Tuesday, December 20, 2011

Klubi “Drita” ndan Çmimet letrarë për vitin 2011




Klubi “Drita” ndan Çmimet letrarë për vitin 2011









Klubi i shkrimtarëve shqiptarë në botë “Drita” dhe Revista letrare-kulturore “Pelegrin”, ndajnë Çmimet në Letërsi, në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Athinë, më 17 dhjetor 2011, ora 18 e 30.
Morën pjesë, shkrimtarë, artistë e intelektualë shqiptarë me banim në Greqi, shkrimtarë e personalitete të kulturës greke, zëvendës Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi znj. Enkelejda Mërkuri, atasheu kulturor, znj. Hega Pashko, përfaqësues të medias shqiptare me veprimtari në Athinë, etj. Mjedisi i Ambasadës, që nga porta e deri te salla ku zhvillohej veprimtaria, ishin afishuar portretet e shkrimtarëve, që mbanin emrat Çmimet e akorduar dhe simbolet e Klubit “Drita”.
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, z. Nase Jani, paraqiti Fituesit:
Ky vit ka një të veçantë sepse, veç çmimeve tradicionalë “Kadmus” dhe “Ali Asllani”, Çmimet mbajnë emra të figurave të shquara të letërsisë, duke kujtuar dhe nderuar veprën e tyre letrare dhe njëherësh, fituesit e çmimeve janë më të motivuar. Çmimet e këtij viti jepen për libra të botuar, kryesisht, gjatë vitit 2010, veç Çmimit “Migjeni”, që jepet për talentet e reja, që vlerësohet nga botimet në Revistën “Pelegrin”. Çmimet janë dhënë sipas vlerësimit të Jurisë, duke përzgjedhur ndër dhjetëra libra, që janë botuar një vit më parë dhe dërguar pranë Klubit “Drita”.
Çmimi “Kadmus”: i jepet z. Myslim Maska-Athinë, për veprën e tij letrare. Jepet prej vitit 2005.

Çmimi “Liriku më i mirë i vitit”, që mban emrin e lirikut të shquar dhe diplomatit “Ali Asllani-(që, me propozim të Klubit “Drita”, u dekorua nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit”, më 11. 11. 2011 nr. Dekreti 7157), do të jepet në një veprimtari të veçantë në qytetin e Vlorës, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Petro Marko”. Ky çmim jepet prej gjashtë vjetësh, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Athinë.

Çmimi “Odisea Elitis”, që mban emrin e nobelistit grek, në këtë 100 vjetor të lindjes, i jepet poetit Kristos Tumanidhis-Athinë. Me këtë çmim, do të nderohen poetët dhe shkrimtarët e huaj, që janë pjesë ose miq të Klubit “Drita”.
Çmimi “Petro Marko”, i jepet z. Luan Toto-Vlorë, për romanin “Dielli lind në perëndim” (katër libra).
Çmimi “Jakov Xoxa” i jepet z. Thanas Mejdi-Athinë, për romanin “Hija e mallkuar”.
Çmimi “Faik Konica” i jepet z. Nuri Plaku-Fier, për librin “Kujtesa e humbur” (kritika e studime letrare).
Çmimi “Migjeni” (Për talentet e reja) i jepet znj. Stela Canga-Athinë, për ciklin poetik botuar te Revista “Pelegrin”-17.
Çmimi “Odise Grillo” i jepet z. Aleko Likaj-Bordo-Francë, për librin “Zemër trimi” (Legjenda dhe rrëfenja historike).
Çmimi “Dritëro Agolli” i jepet znj. Borina Voko-Athinë, për librin poetik “Dilemë njerëzore”.
Çmimi “Niko Nikolla” i jepet z. Hyskë Borobojka-Tiranë, për librin “Ti je i vogël, e dinë të mëdhenjtë” (Rrëfime-humor-satirë).
Çmimi “Ezopi” i jepet z. Pëllumb Velo-Vlorë, për librin me fabula “Kur merr zjarr e digjet pylli”.
Çmimi “Fan S. Noli” i jepet znj. Katerina Dhima për përkthimin e romanit “E vetmja rrugë” të shkrimtarit Azis Nesin.
Nderohet me “Diplomë Mirënjohjeje” Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko”-Vlorë, “Për bashkëpunim të vazhdueshëm, me Klubin e Shkrimtarëve “Drita” në veprimtaritë letrare-kulturore, duke nxitur dhe promovuar krijimtarinë dhe jetën letrare.”
Çmimet jepen “Plaketë-gold” me portretin e shkrimtarit që mban emrin çmimi, të shoqëruar me Diplomë.


Zëdhënësi i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”

17 dhjetor 2011