5 – vjet Pelegrin
Vjen nga Pelegrin 4
Poet, përkthyes, studiues i letërsisë...
Friedrich HÖLDERLINI...
(1770-1843)
Më parë themi Holderlin e pastaj Gëte, por më parë Hegel e pastaj Holderlin
Holderini është poet e filozof, eseist dhe dramaturg i lartësive viganore të Eskilit e të Sofokliut, të Shekspirit e të Ibsenit.
Luis Sernuda (Poet i madh spanjoll: 1904-1963)
Holderlini është një nga poetët më të mëdhenj të të gjithë shekujve, i pangjashëm në kohën e vet me asnjë tjetër.
Stefan Cvajg
“ Holderini është mburrja jonë më e madhe. Ai është ylli më indritur i gjenisë së shpirtit prometian gjerman. Ai është prekursori më i madh e gjenial i një mendësie krejtësisht të re, i një arti e i një kulture krejtësisht të re
që s’është hibrid i kulturave të tjera, por që mbështetet fuqishëm në truallin tonë kombëtar”.
Fridrih Niçe
As Hajneja dhe as Gëtja nuk janë poetët më të mëdhenj të Gjermanisë. Më i madhi nga të gjithë është Holderlini...
Lasgush Poradeci
* * *
Sa herë që shkoj në Tiranë nuk mund të mos takoj Njeriun Mendjendritur, Perikli Jorgonin. Kjo ndodh jo vetëm se kam respekt për profesorin tim të letërsisë, por më tepër se të pish një “kafe” me të, hipën e zbret nëpër kataraktet e dijeve letrare, takon personazhe, të njohur e të panjohur (që gjithmonë të duken të rinj), e harron jetën e përditshme kalendarike (sikur edhe për disa orë) dhe jeton në botën e “Fjalës e të mendimit”. Dhe profesor Perikliu më çoi tek Holderini i madh...
Nase Jani
E mrin e Holderinit e kam ndeshur së pari në një ese të profesor Eqrem Çabejit, kushtuar analizës së poezisë lirike të Lasgush Poradecit. Në këtë ese Holderini vlerësohej si poeti më i madh gjerman që ka ushtruar ndikimin më të fuqishëm në zhvillimin e gjithë
letërsisë europiane nga modernizimi dhe, për poetin tonë ka qenë një yllrrëfyes nëpër të gjithë udhën drejt artit të madh.
Nga afër me Lasgushin jam njohur rastësisht dhe ishte ky takim fatlum që më shtyu më me vrull drejt thellësive të letërsisë gjermane e të vetë Holderrlinit, me gjithë atmosferën mirëdashëse që ishte ngulitur në shpirtin e gjyshit Hilë Mosi, i paripërkthyes i letërsisë gjermane dhe europiane në gjuhën shqipe, si dhe të babait, që kishte marrë doktoratën në Grac të Austrisë dhe jetonte në një rreth miqësor me korifejtë e mendimit e të shkencës shqiptare si E. Çabejn, L. Poradecin, M. Kutelin, S. Luarasin. A. Budën, K. Malokun, ixhinier Gjadrin, Dr. Shirokën, H. Dibrën e H. Zymën dhe që ishte universal dhe i pasionuar pas filozofisë dhe artit sa shpesh endjeja veten ngushtë përballë gjykimit e analizave të tij të thella e preçize, megjithëse mbaroja studimet e larta në degën Letërsi-Filologji dhe lexoja në disa gjuhë europiane.
Ndodhi që babai të më dërgonte të takoja Lasgush Poradecin dhe t’i jepja një paketë me ilaçe që gjendeshin me zor, për Kostandinën, e cila atë kohë ishte e sëmurë dhe me ethe. Lasgushi më priti në studio. I veshur me gëzof e me pantofla në këmbë. Më buzëqeshi e më tha i gëzuar:
“Më ka falur zoti një vajzë që i ngjan nënës sime, që e kam dashur shumë, prandaj e shqetësova dhe Doktor Jorgonin me shqetësimin tim... Por, për të të gëzuar, do të të jap të lexosh në shqip Hajnen, që pritet të botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në tre vëllime. Hajneja është i ëmbël si mjalti dhe i hidhur si pelini... Pse flas kështu? Pse Hajneja qenka dhe mjaltë dhe pelin? Shpesh poetët janë të tillë, një përzierje e dehjes para të bukurës e të madhërishmes dhe e helmit që u shkakëtonte realiteti... Ironia e mprehtë që vihet re në poezinë e Hajnes, kaq e vetvetishme dhe e pazakontë, është shpesh, shfrimi i dhimbjes dhe i pakënaqësisë. Hajneja tallej e
qeshte që të mos qante e të mos bëhej sentimental. Dhe ti mund të më pyesësh me të drejtë: ku e gjente forcën shpirtërore që të mos qante dhe përpara dhimbjeve dhe dramave të dhimbshme?! Kjo duhet kërkuar dhe në karakterin prej Prometeu të vetë popullit gjerman... Por as Hajneja dhe as Gëtja nuk janë poetët më të mëdhenj të Gjermanisë. Më i madhi nga të gjithë është Holderlini, një poet pothuaj i panjohur në kohën e vet, që vdiq i çmendur... Vdiq i çmendur si dhe Eminesku, sepse ishte më tepër poet nga ç’duhej të ishte, sepse e përjetonte në mënyrë të fuqishme gjithëçka. Vuante për hallet e brengat e tërë njerëzimit... Kështu janë mbrujtur artistët e mëdhenj... Tani të shkojmë tek Hajnri Hajne...”
Pa pritur Lasgushi hoqi nga këmba pantoflat dhe eci ngadalë, me elegancë e shkathtësi drejt sënduqeve që kishte pranë dritareve të mëdha, në përvazet e të cilave kishte vënë mollë e ftonj nga kopështi i shtëpisë në Pogradec...
“Duhet të eci me ngadalë që të mos e zgjoj nga gjumi Hajnen... Ka mote që fle gjumin e vdekjes, por shpirti i tij regëtin i gjallë nëpër fletët me vjersha të kthyer në një gjuhë ballkanike. Bën sikur fle, por është i gjallë...”.
Më erdhi për të qeshur, por mbeta i mahnitur nga ato lëvizje të hijshme, nga ato fjalë dhe ritual si prej magjistari. Lasgushi, përpara syve të mi dukej si ai magu zemër-flori dhe i butë si fëmija i përrallave, që m’i tregonte aq bukur e me pasion gjyshja ime, nëna e babait, sa më bënte të përjetoja gjithçka që më rrëfente... Kjo më afroi menjëherë me Lasgushin. Kalimi aq natyrshëm nga situatat reale në ato fantastike. Këto dyzime Lasgushi i përjetonte gjithmonë. Ai ishte një poet gjenial i lindur, me ndjeshmëri të jashtëzakonshme e fantazi mjaft të begatë e të gjallë.
-Nga biblioteka ime mund të marrësh për të lexuar gjithçka, por Holderlinin nuk do të ta jap...
-Se kam frikë se ma humbet e s’do të rri i qetë pa të...
-Me që e dashke kaq tepër pse nuk e përkthen në gjuhën tonë dhe Holderlinin?
-Sepse Holderlini është një “grand dekadent” (këto fjalë Lasgushi i tha në frëngjisht). Me që e dua kaq tepër kam frikë se nuk do të mundem ta përkthej kurrë. Kështu më ndodh gjithnjë me dashuritë e më-dha.
-Po, ju zoti Lasgush, a jeni një “grand dekadent”?
Pyetja ime i pëlqeu. Më vështroi në bebe të syrit.
-Jo vetëm unë, por edhe ti, do të vish e të më kërkosh për të lexuar vetëm këta bij hyjnorë, që nuk ngjajnë aspak me taborrin e oborrtarëve e të daullexhinjve. A e di seç ka thenë në poezi njëri prej këtyre, gjermani Johan Beher: O mik i dashur, do të them dy fjalë, por mos u tut: Sa bukur është të rrish në bisht të nevojtores, pësipër të shohësh yje e poshtë, mut...
Ia shkrepa së qeshurës, sikur të ishim të një moshe e unë të isha një mik i afërt i tij... Lasgushi me njerëzit që e ndjente se e donin dhe e çmonin me të vërtetë, pasi bindej për dëlirësinë e zgjuarsinë e tyre, zhdukte çdo pengesë e largësi që i ndante. Ai dinte të bëhej mik i afërt e të të rrëfente në mënyrë mjaft të çiltër e mirëbesim dhe brengat e shqetësimet e veta, të përditshme dhe jo të pakta...
Më vonë Holderlinin ia kërkova dhe Brikenës (Çabej), me të cilën kam punuar, për një farë kohe, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. E fotokopjova dhe ia tregova librin e rrallë e të çmuar, babait të saj. Nëpër skedar5ët e Bibliotekës Kombëtare nuk gjendej asgjëkundi. Holderlini konsiderohej poet i nëmur, i papranueshëm për kodin estetik të Realizmit Socialist. Jam munduar ta gjeja në rusisht, por nuk e ndesha askund.
E lexova nga vitet ’80, të tërin në frëngjisht, me një edicion luksi të Plejadës. Tani e kam, pothuaj, të plotë në gjermanisht dhe me një aparat të pasur shënimesh.
Holderlini më shfaqet me tërë shumllojshmërinë e veprës së vetë gjeniale, si poet, si eseist e filozof, dhe si dramaturg i lartësive të korifejve të artit dramatik, dhe si romancier, dhe si përkthyes nga më të mëdhenjtë në letërsinë gjermane e botërore i Euridipit dhe Sofokliut, drejt përsëdrejti nga greqishtja e vjetër. Antikiteti i madhërishëm Helen tërhoqi dhe Gëten e Shilerin. Madje Gëtja përktheu përmes greqishtes Këngët e Epirotasve për Ali Pashë tepelenën, ndërsa Shileri, Euripidin ”Andromakën” dhe “Ifigjenën”, kurse nga Sekspiri: “Makbethin”...
Veprat e këtyre poetëve grekë i kam lexuar, pothuajse të plota. Madja kam në disa gjuhë poetët dhe filozofët që më pëlqejnë më tepër. Kjo jo për snobizëm. Unë s’jam aspak snob, por gjatë përkthimit, puna e njëhershme me po të njejtën vepër, ndikon në forcimin e cilësisë dhe të nxit e të ndrit udhën ku duhet të shkelësh... Mua më duket e vështirë dhe e pasigurt të përkthehet “Komedia Hyjnore” vetëm përmes italishtes, apo Homeri e Shekspiri, vetëm nga orgjinalet e tyre. Krahasimet të ndihmojnë në shpërthimet e orgjinalit, sepse të vështrojnë me sy zhbirues e tallës modele të përkryera shqipërimi, përpara të cilave ti s’do që të mbetesh i pëçmuar, i mundur e i shpartalluar.
Vepra e Holderlinit, në të gjitha llojet e veta, i thyen të gjitha kallëpet e caqet e njohura estetike. Këtë ndryshim e përshkon përmbajtja. Gjithçka merr trajtë e strukturë krejtësisht të tjetërllojtë. Gjithçka i nënështrohet rrjedhës së lëvizjes e të një ngjizje të re e të pa përsëritshme, gjithmonë në ndryshim dhe e shumëllojtë. Kjo ndoshta, krahas karakterit therrës e demaskonjës të përmbajtjes bëri që Holderlini të mos pranohej menjëherë si krijonjës e personalitet viganor. Megjithëse gjeninë e tij e ndjenin të gjithë gjenitë bashkëkohorë gjermanë: Hegeli dhe Kanti, Gëtja dhe Shileri. Në kritikën e sotme botërore
Holderlini vihet para Gëtes, ndërsa për vlerat dhe thellësinë e mendmit krijonjës filozofik, Hegelit nuk i qëndron asnjë mendimtar tjetër i madh, më pranë se Holderlini.
Njohja me veprën madhore të Holderlinit për mua ka qenë një gëzim e zbulim i madh, pastaj sikur plotësova një kërshëri e dëshirë të kahershme djaloshare, që të njihesha me një dekadent të madh, do të thoja, madje, me babain, me Zeusin e të gjithë poezisë botërore që s’i nënështrohet kodeve që hartojnë profesorët e katedrave universitare të të gjithë botës, dhe në Mynchen, dhe në Sorbonë, dhe në Romë, dhe në Shën Pjetërburg, dhe në Londër dhe në Buenos Ajres... por dhe pushtetarët e çensorët, që duan të ndrydhin shpërthimin e shpirtit të lirë dhe fluturimet prej shqiponje të mendimit njerëzor...
Do të më pëlqente t’i paraqitja lexonjësit tonë një Holderlin më të plotë, ku të përfshihej krijimtaria më e përzgjedhur e tij dhe ku, artisti gjenial, të dilte me të gjithë madhësinë e shtatit të vet.
Me kohë nisa të mendoj se dhe botimi i romanit “Hiperioni” do t’i vlejë njohjes së lexonjësit të vëmëndshëm dhe kulturës sonë kombëtare... Më vonë, përkthimi i veprave të tjera do t’i rrisë dimesionet e saj.
... dhe Lasgush PORADECI
(1899-1988)
L ind vetvetiu pyetja: ç’ka marrë Lasgushi nga Holderlini?
Ka marrë gjithçka dhe asgjë. A nuk duket kjo përgjigje si ato të
orakullit të Delfit? Po, kështu është. Një mendim plot sofizëm dhe metafizik që ngërthen një të vërtetë të madhe e të pamohueshme. Po ta njihnit kaq në thellësi Lasgushin, siç pata fatin e lumtur ta njoh unë, dhe po të kishit mundësinë ta kalonit nëpër duar, pothuajse një jetë të tërë të gjithë letërsinë dhe kulturën botërore... dhe po t’u kishte pajisur natyra me aftësinë për të bërë përngjasime, hulumtime e të arrinit në një mendim të pavarur dhe përgjithësonjës nga analiza e dukurive dhe e natyrave të shumta njerëzore, do të arrinit në atë përfundim që kam arritur dhe unë. Gjithçka dhe asgjë. Po ç’do të thotë kjo?
A mos është një trill artistësh e studiuesish? Kur ia kam shfaqur për herë të parë këtë mendim Lasgushit ai u befasua...
A mund të akuzohet poezia e Lasgushit se nuk ka frymën e koloritit shqiptar dhe se qenka larg nga niveli dhe mjeshtëria e lartë që vihet re tek poetët e mëdhenj europianë, që të mahnisin me shkëlqimin e figurave e begatinë e shprehjeve metaforike e simbolike... Se Lasgushi qenka një Eminesk apo një Holderlin shqiptar... Po Eminesku e Holderlini ç’janë, kë kanë pasur at si shëmbëlltyrë?
Letërsia dhe arti i vërtetë nuk krijohen nga imitime shëmbëlltyrash e modelesh të gatshme. Po të ishte kështu nuk do të kishte një Meshë të Madhe e Fugat e Bahut, një uverturë të Egmondit a sinfoni të Nëntë të Bethovenit, apo kapriçiot e Paganinit... Ekspozita e pikturës e Musorgsit, Marshimi i Igorit, Liqenin e Mjellmave a Patetikën e Çajkovskit, operat kulmore të Verdit e Puçinit, Glinkës e Smentanës, Sinfonia e Mendelsonit e të Brahmit....
Po, pse kalova, papritur, nga letërsia e filozofia në muzikën botërore? Mund të kaloja edhe tek Bobla e tek Mitologjia e folklorit popullor... Të gjitha këto mund të përmendeshin e të plotësonin e të shpjegonin për bukuri njëra-tjetrën, duke e bërë më bindës e më të plotë shpjegimin dhe konkluzionin tonë. Arti si dhe çdo fushë e dijes është njëkohësisht dhe një krijimtari kolektive dhe e pavarur. Në veprën e një artisti të vërtetë e të madh futet e përthithet gjithçka. Por njëkohësisht ajo ruan dhe një strukturë e formë tejet orgjinale. Me kë ngjason Plaku dhe deti i Hemiguejit? A, nuk duket si një kuturisje e çmendur të ngrihet e gjithë ngrehina e këtij tregimi gjenial vetëm me një personazh, me bisedat e tij të pafundme me detin e me peshkun e çuditshëm? A mos kemi të bëjmë me një simbolikë e me ndërthurje të situatave ireale? Jo zotërinj! Këtu, gjithçka është po kështu siç na e paraqet Ernest Hemiguej dhe gjatësia deh ekzistenca e këtij peshku, që çudit të gjithë banorët e peshkatarët e Santiagos vërtetohet dhe nga shënimet dhe galeria e fotografive të shumta nga vetë jeta e shkrimtarit të madh. Në një nga këto fotografi, Hemiguej duket në breg pranë këtij peshku të madh. Dhe ngjarja ka ndodhur pikërisht ashtu siç është shkruar në atë tregim të pa përsëritshëm. Me kaq vërtetësi mund të shkruante vetëm një shkrimtar me përvojë jetësore e me pasion gjahun si Ernesti... Por vlera e tregimit nuk qëndron vetëm në forcën e përshkrimit të ngjarjeve e të faktit jetësor, por në nëntekstin, në simbolikën, në forcën e brendshme dhe psikologjike, në thellësinë e depërtimit në labirinthet e pafundme të shpirtit njerëzor, në dhënien e dramës dhe të epopesë së madhërishme të jetës njerëzore, përmes së cilës lartësohet figura e plakut nga Santiagua, që delte që me natë në det për të fituar kafshatën e gojës...
Shkrimtari dhe artisti i vërtetë nuk ka nevojë aspak të imitojë e të ndjekë modelet e gatshme artistike... Po të veprohej kështu arti do të ishte zhdukur fare e do të bëhej diçka e mërzitshme dhe aspak me vlera kaq të mëdha njohëse, edukuese dhe estetike... Do të ngurosej e do të thahej fare. Por, fatmirësisht, kjo ngurosje, ky shtampim, kjo akullsi e monotoni u ndodh vetëm krijuesve mediokër, apo dhe artistëve të mëdhenj që kanë dhënë vepra të shquara, kur i janë larguar jetës...Por të mbetemi tek Holderlini. A ka fituar Lasgushi nga njohja me këtë mjeshtër gjenial dhe vyrtuoz, nga kjo natyrë e thellë prej filozofi të lindur, që krahasohet nga përmasat e mendjes vetëm me Hegelin, me babanë e filozofisë botërore.
Lasgushi nuk do të na shfaqej me këtë shtaturë e dimension të brendshëm, me këto shpërthime, fuqi dhe elegancë hyjnore, po të mos ishte njohur me Holderlinin. Ai përthithi gjithçka të çmuar te ky artist e fiozof gjenial, përpunoi tërësisht vetveten. Ndodhi po i njëjti proces hyjnor e dialektik që ndodhi me Eskilin, Sofokliun dhe Euripidin e Aristofanin, me Danten, me Servantesin, me Gëten e me Hajnen, me De Radën e me Seremben, me Nolin e me Migjenin, me Kadarenë e me Anton Pashkën; rilindja e vërtetë e njeriut dhe e artistit. A do të ishte Bet’hoveni dhe Moxarti, kështu siç na paraqiten sot, pa egzistencën reale të një Bahu?! A nuk u duket se Lasgushi ka përfituar shumë edhe nga njohja në thellësi e muzikës botërore, ... se ka përthithur mjaft elemente të çmuara dhe nga Moxarti, nga Naimi, nga poezia orientale dhe krijimtaria gojore e popullit të tij. Por formën më përfundimtare ia dha njohja në thellësi e dialektike e Holderlinit dhe e Mozartit, e Naimit dhe e Vedave, e shkrimeve të shenjta dhe e Biblës... Këtu bëhet fjalë për të gjithë kulturën botërore. Madje, po të kishit rast të dëgjonit, kur fliste, në të folurën e Lasgushit ndeshje dhe shumë nocione e kalke gjuhësore si të gjermanishtes së Holderlinit. Këtu nuk kemi të bëjmë me imitim, por me një përafrim të natyrave të njëjta njerëzore, i përfitimit të të njëjtit koncept e kibernetike gjuhësore...
Po le ta lemë me kaq, se do të ngrihet ndonjë profesor me katedër e do të na kundërshtojë e fshikullojë, sepse atë e mundojnë skemat besnike gjersa të ketë frymë mbi dhè. Pranimi i kësaj herezie që guxoj të nxjerr nga goja, i mbërthyer nga kujtimet për Lasgushin e nga lidhjet e vetëdijshme me Holderlinin dhe procesin letrar e artistik botëror e universal, do t’i pështjellonin të gjithë hulumtimet e tezat e tij të përcaktuara prej kohësh... I lutem të më falë për lajthitjen, por ja që kështu mendokam...
No comments:
Post a Comment