Thursday, November 25, 2010

Klubi Drita, u festua dhjetevjetori

U FESTUA DHJETËVJETORI I KLUBIT TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË NË BOTË “DRITA”

dritapelegrin.blogspot.com








Klubi Drita: U themelua në lagjen Kalithea, Athinë, më 27 maj 2000.

U miratua nga Gjykata e shkallës së parë, Athinë, me Nr. Vendim Nr. 3856/2004.

U dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me

“Medalja e Mirënjohjes”, Nr. Dekreti 4581, Dt. 30. 05. 2005

Ka 165 anëtarë në Europë, SHBA, Kanada, Australi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi...

Në lokalin “DELICATA”, Tavros-Athinë, u organizua Veprimtria Letrare-Përkujtimore “Drita 10-vjet”. Në këto dhjetëvjetor morën pjesë, shkrimtarë, artistë e dashamirë të letërsisë, personalitete të kulturës, politikës dhe diplomacisë shqiptare. Veprimtarinë e Nderuan: Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi, Deputeti i Parlamentit Shqiptar z. Fatmir Toçi, Drejtori i Librit dhe Bibliotekave në Ministrinë e Kulturës, shkrimtari Ermir Nika, Presidente e Shtëpisë Botuese “Toena” zonja Irena Toçi, Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”-Vlorë, shkrimtari Myrteza Mara, etj.


Panoramën dhjetëvjeçare të Klubit “Drita” e solli, nismëtari dhe kryetari i këtij Klubi shkrimtari Nase Jani, i cili evidentoi arritjet në fushën e botimeve, veprimtarive letrare, konkurseve, panaireve të librit dhe zgjerimit të Klubit Drita, me shtrirje në gjithë kontinentet ku ka krijues shqiptarë.


Në këtë veprimtari u ndanë Çmimet “Kadmus”, që organizon, prej vitit 2004, Klubi i Shkrimtarëve “Drita” dhe Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena”. Presidentja e Shtëpisë botuese “Toena” znj. Irena Toçi, pasi vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Klubin Drita, në emër të Jurisë, të përbërë prej: Prof. Dr. Jorgo Bulo (Kryetar), Diana Çuli, Irena Toçi, Ermir Nika dhe Nase Jani (anëtarë), shpalli fituesit:


Midis tridhjetë e dy krijuesve që konkurruan, fituesit janë:


Në Prozë, Robert Goro (Athinë) me librin me tregime “E diela e çmendur”. Në Poezi: Xheladin Mjeku (Prishtinë) me vëllimin poetik “Mëkatet e Orfeut” dhe në Letërsi për fëmijë e të rinj: Aleko Likaj (Bordo-Francë) me librin “Lepurushi refugjat” (përrallë e ilustruar). Librat fitues do të botohen nga Shtëpia Botuese “Toena”. Pjesëmarrësit në Konkurs u nderuan me Diploma Mirënjohje.


Çmimi “Ali Asllani” “Liriku më i mirë i vitit”. Ky Çmim jepet, në nder të Poetit dhe Diplomatit Ali Asllani, nga Klubi “Drita” dhe Ambasada Shqiptare në Athinë, prej vitit 2006. Në vite e kanë fituar me librat e tyre poetët: Kujtim Halili-Tiranë (Pas vdekjes), Iliriana Sulkuqi (SHBA), Luan Xhuli-Athinë dhe, për vitin 2009, poeti Myrteza Mara-Vlorë.


Aktorët Lefter Simoni dhe Eglantina Kume recituan poezi nga Ali Asllani dhe fituesi i konkursit, Myrteza Mara.


“Mirënjohja e Shkrimtarëve”. Është titulli i nderit që jep Klubi i Shkrimtarëve “Drita” për politikanët, diplomatët dhe personalitetet e jetës shoqërore, të cilët ndihmojnë jetën letrare. Në këtë veprimtari me këtë Titull u nderua deputeti, z. Fatmir Toçi:Për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Klubin “Drita” dhe përkrahjen e pandërprerë që u ka dhënë krijuesve shqiptarë jashtë Shqipërisë.”


Klubi i Shkrimtarëve “Drita” u nderua me “Çerfitikatë Mirënjohjeje” nga Ministri i Kulturës, z. Ferdinad Xhaferraj: “Për veprimtarinë e tij të gjithanshme, duke dhënë një kontribut të veçantë në bashkimin e krijuesve shqiptarë të kudondodhur nëpër botë, në zbulimin dhe përkrahjen e talenteve të reja, në ruajtjen dhe pasurimin e traditave të Kulturës Kombëtare Shqiptare dhe vlerave më të mira të letërsisë shqipe. Roli që ka luajtur Klubi i Shkrimtarëve Drita, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në integrimin e kulturës shqiptare në kulturat e vendeve ku ata jetojnë”.


Klubi Drita u nderua nga Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko”-Vlorë me kryetar y. Myrteza Mara, Fedetara e Shoqatave Shqiptare në Greqi me kryetare znj. Flutura Tafilaku

Emocione të veçanta sollën përshëndetjet e dërguara nga Shkrimtari Dritëro Agolli (Kryetar Nderi i Klubit Drita), albanologu i shquar Dr. Robert Elsie, Dr. Vili Minarolli, ambasador i Shqipërisë në Vjenë, (ish ambasador në Athinë) dhe shumë miqve tanë nga , Shqipëria, Italia, Kosova, Franca, SHBA etj.


Kënga “Drita që rrezaton dritë” kushtuar 10-vjetorit të Klubit Drita, shkruar nga Kastriot Lekdushi dhe kënduar nga Grupi i talentuar “Vëllazërimi”, të veshur me kostumet e tyre popullore dhe Torta-Simbol me qirinjtë e dhjetëvjetorit, në duart e këngëtares Vasilika Sakaj, ishin një nga surprizat e kësaj veprimtarie.

Klubi i Shkrimtarëve “Drita” nderoi me “Diplomë Mirënjohjeje” disa Anëtarë që kanë kontribuar më shumë në jetën letrare të këtij Klubi si dhe Nderoi për Veprimtari të Shquar në jetën Kulturore Artistike në Greqi: Grupin Folklorik “Vëllazërimi” me drejtues z. Kastriot Lekdushi, regjisorin dhe aktorin Lefter Simoni, z. Kujtim Vani, znj. Flutura Tafillaku dhe z. Artan Leskaj, që e ka kthyer lokalin edhe në qendër kulturore për shqiptarët.


Me hapjen e shampanjave dhe Urimit “Gëzuar dhjetëvjetorin”, nën drejtimin e kompozitorit dhe instrumentistit të talentuar Andrea Ndreçka, nisi pjesa e dytë e veprimtarisë me këngë, vallëzime, e urime tavolinash, deri në pasditen e asaj të diele. Veprimtaria u ideua dhe u drejtua me kompetencë nga regjisori dhe aktori Lefter Simoni.


Korrespodenti i Gazetës “Tribuna”

Athinë, nëntor 2010