Showing posts with label Vlore. Show all posts
Showing posts with label Vlore. Show all posts

Sunday, October 3, 2010

Klubi “Drita” 10 vjet - Veprimtari




Klubi “Drita” 10 vjet


Veprimtari të Klubit “Drita” në Shqipëri


Gjatë muajit shtator 2010, Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” organizoi disa veprimtari në qytetin e Vlorës, Beratit, Sarandës...


Biblioteka “Drita” tek Shtëpia e Librit “Adion”, Vlorë


Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” (dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me “Medaljen e Mirënjohjes”) Në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë, organizuan çeljen e Bibliotekës “Drita” te Shtëpia e Librit “Adion” në qytetin e Vlorës. Përgjegjësja e kësaj Biblioteke, Dr. Edlira Çerkezi deh personeli i këtij institucioni, organizuan më së miri, zhvillimin e kësaj veprimtarie. Shtatëdhjetë libra, nga shkrimtarë të Klubit, në gjinitë roman, tregime, poezi, monografi, etj. si dhe numrat e Revistës “Pelegrin”, deri në Pelegrin 15, i porsadalë nga shtypi, u bënë pronë e lexuesve të këtij institucioni kulturor.



Ndahen Çmimet e Konkursit “Pranvera Letrare”


Në kuadrin e 10-vjetorit të themelimit të Klubit “Drita”, u ndanë Çmimet e Fituesve të Konkursit “Pranvera letrare”, organizuar nga Klubi “Drita” dhe Gazeta “Tribuna”, Athinë. Fituesit: Në Poezi: Ivana Dervishi, e ardhur nga Durrësi (me Çmim të Parë), Borina Voko-Athinë, (Çmim të Dytë), Brisa Palikuqi –SHBA (Çmim të dytë), Marsela Hajdini-Lushnjë (Çmim të Tretë), Diziana Ballolli-Kretë, Greqi (Çmim të tretë). Brikena Boraku nga Vlora u nderua me Çmim të Parë në Skicë Letrare.




Nxënësja e talentuar, Ivana Dervishi, u zgjodh Kryetare e Talenteve të Reja të Klubit Drita, “Pranvera Letrare”.

Fituesve iu dhanë Diploma, Karta e Anëtarësimit të Klubit “Drita” në grupin “Pranvera Letrare” dhe Revista “Pelegrin”-15, ku ishin përfaqësuar edhe me krijimtarinë e tyre.

Në këtë veprimtari, shkrimtari Nase Jani u nderua me titullin “Nderi i Klubit të Shkrimtarëve Petro Marko.




Klubi “Drita” me 165 Anëtarë

Në veprimtaritë e Organizuara u bënë edhe pranime të reja dhe u ndanë Kartat e Anëtarsimit të Klubit “Drita”: Miradie Ramiqi-Prishtinë, Luan Toto-Vlorë, Vilhelme Vranari (Haxhiraj)-Vlorë, Pëllumb Velo-Vlorë, Edlira Çerkezi-Vlorë, Petraq Kote, i ardhur nga Fieri, Silvana Qose (Kuçovë-Itali), Maurizio Silvestelli (Ankona-Itali), Demir Gjergji-Tiranë, Kozeta Zavalani, (Tiranë), Sofia Hientzaris (Athinë-Greqi), Edmond Shallvari (Selanik-Greqi), Sabit Idrizi (Mitrovicë-Kosovë), Roland Musta (Detroit-SHBA), Hysen Berisha (Kosovë-Norvegji), Ruzhdi Gole (Durrës), Namik Selmani (Berat), Jorgo Sofokli Telo (Gjirokastër), etj. si dhe disa talenteve të reja iu dha karta “Pranvera Letrare” e Klubit Drita. Disa Anëtarëve kartat iu dërguan në vendet ku jetonin.

Në këto veprimtari morën pjesë shkrimtarë dhe intelektualë të qytetit të Vlorës, bashkëfamiljarë të Fituesve të Çmimeve, si dhe të ftuar. Veprimtaritë u ndoqën nga Televizionet lokale të Vlorës dhe “Apollon” i qytetit të Fierit.


Takim me Shkrimtarë

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, zhvilluam takime me shkrimtarët Miradie Ramiqi-Kosovë, Koço Kosta, Pandeli Koci, Pirro Loli, Kozeta Zavalani, Arben Kondi, Tiranë, Në Vlorë me poetin dhe studiuesin Primo Shllaku, i ardhur nga Tirana, Luan Toto, Pëllumb Velo, Petraq Pali, Luan Çipi, Vangjel Pici-Vlorë, poetet e reja: Lisiana F. Demiraj dhe Ariana Loçe-Tiranë, anëtaret më të reja të Klubit Drita, etj. Në Sarandë me poetin Dashamir Malo. Në Himarë me shkrimtarin Dr. Evriviadhi Goro, që sapo kishte nxjerrë librin më të ri “Kohë dhe njerëz” etj.

.

Tuesday, April 27, 2010

“Mirënjohje e qytetit të Vlorës” për shkrimtarin Myrteza Mara


“Mirënjohje e qytetit të Vlorës”

për shkrimtarin Myrteza Mara


Në kuadër të vlerësimit të personaliteteve, për kontribut të veçantë në fusha të ndryshme të jetës, Kryetari i Bashkisë së qytetit Vlorë, zoti Shpëtim Gjika, me propozim të Institutit të Librit dhe Promocionit "Toena" i jep:

shkrimtarit Myrteza Mara titullin:

"MIRËNJOHJE E QYTETIT TË VLORËS"

me motivacionin:


"Për kontribut të veçantë në fushën e kulturës,

për krijimtari të spikatur në fushën e letrave dhe botimeve,

duke krijuar një imazh pozitiv për Vlorën dhe komunitetin e saj.

Për nxitjen, inkurajimin dhe mbështetjen e vlerave krijuese e artistike

të autorëve vlonjatë në fushën e poezisë dhe prozës"

KRYETARI:

Shpëtim Gjika

Vlorë, 20 Prill. 2010




Veprimtaria u zhvillua ne Teatrin "Petro Marko" të qytetit. Morën pjesë shkrimtarë, intelektualë, qytetarë, nxënës e studentë, miq e dashamirës të autorit. Ishin gjithashtu autoritete të pushtetit vendor, deputetët: Fatmir Toçi e Ardian

Kollozi, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”, Nase Jani, etj.



Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e shtëpisë botuese "Toena", zonja Irena Toçi, e cila vuri në dukje se prania e shkrimtarit Myrteza Mara në bibliotekat e Toenës, me poezitë e prozën e tij, ka gjetur interesin e lexuesve të të gjitha moshave, por kryesisht të të rinjve. Librat e këtij autori, kryesisht romanet si “Lisjana” apo “Dy dashuri” kanë ecur në udhën e ribotimit...


Profesor Josif Papagjoni, kritik arti, bëri një analizë të hollësishme të krijimtarisë së Marës, sidomos prozës së tij, duke e veçuar lirizmin poetik të saj dhe frymës së kohës. Mara, theksoi oratori, është një zë i veçante në letërsinë e sotme shqiptare. Gjetja, portretizimi i subjektit dhe objektit bëhet jo vetëm me pasion, por dhe me kulturë profesionale, duke i dhuruar lexuesit vepra te admirueshme si "Lisiana", "Dy Dashuri", "Gruaja e një ëndrre të bardhë" e deri tek "Semaforët e thyer".
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, shkrimtari Nase Jani, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Athina, pasi solli përshëndetjen e shkrimtarëve të Klubit “Drita”, ku edhe Myrteza Mara është në Kryesinë e këtij Klubi, mbajti ese-ne “Poeti, njeriu i së nesërmes” . “
Myrteza Mara është poet në poezi dhe ndjehet poet në prozë.... Poeti, siç di të gjejë virgjërinë e fjalës, (se ndryshe nuk mund të jetë poet), di të zbulojë edhe virgjërinë e natyrës (dhe këtë mund ta bëjë vetëm poeti).



.... Myrteza Mara është poet-lirik, që e ngjyen penën në shpirtin e natyrës dhe shpirtin e njeriut. Kryefjala e gjithë krijimtarisë së tij është dashuria dhe e vërteta. Dashuria dhe e vërteta, gjer në dhimbje, për njeriun dhe natyrën. Mund të them me bindje se poezia është vetë dashuria e poetit. Ai, brenda dashurisë, zbulon variantet e dashurisë, si grafiku sizmik i tërmeteve. ...

Myrteza Mara është njeri me fuqi krijuese, që shikon brenda trurit dhe shpirtit të njeriut.-theksoi NasJa, duke u ndalur tek proza e Myrteza Marës. Novela “Lisjana”, e pëlqyer dhe nga rinia shqiptare, që studion në Athinë, është shumëfishuar me fotokopje.

Pastaj, Kryetari i Klubit “Drita” shpalli Myrteza Marën, fitues të Çmimit “Ali Asllani” “Liriku më i mirë i vitit”, me librin poetik “Sytë e erës”. Ky Çmim jepet nga Klubi “Drita” dhe Ambasada shqiptare në Athinë. Ky Çmim do të jepet në një veprimtari të posaçme. Një stilolaps-dhuratë nga Nju-Jork Kolegj, për autorin e “Lisjanës”, ishte dhe surpriza e dytë, që kishte ruajtur NasJa në atë veprimtari të bukur –nderi. Pastaj, shkrimtari i ardhur nga Athina, Nase Jani, që është dhe qytetar i “Vlorës poete”, propozoi për ngritjen e shtatoreve për dy shkrimtarët e shquar: Petro Marko e Ali Asllani, që janë nderi i Vlorës dhe i gjithë Kombit Shqiptar. Ky propozim u duartrokit nga treqind pjesëmarrësit në sallë.




Deputeti Ardian Kollozi përshëndeti të pranishmit dhe uroi Marën për titullin, duke theksuar se respektimi i figurave të shquara në fusha të ndryshme është respekti për Vlorën, kulturën dhe komunitetin...


Nxënës të shkollave të mesme të qytetit dhe aktori në pension Ali Roshi recituan poezi të Marës, duke i dhënë karakter festiv veprimtarisë. Nxënëset: Brikena Boraku, Edilberta Mitro, Fiona Karalliu, Elisa Toshkollari, Denada Tozaj, etj. kishin përzgjedhur poezi të spikatura dhe i interpretuan me pasion të veçantë duke përcjellë emocione në sallë.


Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Edmond Leka ftoi deputetin Fatmir Toçi për të dorëzuar titullin. Para dorëzimit të titullit, zoti Toçi u ndal shkurtimisht në vlerat e botimeve të Marës dhe mirëpritjen nga tregu i lexuesve, duke theksuar se libra të këtij autori janë ribotuar disa herë. Kontribut të veçante, theksoi zoti Toçi, Mara ka për afrimin dhe grupimin e forcave krijuese letrare të qytetit...


Shkrimtari Myrteza Mara, pas marrjes së titullit, mes emocioneve dhe duartrokitjeve të të pranishmëve tha: “Unë mund të flas gjatë, se ne shkrimtarët jemi njerëzit e fjalës, por përsëri nuk mund të flas aq bukur sa folën sot këtu për mua. Prandaj, do them vetëm një fjalë, veç u lutem merrni të gjithën me germa të mëdha: FALEMINDERIT!”






Ne hollin e teatrit "Petro Marko" ishte shtruar një koktejl i pasur, ku të pranishmit uruan sërish autorin dhe familjen e tij, duke bërë dhe fotografi të shumta. Nuk mungoi edhe këndi i librave të autorit, ku për të interesuarit jepeshin me autograf.

Më pas, me miqtë e ardhur nga larg dhe familjarët, atmosfera e gëzimit u zhvendos në Nartë, me një drekë të pasur me prodhime deti! Veprimtarinë e ndoqën gjithë Televizionet e qytetit të Vlorës si dhe TV-Apollonia, i qytetit të Fierit.