Ali Asllani-Nder i Kombit
“Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi , më 15 nëntor 2011, në një ceremoni të veçantë e solemne, një ndër diplomatët e funksionarët e parë të lartë të shtetit shqiptar, atdhetarin e poetin e shquar Ali Asllani (Pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në mjediset e Presidencës, ku ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë, personalitete të artit dhe kulturës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit, Presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të zotit Ali Asllani urdhrin e lartë dhe dekretin, me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”.
Pas marrjes së dekoratës, duke shprehur falënderimet për vlerësimin e lartë, nipi i tij, zoti Ardian Asllani u shpreh: “Ndihem shumë i emocionuar. Shpresoj se do të shprehja dëshirën tuaj, të të gjithëve juve, duke falënderuar Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për këtë nder që na bëhet, për këtë vlerësim që besoj se u takon të gjithëve ju, të gjithë kombit shqiptar, sigurisht edhe familjes! Për mua, edhe për të gjithë ne, sot është një ditë shumë e veçantë me vlerësimin e figurës së Ali Asllanit, megjithëse pas vdekjes, sepse ai gjithmonë kishte pritur për të marrë një vlerësim gjatë jetës, por edhe kjo, për ne sot është një vlerë. Të vlerësosh një figurë, sot është një vlerë për gjithë kombin. Unë do të doja një falënderim të veçantë t’i bëja institucionit të Klubit të Shkrimtarëve “Drita”, që ideuan, bashkë me zotin President, dhe menduan këtë lloj vlerësimi, si dhe Klubin “Petro Marko” dhe gjithë personalitetet e artit, që marrin pjesë në këtë ceremoni-nderi.
Gjithashtu, mirënjohje gjithmonë të thellë për organizatorët dhe për zotin President! Ju faleminderit!”
Kreu i Shtetit, theksoi: “Besoj që është dhe kënaqësia ime e veçantë që nderoj një figurë kaq të respektuar. Ju, i nderuar mik, thatë që ai kishte shpresuar në një nderim më të shpejtë. Në funksion të kohës, mund t’ju them që prania e kaq njerëzve këtu, e njerëzve të nderuar, përkushtimi i tyre për të realizuar një procedurë dhe për ta ndjekur atë deri në momentin e finalizimit, është dëshmi e një vlerësimi që i bëhet kësaj figure që sot është “Nderi i Kombit” në distancë kohore. Eksperienca ka treguar dhe vazhdon të tregojë që njeriu, sa është gjallë, sa është në detyrë, rrethohet nga miq të sinqertë, por rrethohet edhe nga servilë, rrethohet nga miq të vërtetë, por edhe nga miq ‘përfitues’. Dhe natyrisht me kalimin e kohës, ato figura, që i rezistojnë kohës dhe ato që nderohen edhe kur koha kalon me shumicë, rrethuar me kaq miq, me kaq përfaqësues të nderuar, të familjeve të nderuara, të Klubit “Drita”, që vepron prej vitesh në Greqi, patjetër është një vlerësim më se i merituar dhe një vlerësim me nota maksimale. Kjo figurë poliedrike, e cila na jep mundësinë që jo vetëm të krenohemi, por edhe të na motivojë për ta studiuar në të gjitha planet e veprimtarisë së tij, patjetër që është një kënaqësi e veçantë për cilindo, për një qytetar të thjeshtë, për një profesionist në një fushë të caktuar, për një shkrimtar, për një politikan dhe për një President. Kështu që sot, më lejoni që ta ndaj këtë vlerësim dhe këtë kënaqësi me njerëzit e familjes, me ata që e propozuan, me ata që e mbështetën. Dhe padyshim, Ali Asllani do të mbetet në jetë të jetëve një figurë e ndritur e kombit shqiptar!
Urimet më të mira dhe uroj që pasardhësit e kësaj familjeje të dinë ta çojnë pikërisht në ato nota që ai e ka mbajtur në kohë shumë të vështira! Urimet më të mira!”
Në emër të shkrimtarëve përshëndeti kryetari i Klubit “Drita”, z. Nase Jani
No comments:
Post a Comment