Tuesday, September 20, 2011

Një libër i ri për Dritëro Agollin

Një libër i ri për Dritëro Agollin






“Me Dritëronë”

-Një libër i ri i shkrimtarin Nase Jani, në 80-vjetorin e shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe.

“Të jesh bashkëkohës i një poeti dhe njeriu të madh si Dritëro Agolli, është fat për çdo shqiptar dhe krijues të vërtetë. Emri dhe vepra e Dritëroit, ka marrë përmasat e kombit, jo me inate e mashtrime, por me urtësi e dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët....” -thotë në hyrjen e librit, autori.

Libri mban brenda periudhën 1995-2010, nëpërmjet shënimeve nga ditarët, ëndrrave, poezive, ese-ve, letërkëmbimeve, publicistikës, që autori ua sjell lexuesve si një arkivë-kujtese për kohën dhe njerëzit.

Figura e Dritëroit është ikona e këtij libri, por aty lexuesi do të gjejë edhe ngjarje nga Shqipëria dhe bota, të cilat kanë lidhje me jetën e shqiptarëve, si dhe jeta e shqiptarëve në emigracion, me në qendër autorin e këtij libri.

Libri “Me Dritëronë”, me 432 faqe, ka mbi 600 emra njerëzish, të artit e të letërsisë shqiptare e botërore, por nuk mungojnë dhe njerëzit e thjeshtë, që kanë të drejtë të mendojnë, të punojnë, të gëzojnë e të jetojnë, siç u vjen jeta.

Nase Jani është autor i njëzetë librave: poezi, romane, tregime e novela, monografi etj. Është hartuesi i katër Antologjive-Letrare dhe, prej shtatë vjetësh, boton Revistën letrare-kulturore “Pelegrin”. Është nismëtar dhe i zgjedhur kryetar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” (2000). Ky klub, me qendër në Athinë e shtrirje në gjithë kontinentet, ku ka shkrimtarë-shqiptarë, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes”. Vetë, Nase Jani është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Krijimtaria e tij letrare është nderuar brenda e jashtë vendit. Jeton familjarisht në Athinë.

Ky libër, në 80-vjetorin e Shkrimtarit Dritëro Agolli, është një grimcë e jetës dhe e veprës së tij të madhe.

Redaktori:

Aleko Likaj

No comments:

Post a Comment