Showing posts with label pershendetje. Show all posts
Showing posts with label pershendetje. Show all posts

Sunday, June 14, 2009

Urime për Pelegrinin....6



“Pelegrin” ka një emër të nderuar...

Tek Revista “Pelegrin” , në mënyrën e kompozimit dhe të vlerave letrare e artistike, kujtoj revistën e atyre viteve “Nëntori”, apo Revistën “Letërsia Botërore” që botonin rusët. Rubrikat janë zgjedhur mirë dhe lexuesi i kulturuar i kërkon këto rubrika se gjen informacion dhe ushqim të zgjedhur nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, nga talentet e reja dhe shkrimtarët e e kudondodhur jashtë Shqipërisë. Unë kam qenë bashkëpunëtor qysh në fillimet e Revistës. Gjatë këtyre 5-vjetëve “Pelegrin” ka sjellë tek ne shumë gjëra të panjohura, që nga Nobelistët, portrete të shkrimtarëve e artistëve, njerëz të shkencës e të kulturës. Tek rubrika “Nderim” ka sjellë figurat e pavdekshme të jetës kulturore e qytetare të Shqipërisë, si Violeta Manushi, Odhise Paskali, Mentor Xhemali, Robert Zhvarc, Eqrem Çabej, Ali Asllani, e shumë e shumë të tjerë. “Pelegrin”, ka përfaqësuar denjësisht, me mendimin estetik e filozofik, me krijimtarinë e botuar, jo vetëm portretin e Klubit të Shkrimtarëve në Botë “Drita”, por përfaqëson denjësisht kulturën dhe letërsinë kombëtare-shqiptare. Revistën “Pelegrin” mund ta quaj një nga veprat më dinjitoze e më me vlerë të punës së Nase Janit, në bashkëpunim edhe me stafin e miqtë e shumtë. Në këtë 5-vjetor, “Pelegrin” ka një emër të nderuar, që do e ketë edhe në shumë përvjetorë të tjerë...

Myslim MASKA
Athinë, qershor 2009




Sa herë që vijnë Ditëlindje, ndjejmë emocione dhe gëzim. Kështu ndodh me ditëlindjet e fëmijëve, kështu ndodh edhe me këtë revistë letare, që e ndjemë kaq afër shqetësimeve tona. Por ditëlindja e Pelegrinit ndryshon nga ajo e fëmijëve se kjo Revistë është rritur e burrëruar edhe në moshën 5-vjeç. Këtë e tregon: kultura, mençuria dhe dashuria që rrezaton nga njëri numër tek tjetri e nga njëra rubrikë tek tjetra... E uroj Pelegrinin që të rritet nëpër dekada duke mbetur gjithmonë i ri, i freskët e i dashur për lexuesit!

Violeta ÇELA

Athinë, maj 2009






Udhëtimi për në Pelegrin është i shenjtë.


Pelegrini të dhuron shenjtërinë e shkrimeve, rrahjet e zemrës, lotët e gëzimit dhe pikëllimit? Por dhe lotët e dashurisë për misionin e tij fisnik. Urimet dhe dëshirat për Pelegrinin janë gjithnjë në rrjedhje si përrenj mali, deri në pafundësi. Ju lumtë për gjallimin dhe jetësimin e tij. Unë ju admiroj dhe uroj për zemrën që na dhuruat.


Me respekt të veçantë Gafur KABASHI

Gap Marseje-Francë

Qershor 2009








I nderuar Z. Nase Jani!


Me rastin e pesë vjetorit të revistës tonë të dashur Pelegrin, ju uroj suksese të mëtejshme në përhapjen dhe kultivimin e kulturës sonë kombëtare. Revista juaj dhe e jona njëkohësisht, gjatë këtyre pesë vjetëve, ka qenë një tribunë zëdhënëse te artit dhe kulturës sonë kombëtare.

Pesë vjet nuk janë shumë, por as nuk janë pak, ata janë një rrugë e shtruar për të përshkuar shekuj që kjo revistë kurrë të mos plaket dhe të nënvlerësohet, por vlerat e saj shkofshin gjithmonë në rritje. Stafi juaj i nderuar ka ditur të zgjedhë ato tematika pa interes fitimi që i kanë shërbyer të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Për këtë. Revista “Pelegrin “ kapërceu dete e oqeane dhe sot gjendet në duart e shumë shqiptarëve, si brenda kufijve dhe jashtë Shqipërisë, që nga Europa, Australia, Amerika, Kanadaja e kudo tjetër, ku flitet gjuha e bukur shqipe.

Me këtë rast, si anëtar i lidhjes së shkrimtarëve të Klubit "Drita" dua të falënderoj të gjithë ata, që u bënë pjesë e kësaj reviste të mrekullueshme, letrare –artistike, larg duarve të politikës, kësaj sëmundje të shtypit të sotëm shqiptar. Falënderoj të gjithë ata, që me shkrimet e tyre të një niveli të lartë, bënë që emri i kësaj reviste, në këta pak vite, të jetë për nga përmbajtja, në moshë madhore.

Urojmë dhe një herë zoti Nase, që forca juaj fizike, mendore dhe intelektuale të mos pushojë për të mirën e kulturës sonë kombëtare, që revista Pelegrin të vazhdojë të bashkojë krijuesit shqiptarë dhe të gjejë sa më tepër lexues, kudo në botë!

Me respekt., Ndue HILA

SHBA, maj 2009






Një organ i dashur dhe i mezipritur


Pesë vite të suksesshëm arriti revista “Pelegrin”, organi i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”. Pelegrini është bërë organ i dashur dhe i mezipritur nga krijuesit dhe dashamirët e letërsisë së vërtetë, në çdo skaj të globit, ku rrethanat e kohës kanë shpërndarë racën e fortë e të lashtë shqiptare.

Si lexues i rregullt i “Pelegrin”, i përcjell me emocion dhe i gëzohem me shpirt rritjes impresionuese nga numri i parë në numrin e trembëdhjetë, për moshën e veçantë, pjesëmarrjen e gjerë të krijuesve e të lexuesve, cilësinë e materialeve letrare, për vendin e merituar e dinjitoz në trashëgiminë kulturore-artistike të popullit shqiptar. Në këtë përvjetor të shënuar, ndjej dhe shpreh: si rrallë organ tjetër letrar, brenda e jashtë Shqipërisë. Revista “Pelegrin” të mbush shpirtin me atdhedashuri, të dhuron kënaqësi estetike të paprovuara, të shton krenarinë e të qenit shqiptar, e më shumë të bën të ndjehesh më pranë mëmës-Shqipëri. Mesazhet e krijuesve janë shtysë drejt së mirës, të bukurës, drejt virtytit dhe afrojnë dije bashkëkohore në fushën e pamasë të letërsisë e të artit. Gëzuar, me zë të lartë, pesëvjetorin revista prestigjoze “Pelegrin”. Urime për suksese më të mëdha në realizimin e misionit kulturor-artistik dhe historik, që tashmë është më se e konfirmuar. Urime-zemre përcjell dhe për poetin, shkrimtarin, publicistin dhe botuesin Nase Jani, falë punës së tij, deri në kufijtë e së pamundurës, vazhdon të ketë jetë revista “Pelegrin”!

Alush KURTI

Ravenna Itali, Maj, 2009




Para pesë vjetësh


Shfletoj numrin e ri të revistës sonë, “Pelegrin” dhe mendimi më shkon tek fillimet e saj, para pesë vjetësh. Miku im, Nase Jani, ky poet, prozator dhe publicist i njohur, atë ditë erdhi te Qendra Kulturore e Shqiptarëve në Pire me një “sihariq” të veçantë, që ishte më tepër dëshirë dhe ide, akoma e pa realizuar. Na foli për një revistë, që do të mund të realizohej e të botohej, falë mirësisë së lindur dhe vullnetit të organizuar të talenteve. Në projektin e Nases nuk mungonin shkrimtarët në emigracion, penat e dëgjuara të letrave shqipe, korifenjtë e letërsisë botërore dhe as talentet e reja. Ai gjeti mbështetjen tonë dhe revista u mundësua të bëhej realitet. Pelegrini duhej të lindte. Pelegrini lindi dhe u bë pesë vjeç. Ky djalë i mbarë kërkohet në të pesë kontinentet. Ai ka moshën e mençurisë dhe të dashurisë së njerëzve të dijes. U rrittë sa të ketë jetë, Pelegrini ynë!

Sotir ATHANASIU

Athinë, maj, 2009




Si një çerdhe që mbledh zogjtë


Kështu e mendoj revistën “Pelegrin” , si një çerdhe që mbledh zogjtë, pelegrinë-shtegtarë. Kjo fjalë-simbol, më sjell ndër mend vitet e fantazisë së fëmijërisë, në brigjet e kaltër të Jonit... Gjatë ditëve të vjeshtës, s’ia ndaja sytë qiellit. Merrja pas zogjtë fluturues, që shtegtonin larg, shumë larg... në kërkim të vendeve të ngrohta që të ndërtonin çerdhet e jetës. Mezi e prisja pranverën...

Me zogjtë shtegtarë, miq të fëmijërisë sime, dua t’i krahasoj krijuesit emigrantë, që kanë bashkuar frymëzimin e tyre tek çerdhja e revistës “Pelegrin” .

U bënë pesë vjet, që kjo misionare e dijës dhe e përparimit, mbledh në gjirin e saj shumë e shumë krijues, të shpërndarë nëpër botë, duke krijuar “botën” e saj të mençurisë e të bukurisë shpirtërore. E uroj revistën tonë “Pelegrin” për misionin e saj fisnik, që po kryen!

Odhise I. GORO

Kalithea, maj, 2009



Pelegrinë në të pestë kontinentet...


Në këtë jetë që të gjithë jemi pelegrinë në lëvizje, madje edhe kur ecim brenda vetes sonë, për tê ndriçuar qoftë edhe ndonjë cep të errët të shpirtit të drobitur nga streset e kohës. Do të uroja me gjithë zemër, stafin tuaj të mrekullueshëm i cili ka marrë përsipër këtë mision sa të hijshëm, aq edhe fisnik duke grumbulluar dhe botuar autorë shqiptarë që gjithsesi janë vërtetê pelegrinë në të gjithë vendet ku ndodhen, në të pestë kontinentet.Ndjehem i lumtur njëkohësisht që po më jepet mundësia të uroj njerëzit e mirê që mendojnë për pavdekësinë e kulturës dhe gjuhën e bukur shqipe.

Pune të mbarë vëllezër. Jetë të gjatê "Pelegrinit"

Agim BLLOSHMI

Gazetar – Shqipëri

Qershor, 2009



Të nderuar kolegë


Me rastin e 5-vjetorit të themelimit të revistës suaj letrare "Pelegrin" ju uroj suksese të mëtejshme profesionale në krijimet tuaja të ardhëshme në faqet e saj!

Me konsideratë, Arben LAGRETA
Kryetar i Unionit te Gazetarëve Shqiptarë

Dega Rajonale e Prefekturës së Shkodrës

Shkodër, prill 2009







VLERA QË KORRESPONDOJNË ME KOHËN

Për Klubin “Drita” dhe Revistën “Pelegrin”, nuk mund të përmbyllësh mendimin as edhe me një bjeshkë fjalësh e përgëzimesh. Sikur fitohet përshtypja se ke të bësh me një organizim shumëvjeçar, e jo me kaq pak vite, por që rrezatojnë një horizont kaq të gjerë, duke na sjellë gjithë botën shqiptare në një vend, në një web-faqe dhe në një brendësi kopertinash, ku bota letrare, shpirtërore dhe intelektuale frymojnë shqip. Edhe në ndonjë shkrim tjetër, por edhe me rastin e pesëvjetorit tuaj, si dhe me rastin e konstituimit të kryesisë së re, ndaj të njëjtin mendim, të njëjtat dëshira dhe përgëzime. Nuk ka çka i shtohet fjalë tjetër miradie këtyre vlerave dhe rezultateve të stafit, bashkëpunëtorëve dhe anëtarësisë së gjerë, kontributet e të cilëve korrespondojnë ngushtë me zhvillimet mbarëshqiptare kudo në botë, duke afirmuar vlerat kombëtare dhe kulturore me përkushtim. Me dëshirat më të mira që puna dhe rezultatet tuaja të jenë shekullore uroj që përvjetorët tjerë t’i kurorëzoni edhe me shumë suksese tjera, me rritje të numrit të anëtarësisë, me botime dhe shtrirje të aktiviteteve në gjithë planetin, që në fakt është edhe synimi i këtij klubi, meqë bashkon krijuesit letrar të kudondodhur nëpër botë.

Xheladin MJEKU

Urime për Pelegrinin....4


SIKUR TË ISHA DHE UNË 5-VJEÇAR!...
(Në moshën e “Pelegrinit” tonë)

...Do të mbetet përherë një ëndërr dhe dëshirë, që edhe pse e dimë se është e pa realizueshme, na i freskon fantazinë. Tani, që vitet na morën dhe na hodhën në shpinën e kërrusur të gjysmës së dytë të jetës, nostalgojmë më tepër, duke u ndalur tek numri më i dukshëm, pesë... Sot, ky numër fëminor është horizonti i një ditëlindje të madhe ëndrrash, mendimesh dhe idesh, sintetizuar në një vigan fluturues, me emrin Pelegrin, revistë letrare dhe artistike, që fluturon me flatrat e qindra krijuesve të mirëfilltë, në të katër anët e botës...
U bëfsh dhe 105 Pelegrini ynë. Vitet e jetës për Ty, janë vitet tona, ëndrrat tona dhe përkushtimi ynë. Paçka se koha na shpërndau në korente të ndryshme, Ti i madhi i sotëm: 5- vjeçar, na mbledh, na grushton në folenë tënde të madhe, të krijimit dhe dialogimit, duke na dhënë dhe përforcuar dashurinë kombëtare dhe qytetërimin kohor.
Në shijen e gjuhës sonë kaq të vlerë, Ti gatuan dashuri dhe unitet, me hapësira dritash në porta ëndërrimi.
Kur uroj për Ty, ndjej se fluturoj me të gjithë ata që na bashkojnë ëndrrat!...

LUAN XHULI
Athinë, maj 2009


I nderuar Thanas!


Para pesë vitesh me miqtë e tu nisët një rrugë të re, të vështirë por të mrekullueshme. Botimi i revistës "Pelegrin", ishte një sakrificë sublime juaja. Ashtu si njerëzit që në kohë të caktuara shkojnë në vende të shenjta edhe ju, nisët pelegrinazhin me këtë revistë letrare-kulturore. Është bukur dhe fisnikëri, kur shkon në vendin fqinj për një jetë më të mirë, duke u gjendur në udhëkryqet e jetës, mes vështirësish nga më të ndryshmet, vë në dukje vlerat kulturore dhe intelektuale të vendit tënd. Ju dhe të gjithë shqiptarët që fati ju çoi në vende të ndryshme të rruzullit tokësor, që punoni për të njohur Shqipërinë, historinë, kulturën tonë kombëtare, për mua jeni ambasadorë të kulturës sonë që rrisni prestigjin e Shqipërisë në botë. Revistës "Pelegrin", juve, stafit të revistës dhe Klubit të Shkrimtarëve "Drita", ju uroj suksese dhe jetë të gjatë në këtë Pesëvjetor!


Vilhelme Vranari Haxhiraj

Vlorë 29/4/2009



URIM PËR “PELEGRININ”


Dëshiroj të përshëndes pesëvjetorin e revistës “Pelegrin” si një titull tashmë të depozituar e të mirënjohur shkrimesh periodike me vlera të mirëfillta për letërsinë moderne shqiptare. Përbën një publikim dinjitoz me karakter panoramik pasi në numrat e saj gjen të pasqyruara problematikën shpirtërore të dhjetëra shkrimtarëve, poetëve apo gazetarëve të mirënjohur të vendit, ku deviza e tyre e përbashkët pasqyrohet në faktin se arrijnë të shkruajnë me mjeshtëri në një botë letrare të lirë e të pavarur. Është një revistë e gjallë dhe e zjarrtë pasi gjen shkrime, artikuj, kronika, përkthime, tregime, poezi, ese, etyde, materiale të pabotuara, publikime e ilustrime të shumëllojshme...

E uroj nga zemra këtë gjithë-përpjekje kolektive të artit kontemporan të administruar me mjeshtëri prej dy zotësh të mrekullueshëm shtëpie, artistë të mirënjohur në letërsinë shqipe si Ilirjana Sulkuqi e Nase Jani.

Duke dashur të mbyll këtë përshëndetje të shkurtër, do të shtoja se asnjë përvjetor në botë nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të qe në gjendje të ngrinte ura drejt të ardhmes... “Pelegrini” ky udhëtar i palodhur e zbulues shtigjesh të panumërta shpirtërore, nëpërmjet anëtarëve të tij të zellshëm me sa duket e garanton këtë vijueshmëri të suksesshme në kohë. Secili prej tyre gëzohet në darkë kur perëndimi është i kuq. Dhe nuk dekurajohet në mëngjes nëse bie shi... ndofta duke e konsideruar si një element qiellor, i cili do ta ndihmojë, në mënyrë që rruga e tij të jetë pa vapë e pluhur të shumtë...

Robert MARTIKO

Korfuz, maj, 2009



Përshëndetje z. Nase!

Përshëndetje znj. Iliriana!


Pranoni urimet tona më të mira për Ju dhe stafin tuaj të mrekullueshëm, të shpërndarë kudo në botë, nga puna e përkushtuar që bëni, u shohim diku bashkë kokë më kok, për t’i sjellë lexuesit gjuhën e ëmbël shqipe.

Kur e kemi lexuar për herë të parë “Pelegrinin” jemi befasuar nga larmia e materialeve, kjo ishte puna juaj e palodhur, me dashuri, e papaguar.

Ta gëzojë 5-vjetorin e ditëlindjes dhe vazhdoftë rrugën që tashmë e ka mësuar, duke çarë dete dhe oqeane, kapërcyer kodra dhe male, për t’u gjendur në vatrat e ngrohta, ku flitet shqipja e bukur.

Me respekt Julia dhe Thanas GJIKA

Boston, maj 2009




Përshëndetje dhe urim shkrimtarit dhe botuesit Nase Jani dhe stafit të revistës “Pelegrin” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane


Vorbullës së kohës, paralel, me shqetësimet, ndalojmë diku dhe prej syrit tonë, gjer në horizont vështrojmë pesë dete, pesë male, në të katër anët e tij të mbushur e të lartësuar me patriotizëm, me dashuri, me art, me dhimbje e sakrificë. Përkushtim i rrallë historik.

Ju duam dhe ju kemi zili për mirë. Patjetër nga bleta do të nxjerrësh mjaltë. Të jesh me ju do të thotë të jesh me Atdheun. Ndaj jemi krenarë për miq të tillë(vëllezër të një gjaku, si ne dhe gjithë organizmat kulturore nëpër botë). Brenda Pelegrinit kemi emra që bëjnë rezonancë. i njohim sepse i jetojmë sakrificat, sidomos tuajat. Kjo ju jep më tepër forcë gjallëruese, më shumë respekt dhe mbështetje morale. Gurët e mëdhenj i lëvizin njerëz të fuqishëm.

Ju keni provuar vështirësi dhe sakrifica, urrejtjen, smirën dhe xhelozinë e të huajve, por keni triumfuar sepse gjenerator keni dashurinë për Atdheun dhe Fjalën Shqipe, mirënjohjen dhe respektin për njeri-tjetrin, për miqtë dhe lexuesit në të katër anët e botës. Ju njohim nga veprat tuaja dhe ju urojmë shëndet dhe suksese në këtë harmoni të rrallë shpirti dhe pene. Urim dhe falënderim të veçantë, poetes Iliriana Sulkuqi, kryeredaktore e revistës Pelegrin dhe anëtares së komunitetit tonë këtu në Kontinentin e largët. E dimë që ajo s’do t’i mbajë për vete këto urime. Do t’ua nisë të gjithëve ju. Zemra e saj është e madhe vetëm për miqtë. Kur vlerësimet bëhen për atë, zemra e saj i mbyll dyert.

Përshëndetje vëllazërore, të dashur miq, kolegë dhe krijues dhe jetë të gjatë dhe me sa më pak vështirësi “Pelegrinit” tuaj, “Pelegrinit” tonë!

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane


Presidenti : Adnan MEHMETI

Kryetari: Dalan LUZAJ

SHBA, maj 2009




Z. Nase,


Ju përshëndes për punën që bëni si staf për cilësinë e revistës (ndoshta pa teprime) nga më cilësoret për mua, "Pelegrini". Ju uroj për 5-vjetorin e saj. Na dhurofshi edhe në vijimësi Pelegrinë të tillë.


Miqësisht, Fation PAJO

SHBA, maj 2009