Monday, October 12, 2009

Nase Jani - Burimi i kenges


Nase Jani

Burimi i këngës

Poetit Dritero Agolli ne 78 vjetor


Jam ulur tek burimi i këngës sate,

Mbush pëllëmbët, pi e s’kam të ngopur,

Ndjej në buzë, qumësht dallëndyshe,

Brenda gjoksit: brengë të pasosur...


Por, s’më lenë ta shuaj shpirtin e djegur,

Vjen një kalë, që s’hingëllin si kalë.

Vjen një cjap me brirë, zile e mjekër,

Një bilbil kërkon të pijë pa rradhë...


Pastaj rradhe-rradhe, njëmijë dasmorë,

Edhe gjiri i nuses bëhet krua,

Kërcen nuselala mbi një shkurre,

Grifshi-grifshën e puth ndënë ftua...



Mbi krahëdallëndyshe vijnë turistë,

Flasin njëzetë gjuhë e s’merren vesh,

Nga një gotë kristali mbajnë në dorë,

Shkel synë xixëllonja, pleshti qesh...


Tek Burimi i Këngës, zgjatin gotat:

“ Një dopio kampari, wiski, birrë...”

Ngre lart brirët dhe dredh mjekrën cjapi:

“Eh, të huajt s’e njohin hardhinë!....”


Sa herë hëna i jep faqen diellit,

Vijnë të gjithë te ky burim magji:

Lulet, njerëzit, kafshët, zogjtë e pyllit...

Pijnë,

dehen,

qajnë,

bëjnë dashuri...

No comments:

Post a Comment