Vjen nga Pelegrin 2
Robert Bërns,
poeti më i madh i Skocisë
(250 vjet)
Poeti është lindur para Adamit,
e vdes në botën e së padukurës,
e tretet në lotët e fluturës...
Nase Jani
U lind më 25 janar 1759 dhe vdiq në moshën 37 vjeçare, më 21 korrik 1796
Po të mos zotëroj motivin, po të mos e këndoj atë, aq sa di të këndoj, unë nuk mund të shkruaj vjersha…
Robert Bërns
Kur doli libri i tij i parë, më 31 korrik 1786 me titull pak të çuditshëm: “e fermave, paratë e fituara me shumë punë e djersë, shpesh herë i shpenzonin vetëm për të blerë librin e Bërnsit”. Për poetin shkruan revistat e Edinburgut Poezi më shumë në dialektin skocez” në qytezën Kilmarnok “Argatët dhe shërbyesit e të Londrës, duke bërë bujë të madhe për lindjen e një këngëtari të çuditshëm, pa pasuri e pa shkollë...
***
Në vite dashuria nuk u plak
dhe zemra nuk e treti zërin tënd,
prano një përshëndetje që nga larg,
një miqësi që s’njeh as kohë as vend...
“Edhe aristrokatët dhe pasanikët nëpër sallone e pallate flisnin për poetin-plugar rreth filxhanëve të çajit dhe rreth tryezave të bixhozit. Ndërsa zonjushat dhe zonjat mezi prisnin ditën kur të piqeshin me këtë të famshëm...”
Diku në një hotel takoi edhe romancieri i madh Valter Skoti, pesëmbëdhjetë vjeçar, që i dinte përmendësh të gjitha vjershat: Për këtë më vonë Skoti shkruan: “Në gjithë figurën e tij ndiheshin mendimi dhe forca, edhe vetëm sytë e jepnin temperamentin dhe natyrën e tij poetike... Kurrë në jetë nuk kam parë sy të tillë, megjithëse jam takuar me njerëz nga më të shquarit e kohës sime. Fjala e tij rridhte me liri të plotë dhe me besim pa edhe më të voglën vetëkënaqësi apo vetbesim...Vjershat e veta ai i recitonte pa u shpejtuar. Me shprehje dhe me forcë të madhe, po pa asnjë deklamacion apo teatralizëm. Në kohën e recitimit qëndronte me fytyrë nga dritarja dhe nuk vështronte nga dëgjuesit, por andej larg...”
Meri Merisan
O Meri, eja në dritare,
është ora jonë e dëshiruar!
Ç’kushtojnë mijëra thesare
përpara syve të adhuruar!
Mundim të madh do të duroja,
si skllavi që duron i strukur,
kur zemrën tënde ta fitoja,
moj Meri Merisan e bukur!
Dje me muzikë e me vjoli,
ndër djem e vajza kërcimtare,
mendimi im më shkoi tek ti,
unë isha atje, por s’ndjeja fare:
kish fort të bukura ndër to,
kish plot me nur sa s’bëhet më,
por unë thashë: nuk ka jo
si Meri Merisan, asnjë!
O Meri, do ti ta mundosh
Atë që zbret për ty në varr?
Do shpirt e zemër t’i copëtosh
Për fajin se të do me zjarr?
Në s’m’ë pranon si dashuror,
trego për mua pak mëshirë!
Ti s’mund të kesh një shpirt mizor,
moj Meri Morisan e mirë…
Përktheu: Lasgush Poradeci
Findlej
-Po kush me shkop në xham troket?
“S’do mend që jam Findlej!”
-Shtëpia fle dhe s’ka lezet!
“Nuk fle!” i tha Findlej.
-Po si guxon këtej të vish?!
“Guxoj!” i tha Findlej.
-KI mendjen, punën mos e prish!
“E prish!” i tha Findlej
-Dhe po të lashë në shtëpi...
“Më lër!” i tha Findlej.
-Të gjen mëngjesi në gosti!
“Më gjen!” i tha Findlej.
-Sikur të gdhihem tok me ty...
“Me mua!” tha Findlej.
-Sërish ky shteg ta bën me sy.
“Ma bën!” i tha Findlej.
-Dhe ç’do punoj me ty qyqar...
“Puno!” i tha Findlej
-Ta mbyllësh gojën gjer në varr.
“Ashtu!” i tha Findlej.
Një mik të ndershëm
Një mik të ndershëm dhe një gotë,
Gjë tjetër ç’të kërkoj?!
Gjithë hallet që ka zuska botë
Me mjegull t’i mbuloj...
Gëzimi rrugës na ndjek hapin,
Veç lumturia hesht...
Ajo na fshihet dhe s’e kapim,
Mbi të s’kemi pushtet...
Shënim mbi një kartëmonedhë
Mallkuar qofsh,
kartë e zhubrosur,
më ke dërmuar, handakosur,
nga vajzë e dashur më ke ndarë,
të dehur më ke hequr zvarrë,
siç e ke hequr çdo të ndershëm,
në robëri, mundim të tmerrshëm!
Kam parë epshin e xhelatit,
që djersë e frymë i merr të vrarit...
Këtë të poshtër dora ime
e bënte hi, e bën thërrime...
por ti, moj letër e zhubrosur
i jep pushtetin e pasosur...
Ndaj unë i gjori, vendin tim
e lë dhe nisem në mërgim...
Lordi Selkerka shtroi një drekë për Poetin. Para fillimit të drekës i tha të këndonte një lutje nga Bibla. Robert Bërns, me vështrim nga dritarja, si zakonisht, në vend të Biblës këndoi një vjershë të të ngritur në çast për atë drekë:
“Gjithë ata që kanë ç’hanë,
Nuk u hahet dhe nuk hanë,
Por ata që s’kanë ç’hanë,
Kanë uri dhe bukë s’kanë...
Kemi gjëra për të qënë,
Por s’na lënë për të ngrënë,
Ndaj dhe s’kemi se ç’të bëjmë,
Lusim Zotin domethënë...
Epigrame
Kjo kishë është akull i vërtetë,
por akullnajë është prifti vetë...
Ah, mbase ngrohet në skëterrë
ta gjej të ngrohur tjetër herë...
***
Që nga Adami gjer sivjet
e patën fajin gratë...
Ajo që kish mbi ty pushtet
ish nën pushtet tek djajtë...
***
Kusarë e horra, bij të kurvërisë,
lirinë e shajnë e flenë sipër glasës..
Por kur gjeniu armik i del lirisë,
ai patjetër bëhet vetvrasës...
***
-Përse kur fejohen në kisha të rinjtë
në unazat e arta i futin gishtërinjtë?
Më pyeti kurioze një mike.
Mos mbetsha buf mes bisedës
ia ktheva mikes nazike:
-Ah, ka dashuria mjaft forcë elektrike
dhe ari shërben si përcjellës...
Duke e përkëdhelur qenin e tij Lvati, Robert Bërnsi thoshte:
-Sikur të gjeja një vajzë që të më donte me aq besnikëri sa ky qeni im!
E dëgjon e shoqia e tij Xhini dhe qeshi:
-E, a e gjete ndonjë vajzë që të të dojë sa të do qeni yt?”
Dhe nga shtëpia e tij e re që ndërtoi në Elislend shkruan: “Tani jam banor i vetëm i shtëpizës, i kësaj foleje të përkohshme. Ajo është e hapur për të gjitha erërat nga janë e nga s’janë dhe për të gjithë shirat nga bien e nga s’bien... dhe valët e erërave dobësohen vetëm ngaqë duhet të hyjnë në vrimat e panumërta të mureve. Nuk ftohem ngaqë më mbron tymi mbytës... Xhini do të vijë kur shtëpia e re të jetë gati... Natyrisht nuk është pallat, por bëhet një banesë e thjeshtë dhe e rehatshme...”.
***
O ti, që poezia vend s’të fali,
të zboi në djall, s’të pa me sy as proza...
Dëgjon si shahet ashpër Marciali:
“Ky krejt më vodhi, unë u sakatosa!”
***
Kur piqemi, pse skuqesh mik i vjetër?
E di se je një buf me brirë dhe horr...
t’i dha këto merita ndonjë tjetër
ti s’je fajtor!...
***
Do balsamosnin shokët kapitenin,
që krimbat mos e hanin pak nga pak...
Po njëri tha: “Ai në mish mban helmin
Dhe krimbat rrinë larg...”...
Përktheu: Dritëro Agolli
No comments:
Post a Comment