Saturday, November 26, 2011

Presidenti i Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi priti një grup shkrimtarësh të Klubit “Drita”




Presidenti i Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi

priti një grup shkrimtarësh të Klubit “Drita”




Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti më 15 nëntor 2011, në zyrën e tij në Presidencë një grup shkrimtarësh nga Shqipëria, Greqia dhe Kosova, të cilët kryesoheshin nga Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, Nase Jani. Në grupin e shkrimtarëve bënin pjesë: Borina Voko-Athinë, Myrteza Mara-Vlorë, Xheladin Mjeku-Prishtinë, Pandeli Koçi-Tiranë.


Pasi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë “Drita”, i cili është krijuar në vitin 2000 në Athinë dhe numëron rreth 200 anëtarë në mbarë botën, Nase Jani, prezantoi shkurtimisht veprimtarinë e Klubit, që u krijua fillimisht si një kërkesë e kohës, për të qenë kurdoherë të bashkuar në promovimin e veprave letrare e artistike të shkrimtarëve shqiptarë, në lëvrimin dhe përtëritjen e vlerave kulturore, historike e shoqërore, me synimin për të ruajtur identitetin tipik gjuhësor e zakonor të shqiptarëve e për t’i trashëguar këto vlera të larta tek brezat e rinj.


Presidenti Topi, duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi interesant e të rëndësishëm për promovimin e letërsisë shqipe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, vuri në dukje në mënyrë të veçantë se “Veprat letrare, por dhe ato historike, që jo vetëm janë të shkruara bukur artistikisht, por pasqyrojnë me vërtetësi e paanshmëri tematikat që trajtojnë, i rezistojnë të gjitha kohërave e mbeten pjesë e arkivës së artë të shqiptarëve e Shqipërisë”. Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi çmoi punën dhe përkushtimin e shkrimtarëve shqiptarë në botë, i siguroi ata për mbështetjen personale dhe institucionale në përmbushje të nismës së tyre fisnike për përhapjen e kulturës dhe letrave shqipe në të katër anët e globit.

Kryetari i Klubit “Drita”, njëherësh dhe themelues e drejtor i Revistës Letrare-Kulturore “Pelegrin”, organ i këtij klubi, i dhuroi Presidentit pesë numrat e fundit të kësaj reviste, gjithashtu në të ardhmen në Presidencë do të çelet stenda “Drita” me libra të shkrimtarëve të këtij Klubi.

(Sipas njoftimit të Presidencës)

1 comment: