Saturday, December 5, 2009

Nga veprimtaritë e Klubit “Drita” në Shqipëri Nëntor-2009




Nga veprimtaritë e Klubit “Drita” në Shqipëri
Nëntor-2009



Klubi i Shkrimtarëve në Botë “Drita” gjatë muajit Nëntor zhvilloi disa veprimtari letrare.

1. “Biblioteka “Drita” në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
(25 nëntor 2009)
Sipas programit të përbashkët midis Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Drejtorisë së Institutit Kombëtar të Diasporës, në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u organizua çelja e Bibliotekës “Drita”.




75 autorë me 300 tituj librash: nga fondi i Klubit “Drita”, si dhe nga autorë të gjendur në Greqi, Itali, Francë, Zvicër, Angli, SHBA, Kanada, Australi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, etj. Veç anëtarëve të Klubit “Drita” në Shqipëri, një ndihmesë të veçantë dha Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko” në Vlorë, me kryetar z. Myrteza Mara, njëherësh dhe anëtar i kryesisë të Klubit “Drita”. Në “Bibliotekën Drita” që u çel në Ministrinë e jashtme kishte edhe libra të miqve tanë shkrimtarë, personalitete të letrave shqipe.




Në veprimtari, veç “të zotëve të shtëpisë”, morën pjesë diplomatë të ardhur edhe nga vendet fqinje, shkrimtarë e artistë, si dhe gazetarë të shtypit e medias televizive.




Pas përshëndetjes nga z. Sokol Dervishaj, i cili solli dhe përshëndetjen e kreut të dikasterit, z. Ilir Meta, Drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës, z. Flamur Gashi, midis të tjerash tha:
“Asnjëherë nuk është e mjaftueshme ndihma jonë për këto vlera që po jepni ju kulturës dhe kombit shqiptar. Prandaj ju falënderoj dhe ju uroj që sa më gjatë të vazhdojë kjo puna e juaj kaq e vyer! Ne jemi në prag festash, jo vetëm ato të këtij fundviti, por jemi në prag edhe të 100 vjetorit të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo festë kaq e madhe për kombin tonë do të përkojë edhe me organizimin e shumë veprimtarive kulturore e artistike në botë. Dhe, pa dyshim, Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” do të jetë në qendër të këtyre veprimtarive që do të organizohen. Se kush më mirë se poetët, shkrimtarët, gazetarët, artistët mund ta përçojnë vlerën e madhe të Pavarësisë së Shqipërisë! Instituti Kombëtar i Diasporës do të bëjë të pamundurën që t’ju qëndrojë sa më afër, jo vetëm me praninë tonë, por edhe me mundësitë që do na krijojë qeveria shqiptare. Edhe një herë iu falënderoj të gjithëve dhe veçanërisht ata që kanë marrë mundimin të vijnë nga jashtë, këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ju themi se zyrat, sallat, mjediset, ambasadat dhe çdo gjë që i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, janë të hapura për shkrimtarët, artistët, krijuesit dhe të gjithë ata njerëz që përçojnë vlerat kombëtare shqiptare, qoftë brenda komunitetit, qoftë tek miqtë tanë të huaj.





Ju faleminderit zoti Nase! Ju faleminderit për këtë kontribut të vyer që po bëni për Bibliotekën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për Bibliotekën e Institutit Kombëtar të Diasporës, por mbi të gjitha për vlerat tona kombëtare shqiptare! “

Kryetari i Klubit “Drita”, z. Nase Jani foli për veprimtarinë e shkrimtarëve në emigracion, të organizuar në Klubin “Drita” dhe për revistën letrare-artistike “Pelegrin”, organin e këtij klubi, duke përmendur emër më emër gjithë bashkëpunëtorët si dhe për ndihmesën që i jep Ambasada Shqiptare në Athinë, veprimtarisë letrare të këtij Klubi. Pastaj vetë autorët dhuruan disa nga librat e tyre për pjesëmarrësit.


2. Intervistë në TV. News 24 (15 minuta)
Në intervistë mori pjesë Kryetari i Klubit “Drita”, shkrimtari Nase Jani dhe Borina Voko, një nga anëtaret më të reja të këtij Klubi. U fol kryesisht për 5-vjetorin e revistës “Pelegrin” dhe ndihmesa që jep Klubi “Drita” për talentet e reja.




3. Intervistë në TV. Ora News (50 minuta)
Kryetari i Klubit “Drita” foli për jetën letrare të Klubit, 5-vjetorin e Revistës “Pelegrin”, kontributi i shkrimtarëve të diasporës në letërsinë shqipe, ruajtja e pastërtisë së Gjuhës Shqipe dhe përgatitjet që po bëhen për 10-vjetorin e Klubit “Drita” (27 maj 2010).



4. Në Vlorë, Anëtarja e 128 e Klubit “Drita”
Shoqata e Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, organizoi mbrëmjen letrare për librin më të ri “Stinë e çmendur” të poetes Albana Lulaj, e cila jeton në Itali. Kryetari i Klubit “Drita”, z. Nase Jani, i dha poetes së re Kartën e Anëtares së këtij Klubi, me Nr. 128.







5. Takim me shkrimtarë në Tiranë, Vlorë, Fier, Gjirokastër e Sarandë.
Kryetari i Klubit Drita” Nase Jani u takua me shkrimtarët dhe poetët Pandeli Koçi, Lindita Agolli, Rudina Xhunga, Fatime Kulli, Vitore Sallaku, Miradie Maliqi (Zvicër), Kujtim Boriçi, Muharrem Dardha, Riza Lahi, Ylli Molla, Petro Dudi, Petraq Kote, Myrteza Mara, Gëzim Llojdia, Çlirim Hoxha, Laureta Petroshati, Bardhosh Xhelaj, Bujar Muça, Dashamir Malo, Kostandin Vogli, Engjëllush Serjani, Ilir Lluri etj. ku diskutuan për veprimtarinë e Klubit në kuadrin e 10-vjetorit të krijimit dhe veçanërisht për “Drita Enciklopedi” dhe Antologjia e poetëve Ushtarakë.















Zëdhënësi i Klubit “Drita”: Aleko Likaj
30 nëntor 2009

No comments:

Post a Comment