terr i natës sime
po pret n’oborr. Me të është dhe mendimi…
Ja erdha, erdha, nisu kali im,
t’arrijmë e t’mos arrijmë tek pambarimi…
M’i spërkat ëndrrat
Brenda një kornize
përballë krevatit tim,
një kale i bardhë,
një kale i pikturuar nga një dorë e dashur,
një kale i fuqishëm në pyllin e dendur,
në harbim hareje rend me gallop,
mes pellgjesh shiu…
Cërkat shqtërvan me variacione vezullimesh,
dinamizmi i gjymtyrëve muskulozë,
epërsinë e gjallimit më përçojnë.
Sytë vitalë, që klithin gëzim, gjumin ma përpijnë,
ç’do mendim ma shoqërojnë…
Ti kale i bardhë përballë krevetit tim,
që s’njeh pengesa pellgjesh
e i lire vrapon në pyje…
Ëndrrat e mia në trokëllima patkonjsh
m’i spërkat vrrullshëm me cërka lirie!...
Balada e kalit tim
Jam një kalë pa kapistër,
s’kam adresë, s’kam rregjistër,
i kam larg arat me misër.
Jam një kalë i harlisur,
nëpër gropa qorollisur,
rrokullisur, qesëndisur,
gjithë jetën kopanisur…
Jam një kalë-hergjele,
hop këtu e hop atje,
hingëllij nëpë Egje…
Jam një kalë, kalë i mirë,
gjithë ditën duke shirë,
e shes mishin fare lirë,
qimezbardhur-buzënxirrë…
Jam një kalë, kalë i rrallë,
i kam larg mëzat e bardhë,
larg kam pelën, kam livadhë,
plot me plagë kam samarë…