Vjen nga Pelegrin-1
(2004)
Robert Zhvarc
Përgjegjësia
ndaj gjuhës shqipe...
Revolta dhe amaneti
i intelektualit të shquar
Ndodhesha në Tiranë në ato ditë marsi 2003. Që kur u nisa nga Athina më mundonte pyetja: Do mundja dot të bëja një bashkëbisedim me njeriun e shquar të letrave, poetin dhe përkthyesin Robert Zhvarc? Qysh nga rinia ime më pëlqenin poezitë-ujëvarë që shkruante dhe veças përkthimet e mjeshtërve të mëdhenj: Gëte, Hajne, Breht, Shiler, Remark, Cvajg etj.
Dhe jeta e tij me punë të mira e me vlerë është shpërblyer me titujt e nderit: “Mjeshtri i Madh i Punës”, “Qytetar Nderi” i Tiranës, deri mbajtësi i Kryqit të Meritës, dekoruar nga presidenti gjerman... Por shpërblimi më i madh për jetën e tij është çelja e dyerve të kujtesës për të mos i mbyllur kurrë...
Ngrita receptorin, formova numrin ...64067 dhe u prezantova. Zonja Zhvarc m’u përgjigj nga ana tjetër e telefonit. Kërkova Profesorin. Pas disa çastesh dëgjova zërin e tij.... Një zë i ngrohtë, i avashtë, që i bënte fjalët bindëse e të respektuara. Ishte hera e parë që flisja me “shqiptarin e madh” pa e ndjerë se ishte edhe hera e fundit... Edhe pse i sëmurë, nuk e justifikoi veten për të mos pranuar bashkëbisedimin. Ishte ditë e mërkurë, 19 marsi, ora 10 e 30 minuta. Kur ndjeva mikpritjen e zërit i fola shkurt për Klubin e Shkrimtarëve “Drita” në Athinë, duke ndjerë më tepër nevojën që ta dëgjoja...
-Do takohemi e do të flasim, po t’ju bëhet: pasnesër në orën 11-të, veç këtu afër...
E kuptova “sakrificën” që po bënte Profesori. E falënderova për mundësinë që më dha... Dhe mezi prisja të premten e asaj jave. Formova përsëri telefonin e familjes Zhvarc. U dëgjua një zë i panjohur. Ishte djali i Robertit i ardhur nga larg, për t’i qëndruar pranë të atit. Robert Zhvarc ishte nën kontrollin e mjekëve... I urova djalit shërim të shpejtë për babanë dhe...
25 prilli më gjeti në Athinë, ku isha i detyruar të shkruaja ngushëllimin:
“Klubi i Shkrimtarëve “Drita” i shpreh ngushëllimet më të thella gruas dhe djalit të intelektualit të shquar Robert Zhvarc, për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, për humbjen e përkthyesit të pakrahasueshëm të veprave më të njohura të letërsisë botërore.”
Nase JANI
“Gjuha shqipe ishte dhe është dashuria ime më e flakët.”
R. Zhvarc
Nuk ma do mendja se më përket vetëm mua që t’jua kujtoj bashkëkombësve të mi se gjuha është indediteti i një kombi, pasaporta e tij me të cilën ai paraqitet në botë. Kjo është thënë e stërthënë, është vërtetuar e stërvërtetuar. Megjithatë një rikujtim i kësaj të vërtete absolute nuk do t’i bënte keq një pjese mjaft të madhe të asaj armate të pafund gazetarësh dhe gazetarkash, të cilët me një arrogancë, mendjemadhësi dhe mospërfillje skandaloze, po e përdhosin përditë e mëshumë, thuajse në të gjitha mediat, gjuhën tonë të bukur dhe unikale amtare. Ndoshta ata nuk e dinë se ka kombe(dhe jo vetëm një e dy, por disa) të cilët gjatë mijëvjeçarit të tërë e kanë ruajtur brez pas brezi gjuhën e tyre, të folur dhe të shkruar, duke i bërë ballë në mënyrë të admirueshme asimilimit apo shfarosjes dhe përndjekjeve nga ana e fqinjëve të tyre pushtues dhe oreksmëdhenj. Dhe, për fat të mirë, njëri nga këto kombe është edhe kombi shqiptar. Gjithashtu, ndoshta, ky brez kalemxhinjsh të vetëkënaqur (nuk kam si t’i quaj ndryshe ata që, madje, me “fakultet„ filologjie apo gazetarie) nuk kanë as njohuritë elementare të gramatikës, morfologjisë, sintaksës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pastaj (a s’është për të qeshur?!) dëgjojmë gjithandej se filan fëstëku “zotëron„ tri a katër gjuhë të huaja, të cilat “ i than „ me gojë e me shkrim! Si ka mundësi, si i ka mjaftuar koha dhe vitet e pakta që mban mbi kurriz “ta thajë„ anglishten, italishten, gjermanishten, apo ndoshta edhe kinezçen, kur nuk e zotëron ashtu siç duhet as gjuhën e vet amtare, ndaj së cilës ka edhe një përgjegjësi tjetër morale dhe etike sepse me atë pretendon të nxjerrë bukën!!!
Snobizëm dhe dritëshkurtësi
Unë, që jam ulur t’i hedh në letër këto radhë, jam shumë i mllefosur. Jam i mllefosur, i mërzitur dhe me gjak të prishur, ndonëse këto nuk m’i lejon gjendja ime tepër e rënduar shëndetësore, sepse prej kohësh prisja që të binin kambanat e alarmit për këtë krim ndaj gjuhës sonë. E prisja nga Akademia e Shkencave, nga Instituti i Gjuhësisë, nga katedrat filologjike të universiteteve tona të shumtë, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga mësuesit shëmbullorë dhe vetmohues të gjuhës shqipe në shkollat e të gjitha niveleve. Por kambanat nuk ranë dhe ende nuk po bien... Dhe, në qoftë se unë po i bie tani kësaj kambane, dëshiroj që zëri im të mos mbetet një zë në shkretëtirë. Mendoj se për këtë kam një farë të drejte, për një gjysmë shekulli kam dhënë ndihmesën time për gjuhën tonë amtare, e cila ishte dhe është dashuria ime më e flaktë. Pra, që të kthehem te thelbi i çështjes: A e ka dëgjuar ndonjëherë ky brezi i ri i “njerëzve të penës „ se në vitin 1972 është mbajtur në Tiranë “Kongresi i drejtshkrimit dhe i gjuhës së njësuar letrare shqipe „ kongres në të cilin kanë marrë pjesë dhe e kanë miratuar edhe vëllezërit kosovarë, madje duke qenë nën thundrën e rëndë të serbëve?! Fakti që ata ndoshta nuk kishin lindur ende në atë kohë, nuk do të thotë kurrsesi që ata të lejohen të bëjnë diellin dhe shiun dhe të fshijnë, madje, veprën e lavdishme dhe plot sakrifica të Rilindësve tanë të mëdhenj! Në emër të cilit “mision iluminist » veprojnë kështu ? Në emër të modernizmit, të snobizmit, të dritëshkurtësisë! Apo (siç dëgjojmë shpesh) me pretendimin se ai Kongres na qenkej mbajtur në epokën e PPSH dhe tani duhet të konsiderohet i paqenë, tani gjuha duhet t’u përshtatet kohëve moderne, duhet varrosur përgjithmonë parimi fonetik i shqiptimit të emrave, duhet të mos respektohet fare lakimi i emrave në rasat emërore, gjinore, kallëzore, dhanore etj., duhet të huazohen modelet e anglishtes apo të italishtes, sepse janë gjuhë më dinamike, më elastike, më praktike se ajo jona ?! Me sa di unë, as Rilindësit tanë, patriotë të kulluar, as Naim Frashri apo Kristoforidhi, as Konica apo Noli dhe as Xhuvani apo Çabej, pra, e gjithë ajo plejadë që i vuri themelet e shëndosha gjuhës shqipe, nuk kanë qenë ndonjëherë « anëtarë të PPSH ». Atëherë, nga na vjen gjithë kjo përbuzje dhe gjithë ky nënvleftësim për veprën e tyre të lavdishme ?
Rreziku që kërcënon
Dëgjojmë, për shëmbull, spikerët e TV-ve dhe të radiove si edhe gazetarët e medias së shkruar të thonë apo të shkruajnë pa të keq: DEKLARATA E ARAFAT (dhe jo Deklarata e Arafatit) ; TAKIMI I BUSH ME PUTIN (dhe jo Takimi i Bushit me Putinin) ; NJË GRUSHT I RËND PËR BIN LADEN (dhe jo Një grusht i rëndë për Bin Ladenin), SIPAS BLER (dhe jo Sipas Blerit), .. mund të vazhdoja me qindra e qindra shembuj të tjerë, por besoj që edhe me kaq kuptohet se ç’dua të them… Nuk dua të ndalem fort gjatë as me zëvendësimin e shqipes me fjalë të huaja, sepse për këtë problem ka vite që bien daullet, por askush nuk do t’i dëgjojë. Këto fjalë janë për shembull të tipit MOMENTI (në vend të ÇAST), EVENIMENT ; në vend të NGJARJE ; GJENERATË, në vend të BREZ, AGRAVIM ; në vend të RENDIM, APERTURË në vend të HAPJE, HYRJE, etj. Kam frikë se në vazhdofsha t’i rendis këto xhevahire, do të mbushej një fjalor i tërë me titull : « Fjalor i gjuhës moderne shqipe, i pasuruar me rreth 20000 fjalë të gjuhëve anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht etj.»
Jam i bindur se gjuha jonë shqipe nuk ka as më të voglën nevojë për kësilloj « pasurimesh ». Ajo e ka vërtetuar shumë e shumë herë se është në po atë lartësi të gjuhëve të huaja të ashtuquajtura « të mëdha ». Shtetet e mëdhenj mund të kenë me dhjetëra e dhjetëra dialekte, por kur vjen puna për gjuhën zyrtare përdorin vetëm një gjuhë të njësuar. Atje, çdo fëmijë i fillores e di fort mirë se ku duhet ta verë edhe presjen, pa le t’i lejohet të bëjë gabime trashanike gramatikore…
Shqiptarët pak se i ka zënë e keqja e madhe që fëmijët e tyre të shpërndarë nëpër botë, të moshës shkollore apo të porsalindur, nuk do ta mësojnë ndoshta kurrë gjuhën amtare, por tani i kërcënon edhe rreziku që, në vetë vendin e tyre, të flasin në gjuhë të bastarduar !
Apel për të gjithë!
Si fund desha të theksoj që, edhe nëse gjuhëtarët tanë të shquar nuk janë në mes nesh, nxënësit e tyre të denjë janë ende gjallë. Prandaj dëshiroj t’u drejtoj një apel të gjithë mësuesve të të gjitha kategorive të shkollave, të gjithë trupit pedagogjik të universiteteve tona, Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhësisë, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës që të japin kushtrimin dhe të mos e lejojnë më tej masakrimin e gjuhës shqipe. Ata duhet ta shfaqin medoemos opinionin e tyre, përpara se të jetë tepër vonë, përpara se ky masakrim të sjellë me vete pasoja të paparashikueshme ! Në qoftë nevoja, mund t’i drejtohet një peticion edhe Presidentit të Republikës apo Kryeministrit për ndërmarrjen e saksioneve sepse, fatkeqësisht, në këtë vend të bekuar, ku demokracinë ende e ngatërrojnë me anarshinë totale, vetëm gjobat i sjellin në vete disa kokëbetonë, që më kujtojnë tri vargjet e paharruara të Bertold Brehtit :
« Nga tigrat mund të shpëtoj,
Me gjakun tim ushqeva çimkat,
Por kokën ma hëngrën mediokrit ! »
(Botuar me pak shkurtime)
No comments:
Post a Comment