Në kuadër të vlerësimit të personaliteteve, për kontribut të veçantë në fusha të ndryshme të jetës, Kryetari i Bashkisë së qytetit Vlorë, zoti Shpëtim Gjika, me propozim të Institutit të Librit dhe Promocionit "Toena" i jep:
shkrimtarit Myrteza Mara titullin:
"MIRËNJOHJE E QYTETIT TË VLORËS"
me motivacionin:
"Për kontribut të veçantë në fushën e kulturës,
për krijimtari të spikatur në fushën e letrave dhe botimeve,
duke krijuar një imazh pozitiv për Vlorën dhe komunitetin e saj.
Për nxitjen, inkurajimin dhe mbështetjen e vlerave krijuese e artistike
të autorëve vlonjatë në fushën e poezisë dhe prozës"
KRYETARI:
Shpëtim Gjika
Vlorë, 20 Prill.2010
Veprimtaria u zhvillua ne Teatrin "Petro Marko" të qytetit. Morën pjesë shkrimtarë, intelektualë, qytetarë, nxënës e studentë, miq e dashamirës të autorit. Ishin gjithashtu autoritete të pushtetit vendor, deputetët: Fatmir Toçi e Ardian
Kollozi, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”, Nase Jani, etj.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e shtëpisë botuese "Toena", zonja Irena Toçi, e cila vuri në dukje se prania e shkrimtarit Myrteza Mara në bibliotekat e Toenës,me poezitë e prozën e tij, ka gjetur interesin e lexuesve të të gjitha moshave, por kryesisht të të rinjve. Librat e këtij autori, kryesisht romanet si “Lisjana” apo “Dy dashuri” kanë ecur në udhën e ribotimit...
Profesor Josif Papagjoni, kritik arti, bëri një analizë të hollësishme të krijimtarisë së Marës, sidomos prozës së tij, duke e veçuar lirizmin poetik të saj dhe frymës së kohës. Mara, theksoi oratori, është një zë i veçante në letërsinë e sotme shqiptare. Gjetja, portretizimi i subjektit dhe objektit bëhet jo vetëm me pasion, por dhe me kulturë profesionale, duke i dhuruar lexuesit vepra te admirueshme si "Lisiana", "Dy Dashuri", "Gruaja e një ëndrre të bardhë" e deri tek "Semaforët e thyer".
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, shkrimtari Nase Jani, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Athina, pasi solli përshëndetjen e shkrimtarëve të Klubit “Drita”, ku edhe Myrteza Mara është në Kryesinë e këtij Klubi, mbajti ese-ne “Poeti, njeriu i së nesërmes” . “Myrteza Mara është poet në poezi dhe ndjehet poet në prozë.... Poeti, siç di të gjejë virgjërinë e fjalës, (se ndryshe nuk mund të jetë poet), di të zbulojë edhe virgjërinë e natyrës (dhe këtë mund ta bëjë vetëm poeti).
.... Myrteza Mara është poet-lirik, që e ngjyen penën në shpirtin e natyrës dhe shpirtin e njeriut. Kryefjala egjithë krijimtarisë së tij është dashuria dhe e vërteta. Dashuria dhe e vërteta, gjer në dhimbje, për njeriun dhe natyrën.Mund të them me bindje se poezia është vetë dashuria e poetit. Ai, brenda dashurisë, zbulon variantet e dashurisë, si grafiku sizmik i tërmeteve. ...
Myrteza Mara është njeri me fuqi krijuese, që shikon brenda trurit dhe shpirtit të njeriut.-theksoi NasJa, duke u ndalur tek proza e Myrteza Marës. Novela “Lisjana”, e pëlqyer dhe nga rinia shqiptare, që studion në Athinë, është shumëfishuar me fotokopje.
Pastaj, Kryetari i Klubit “Drita” shpalli Myrteza Marën, fitues të Çmimit “Ali Asllani” “Liriku më i mirë i vitit”, me librin poetik “Sytë e erës”. Ky Çmim jepet nga Klubi “Drita” dhe Ambasada shqiptare në Athinë. Ky Çmim do të jepet në një veprimtari të posaçme. Një stilolaps-dhuratë nga Nju-Jork Kolegj, për autorin e “Lisjanës”, ishte dhe surpriza e dytë, që kishte ruajtur NasJa në atë veprimtari të bukur –nderi. Pastaj, shkrimtari i ardhur nga Athina, Nase Jani, që është dhe qytetar i “Vlorës poete”, propozoi për ngritjen e shtatoreve për dy shkrimtarët e shquar: Petro Marko e Ali Asllani, që janë nderi i Vlorës dhe i gjithë Kombit Shqiptar. Ky propozim u duartrokit nga treqind pjesëmarrësit në sallë.
Deputeti Ardian Kollozi përshëndeti të pranishmit dhe uroi Marën për titullin, duke theksuar se respektimi i figurave të shquara në fusha të ndryshme është respekti për Vlorën, kulturën dhe komunitetin...
Nxënës të shkollave të mesme të qytetit dhe aktori në pension Ali Roshi recituan poezi të Marës, duke i dhënë karakter festiv veprimtarisë. Nxënëset: Brikena Boraku, Edilberta Mitro, Fiona Karalliu, Elisa Toshkollari, Denada Tozaj, etj. kishin përzgjedhur poezi të spikatura dhe i interpretuan me pasion të veçantë duke përcjellë emocione në sallë.
Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Edmond Leka ftoi deputetin Fatmir Toçi për të dorëzuar titullin. Para dorëzimit të titullit, zoti Toçi u ndal shkurtimisht në vlerat e botimeve të Marës dhe mirëpritjen nga tregu i lexuesve, duke theksuar se libra të këtij autori janë ribotuar disa herë. Kontribut të veçante, theksoi zoti Toçi, Mara ka për afrimin dhe grupimin e forcave krijuese letrare të qytetit...
Shkrimtari Myrteza Mara, pas marrjes së titullit, mes emocioneve dhe duartrokitjeve të të pranishmëve tha: “Unë mund të flas gjatë, se ne shkrimtarët jemi njerëzit e fjalës, por përsëri nuk mund të flas aq bukur sa folën sot këtu për mua. Prandaj, do them vetëm një fjalë, veç u lutem merrni të gjithën me germa të mëdha: FALEMINDERIT!”
Ne hollin e teatrit "Petro Marko" ishte shtruar një koktejl i pasur, ku të pranishmit uruan sërish autorin dhe familjen e tij, duke bërë dhe fotografi të shumta. Nuk mungoi edhe këndi i librave të autorit, ku për të interesuarit jepeshin me autograf.
Më pas, me miqtë e ardhur nga larg dhe familjarët, atmosfera e gëzimit u zhvendos në Nartë, me një drekë të pasur me prodhime deti! Veprimtarinë e ndoqën gjithë Televizionet e qytetit të Vlorës si dhe TV-Apollonia, i qytetit të Fierit.
“Zotërinj, Europa është duke humbur një mendje të madhe… Ishte një gjeni”…
(20 maj 1799-18 gusht 1850)
Më 18 gusht 1850, ime shoqe, që kishte qenë po atë ditë të vizitonte zonjën Balzak, më tha se Balzaku ishte duke vdekur.
Para tetëmbëdhjetë muajve Balzaku ishte prekur nga hipertrofia në zemër. Pas revolucionit të shkurtit kishte shkuar në Rusi dhe ishte martuar (me konteshën Eva Hanska). Disa ditë para nisjes e takova në rrugë, që atëherë ankohej e merrte frymë me zhurmë. Në maj të vitit 1850 ishte kthyer në Francë, i martuar, i pasur me një këmbë në varr. Që kur erdhi i kishte këmbët të ënjtura. U mblodh një këshill prej katër mjekësh. Njëri prej tyre, Luisi, më gjashtë korrik më tha: “Nuk ka për të jetuar më gjatë se gjashtë javë!”. Kishte sëmundjen e Frederik Suljesë.
Më 18 gusht, kisha për darkë xhaxhain tim, Luigj Hygonë. U ngrita nga tavolina, e lashë xhaxhanë, mora një karrocë që të më çonte në rrugën “Fortynë, 14” në lagjen Bozhon, ku banonte Balzaku. Ai kishte marrë ç’kishte mbetur nga pallati Bozhon, ca grumbuj shtëpish që i kishin shpëtuar rastësisht, shembjes, i kishte mobiluar për mrekulli këto shtëpiza dhe kishte bërë me to një pallat të vogël, të shkëlqyeshëm, me portën kryesore që delte në rrugën Fortynë.
Trokita.Ishte një hënë e qartë e veshur me ré. Udha ishte e shkretë. Nuk u përgjigj kush. Trokita përsëri. Dera u hap. Doli një grua me qiri: “Çfarë dëshironi zotëri?!”-Qante.
I thashë emrin tim. Më futi në sallonin e katit përdhes, ku, mbi një mbajtëse me këmbë përballë oxhakut, ishte busti madhështor i Balzakut, bërë nga Davidi. Një shandan rrëzëllente mbi një tavolinë, të kushtueshme, ovale, vendosur në mes të sallës, që kishte si këmbë gjashtë statujëza të zbukuruara me shije të përsosur...
Erdhi një grua tjetër dhe më tha: “Po vdes. Zonja është veçuar në dhomën e saj. Mjekët e kanë braktisur që dje. Ka një plagë në këmbën e majtë. Është gangrena. Mjekët nuk dinin ç’të bënin. Thoshin se sëmundja e zotërisë ishte një sëmundje të dhjamosuri. Është një shprehje që përdorin kur lëkura e mishi bëhen si punë dhjami… Muajin e fundit zotëria është përplasur pas një mobile të vjetër, lëkura i është hapur dhe gjithë lëngu i trupit i ka dalë jashtë. … Ka qenë Rui që e operoi. Dje kanë hequr aparatin. Plaga në vend që të qelbëzohej ishte e kuqe, e thatë dhe e përflakur. Atëherë kanë thënë: “Ka mbaruar!” Nuk u kthyen më mjekët. Kemi shkuar tek katër a pesë mjekë të tjerë, por pa dobi. Të gjithë na janë përgjigjur: “Nuk kemi ç’të bëjmë!”… Nata ka qenë e tmerrshme. Sot në mëngjes, në orën nëntë, zotëria nuk fliste më.. Zonja dërgoi të sillnin një prift. Prifti ka ardhur t’i bëjë zotërisë mirosjen e fundit. Zotëria ka bërë me shenjë se kuptonte. Pas një ore ka shtrënguar dorën e motrës, zonjës Syrvijë. Tani, prej njëmbëdhjetë orës, po lëshon grahma dhe nuk sheh më. Nuk ka për ta gjetur e nesërmja. Nëse më lejoni po kërkoj zonjushën Syrvijë e cila ende nuk ka rënë”…
Gruaja iku. Prita paksa. Shandani mezi ndriçonte mobilimin e shkëlqyer të sallës dhe kuadrot e mrekullueshme të Porbysit e të Holbajnit varur në mure. Busti I mermertë shquhej në atë gjysmë-terr, si hija e njeriut që ishte duke vdekur…
Zonja Syrvijë erdhi e m’i përsëriti të gjitha ato që më pat thënë gruaja. Kërkova ta shoh Balzakun.
Përshkuam një korridor, ngjitëm një palë shkallë shtruar me një rrugicë të kuqe dhe ngarkuar me sende arti, vazo, statuja, bufe të lyera… Një tjetër korridor, në të cilin hapej një derë. Dëgjova një grahmë të fortë dhe ogurzezë. Isha në dhomën e Balzakut.
Në mesin e dhomës ishte një krevat prej ahu, që kishte nga këmbët te koka rripa e çarçafë së gjëri, që të jepnin idenë e një pasjeje të varur për të lëkundur të sëmurin. Balzaku qëndronte në atë shtrat, me kokën mbështetur në një grumbull jastëkësh, të cilëve u ishin shtuar shilte damasku të kuq. Fytyrën e kishte mavi, gati të nxirë, kthyer në të djathtë, mjekrën lenë pas dore, flokët të prerë shkurt, syrin të hapur e të fiksuar në një pikë… Një plakë e shtëpisë dhe një shërbëtor qëndronin në të dyja anët e shtratit. Një shandan dridhej pas kreut të krevatit, mbi një tavolinë, një tjetër mbi një komodinë pranë derës. Një vazo argjendi ishte mbi tryezën e natës. Burri e gruaja heshtnin, dëgjonin atë që vdiste.
Llamba në krye të shtratit ndriçonte si tepër portretin e një djali të ri e buzagaz, të varur mbi oxhak.
Ngrita mbulesën dhe kapa dorën e Balzakut. Ishte mbuluar me djersë. E shtrëngova. Ai nuk iu përgjigj shtrëngimit.
Gjendesha po në atë dhomë ku kisha ardhur para një muaji. Atëherë ishte gazmor, plot shpresë, nuk dyshonte se do shërohej, e tregonte ënjtjen e tij duke qeshur. Patëm biseduar mjaft për politikë. Ai më qortonte për “demagogjinë” time. Ishte legjitimist. Më thoshte: “Si ke mundësi që të heqësh dorë, kaq lehtë, nga titulli i parit të Francës, më i bukuri pas atij të mbretit të Francës!” Më thoshte gjithashtu: “ Zotëroj shtëpinë Bozhon, pa kopshtin, por me stolin te kisha e vogël në qoshen e rrugës. Mbi shkallën time është një portë që të nxjerr në kishë. Një rrotullim çelësi dhe drejt e në meshë…”. Më kishte shoqëruar deri në fund të asaj shkalle, duke ecur me mundim, më kishte treguar portën dhe i pat thirrur të shoqes: “Hë de, çoje pak Hugonë të shohë të gjitha tablotë e mia!”
Infermieria më tha: “Do të vdesë në të gdhirë”.
Zbres përsëri dukembajtur të ngulitur në mendje atë fytyrë të irnuar… Duke përshkuar sallën e pritjes pashë përsëri bustin e palëvizur, të patundur… E krahasova vdekjen me pavdekësinë.
Në të kthyer në shtëpi, ishte e diel, gjeta të më prisnin njerëz të ndryshëm, ndër të tjerët Riza Beu, i ngarkuar me punët e Turqisë; Navareti, poeti spanjoll dhe konti Arrivabehe, i mërguar italian.. U them atyre: “Zotërinj, Europa është duke humbur një mendje të madhe”.
Balzaku vdiq gjatë natës. Ish 51 vjeç. Varrimi u bë të mërkurën. Ai u meshua në kishën Bozhon… Shërbimi i përzishëm u krye në Sen-Filip dë Rul. Duke shoqëruar arkivolin mendoja se aty ishte pagëzuar vajza ime e dytë; nga ajo ditë nuk kisha shkelur më në atë kishë. Në kujtimet tona vdekja gjen menjëherë përballë lindjen.Ministri i Brendshëm Barok morri pjesë në varrim. Qëndronte në kishë, pranë meje e më jepte bisedë: “Ishte një njeri i njohur”. Unë iu përgjigja: “Ishte një gjeni!”
Vargani i përmotshëm përshkoi Parisin e mbërriti nga bulevardet në Për Lazhesë. Binin pika shiu, nga kisha gjer kur arritëm në varreza. Ishte një nga ato ditët kur duket se qielli derdh lot. E bëmë në këmbë të gjithë rrugën. Unë ecja në të djathtë, para arkivolit, duke kapur një nga lëndët e argjendta të tendës zbukuruese. Aleksandër Dyma, në anën tjetër.
Kur mbërritëm te vendi, që ishte lart mbi kodër, moria e njerëzve ishte e pafund. Rruga ishte e vështirë dhe e ngushtë, kuajt në ngjitje përballonin lodhje në të mbajturit e qerres dhe kjo i zbrapsi. Mund të isha shtypur. Njerëzit që ishin aty më tërhoqën shpejt nga krahu.
Arka e lëshuar në varr, ngjitur me të Sharl Nodiesë e të Kazimir Dalavinjës. Prifti tha lutjet e fundit dhe unë thashë disa fjalë. Ndërsa flisja, dielli po perëndonte. I gjithë Parisi m’u duk diku larg, në mjegullën e shkëlqyer të muzgut…
Honore dë Balzak
për konteshën
Eva Hanska
Një dashuri legjendare ajo Balzakut për konteshën e martuar polake, Hanska. Zgjati për 15 vjet pa u takuar dhe lindi e u mbajt vetëm nëpërmjet korrespondencës. Balzaku do të martohej me
Hanskën vetëm më 1850, pak muaj para vdekjes së tij.
"Engjëlli im i adhuruar. Jam bërë vërtet i luajtur nga mendtë nga dashuria për ty. Rri si budalla e s'bëj gjë tjetër veç mendoj për ty e, çdo përfytyrim më sjell pranë teje. Të kap, të shtrëngoj, të puth, të përkëdhel. Ti, je në zemrën time e unë ndjej aty praninë tënde delikate. O perëndi, unë zgjohem çdo mëngjes me mendimin që t'i them vetes: Hajt, nisu, shko të takosh engjëllin tënd. E pastaj, tërhiqem i shtrënguar nga dhjetëra pengesa e obligime. Është luftë e vërtetë kjo që ndodh brenda meje. Jo, kështu, s'rrohet!... Kjo që po ndodh, s'më ka bërë kurrë vaki... Ndjehem i përhumbur, i marrë e njëkohësisht i lumtur teksa përjetoj këtë ëndërr kaq delikate që, për mua ka vlerën e një mijë vjet jete. Jam vërtet në gjendje të tmerrshme. Në çdo qelizë, në çdo pore të trupit tim ndjej të jem i pushtuar, i përmbytur nga dashuria. Unë nuk jetoj adhuroj të bukur e magjike. Dje, gjithë darkën, po thosha me vete: Ajo është e imja. As engjëjt në parajsë s'janë aq të lumtur sa ç'isha unë mbrëmë!..."