Saturday, June 13, 2009

Revista Pelegrin 2004





“Pelegrin”
ka moshën, mençurinë dhe talentin tuaj...

Të dashur bashkëpunëtorë, miq e lexues të revistës “Pelegrin”! Kur morëm udhët e mërgimit, nuk mund të mosmerrnim me vete edhe jetën tonë krijuese, që na bëri të mos harronim emrin, të mos harronim gjuhën e djepit, të mbeteshim shpirtërisht të mbijetuar...
Kur Klubi i Shkrimtarëve “Drita” po hynte në vitin e pestë të jetës, doli në dritë organi i tij letrar-artistik. E kisha ideuar me kohë. Kisha diskutuar në familje me Leonorën, Entelën, Helidonin e Lisjanin, si dhe me miq të afërt të letrave, por pamundësitë më dilnin përpara dhe më bënin që të mbetesha tek ëndrrat... E kisha menduar revistë-stinore, në formë dhe me format-libri.
Pelegrini-1 nisi me 155 faqe për t’u rritur, nga numri në numër, me 170 faqe e mbi 200 faqe. Edhe gjetja e emrit nuk ishte e lehtë. Më i vështirë se një emër-fëmije, se fëmija është yti, kurse Revista bëhet e të gjithëve... Më së fundi “i mora lejë” mikut tonë, “Pelegrinit të vonuar” Dritëro Agolli, dhe ai është “kumbari” i emrit të revistës “Pelegrin”. Kurse “kumbari” financiar ishte Sotir e Mimi Athanasiu, që ndihma e tyre modeste, mua m’u duk shumë. Kështu vazhdoi Revista deri tek numri 5, me kapakët e ideuar nga piktori shkodran, Çefa dhe shtypur me ndihmën e Bankës Amerikane të Shqipërisë.
Kështu, rruga e “Pelegrinit” kaloi edhe nëpërmjet ndihmave, “pak e nga pak” të: Dhimitër Konomi, Eglantina Kume, Besim Mero, Tatjana Mici (Athinë), Amy & Artan Prifti (Londër), Marjana Prifti (Vlorë), Ardian Asllani (Tiranë)... Flonia Engjëll Telegrafi, Iliriana Sulkuqi, Albana Mëlyshi-Lifchin (Nju Jork) e deri tek Instituti Kombëtar i Diasporës, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Të gjithëve u jam mirënjohës!
Pelegrini ndryshoi. Nga numri dhjetë, e në vazhdim, mori format më të madh dhe u bë me mbi 200 faqe. Bashkëpunëtorët “vinin” nga gjithë anët e botës dhe “Pelegrin” shkonte me pako-poste në gjithë anët e botës.. Bashkëpunimi me Ambasadën e Shqipërisë në Athinë, Shtëpinë Botuese “Toena” në veprimtari të përbashkëta, si dhe prurjet e miqve krijues, të kudondodhur, e bënë Revistën “Pelegrin” më të dashur e më të kërkuar.
Bashkudhëtarë me Pelegrinin janë shumë: Dr. Evriviadhi Goro, Telemak Koça, Myslim Maska, Dionis Qirzidhi, Fatime Kulli, Eglantina Kume, Rozi Darling Vlora, Dr. Engjëll, Telegrafi, Mensur Spahiu, Rudina Xhunga, Adnan Mehmeti, Rozi Theohari, Aleko Likaj, Ilia Vasili, Dhori Thanasi, Lulëzim Lekdushi, Anton Gojçaj, Suzana Kuqi, Zois Shutie, Odhise Goro, Nehas Sopaj, Dashamir Malo, Dalip Greca, Arben Kondi, Albana Temali, Lefter Vogli, Mimoza Hametaj, Marjana Prifti, Robert Martiko, Vera Hanxhaku, Lucie Neçaj, Luan Xhuli, Leon Lekaj, Punëtore Zibaj, Valbona Zunçe, Myrteza Mara, Festim Liti, Gëzim Llojdia, Ardita Repishti, Vaid Hyzoti, Ardita Jatru, Ndue Lazri, Algert Siqeca, Fatjon Pajo, Merita Bajraktari, Aida Dismondy, Alush Kurti, Vlash Fili, Eduart Ymeri, Anna Petrela, Valentina Zhupa, Armela Hysi, Milla Bala, Ndue Hila e Rizah Sheqiri, Julia Gjika, Mikel Nakuçi, Niko Ago e deri tek “Stafi” me kryeredaktoren Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Vasil Qesari, Farruk Myrtaj e Fatmir Terziu. Shumë emra të përveçëm të letrave shqipe kanë qenë te “Pelegrin”: Dritëro Agolli e Ismail Kadare, Pëllumb Kulla e Betim Muço, Perikli Jorgoni e Robert Zhvarc, Mojkom Zeqo e Faslli Haliti , Skënder Temali e Skënder Drini, Aurel Plasari e Hyskë Borobojka.
Miq të Pelegrinit kanë qenë dhe shkrimtarët grekë si: Nasos Vajenas, Tito Patriqio, Sotiris Dhimitriu, Jorgos Hronas, Kostas Riconis, Kristos Tumanidhis, Dino Kubati, shkrimtaria nga Franca: Claude Chatron-Colliet, etj.
Veprimtaria e Pelegrin-it nuk mund të ndahet nga gazeta “Tribuna” dhe drejtori i saj, shkrimtari e publicisti Robert Goro. Së bashku i kemi “qarë hallet”, me mendimin tek e nesërmja...
Të dashur miq, shkrimtarë, studiues, lexues!
Pelegrini nuk është 5-vjeç. Ai ka moshën e atyre që s’janë më, por gjenden në kujtesën tonë dhe në faqet e revistës, Engjëll Telegrafi, Milla Bala. Ai ka mençurinë e zgjedhur të intelektualëve të Kombit Shqiptar dhe vjen tek ju me atë mençuri... Ai ka vrullin e talenteve të reja, që garojnë me kohën...
Në çdo përvjetor të “moshës kalendarike” Revista “Pelegrin” do të ketë moshën, mençurinë dhe talentin tuaj.
Në këtë Përvjetor kanë ardhur shumë Urime e Përshëndetje, që nuk mund t’i nxënë faqet e “Pelegrin”-13.

Nase Jani
Themelues & Drejtor i revistës “Pelegrin”
Athinë, qershor 2009

No comments:

Post a Comment