Sunday, June 14, 2009

Urime për Pelegrinin....4


SIKUR TË ISHA DHE UNË 5-VJEÇAR!...
(Në moshën e “Pelegrinit” tonë)

...Do të mbetet përherë një ëndërr dhe dëshirë, që edhe pse e dimë se është e pa realizueshme, na i freskon fantazinë. Tani, që vitet na morën dhe na hodhën në shpinën e kërrusur të gjysmës së dytë të jetës, nostalgojmë më tepër, duke u ndalur tek numri më i dukshëm, pesë... Sot, ky numër fëminor është horizonti i një ditëlindje të madhe ëndrrash, mendimesh dhe idesh, sintetizuar në një vigan fluturues, me emrin Pelegrin, revistë letrare dhe artistike, që fluturon me flatrat e qindra krijuesve të mirëfilltë, në të katër anët e botës...
U bëfsh dhe 105 Pelegrini ynë. Vitet e jetës për Ty, janë vitet tona, ëndrrat tona dhe përkushtimi ynë. Paçka se koha na shpërndau në korente të ndryshme, Ti i madhi i sotëm: 5- vjeçar, na mbledh, na grushton në folenë tënde të madhe, të krijimit dhe dialogimit, duke na dhënë dhe përforcuar dashurinë kombëtare dhe qytetërimin kohor.
Në shijen e gjuhës sonë kaq të vlerë, Ti gatuan dashuri dhe unitet, me hapësira dritash në porta ëndërrimi.
Kur uroj për Ty, ndjej se fluturoj me të gjithë ata që na bashkojnë ëndrrat!...

LUAN XHULI
Athinë, maj 2009


I nderuar Thanas!


Para pesë vitesh me miqtë e tu nisët një rrugë të re, të vështirë por të mrekullueshme. Botimi i revistës "Pelegrin", ishte një sakrificë sublime juaja. Ashtu si njerëzit që në kohë të caktuara shkojnë në vende të shenjta edhe ju, nisët pelegrinazhin me këtë revistë letrare-kulturore. Është bukur dhe fisnikëri, kur shkon në vendin fqinj për një jetë më të mirë, duke u gjendur në udhëkryqet e jetës, mes vështirësish nga më të ndryshmet, vë në dukje vlerat kulturore dhe intelektuale të vendit tënd. Ju dhe të gjithë shqiptarët që fati ju çoi në vende të ndryshme të rruzullit tokësor, që punoni për të njohur Shqipërinë, historinë, kulturën tonë kombëtare, për mua jeni ambasadorë të kulturës sonë që rrisni prestigjin e Shqipërisë në botë. Revistës "Pelegrin", juve, stafit të revistës dhe Klubit të Shkrimtarëve "Drita", ju uroj suksese dhe jetë të gjatë në këtë Pesëvjetor!


Vilhelme Vranari Haxhiraj

Vlorë 29/4/2009



URIM PËR “PELEGRININ”


Dëshiroj të përshëndes pesëvjetorin e revistës “Pelegrin” si një titull tashmë të depozituar e të mirënjohur shkrimesh periodike me vlera të mirëfillta për letërsinë moderne shqiptare. Përbën një publikim dinjitoz me karakter panoramik pasi në numrat e saj gjen të pasqyruara problematikën shpirtërore të dhjetëra shkrimtarëve, poetëve apo gazetarëve të mirënjohur të vendit, ku deviza e tyre e përbashkët pasqyrohet në faktin se arrijnë të shkruajnë me mjeshtëri në një botë letrare të lirë e të pavarur. Është një revistë e gjallë dhe e zjarrtë pasi gjen shkrime, artikuj, kronika, përkthime, tregime, poezi, ese, etyde, materiale të pabotuara, publikime e ilustrime të shumëllojshme...

E uroj nga zemra këtë gjithë-përpjekje kolektive të artit kontemporan të administruar me mjeshtëri prej dy zotësh të mrekullueshëm shtëpie, artistë të mirënjohur në letërsinë shqipe si Ilirjana Sulkuqi e Nase Jani.

Duke dashur të mbyll këtë përshëndetje të shkurtër, do të shtoja se asnjë përvjetor në botë nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të qe në gjendje të ngrinte ura drejt të ardhmes... “Pelegrini” ky udhëtar i palodhur e zbulues shtigjesh të panumërta shpirtërore, nëpërmjet anëtarëve të tij të zellshëm me sa duket e garanton këtë vijueshmëri të suksesshme në kohë. Secili prej tyre gëzohet në darkë kur perëndimi është i kuq. Dhe nuk dekurajohet në mëngjes nëse bie shi... ndofta duke e konsideruar si një element qiellor, i cili do ta ndihmojë, në mënyrë që rruga e tij të jetë pa vapë e pluhur të shumtë...

Robert MARTIKO

Korfuz, maj, 2009



Përshëndetje z. Nase!

Përshëndetje znj. Iliriana!


Pranoni urimet tona më të mira për Ju dhe stafin tuaj të mrekullueshëm, të shpërndarë kudo në botë, nga puna e përkushtuar që bëni, u shohim diku bashkë kokë më kok, për t’i sjellë lexuesit gjuhën e ëmbël shqipe.

Kur e kemi lexuar për herë të parë “Pelegrinin” jemi befasuar nga larmia e materialeve, kjo ishte puna juaj e palodhur, me dashuri, e papaguar.

Ta gëzojë 5-vjetorin e ditëlindjes dhe vazhdoftë rrugën që tashmë e ka mësuar, duke çarë dete dhe oqeane, kapërcyer kodra dhe male, për t’u gjendur në vatrat e ngrohta, ku flitet shqipja e bukur.

Me respekt Julia dhe Thanas GJIKA

Boston, maj 2009




Përshëndetje dhe urim shkrimtarit dhe botuesit Nase Jani dhe stafit të revistës “Pelegrin” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane


Vorbullës së kohës, paralel, me shqetësimet, ndalojmë diku dhe prej syrit tonë, gjer në horizont vështrojmë pesë dete, pesë male, në të katër anët e tij të mbushur e të lartësuar me patriotizëm, me dashuri, me art, me dhimbje e sakrificë. Përkushtim i rrallë historik.

Ju duam dhe ju kemi zili për mirë. Patjetër nga bleta do të nxjerrësh mjaltë. Të jesh me ju do të thotë të jesh me Atdheun. Ndaj jemi krenarë për miq të tillë(vëllezër të një gjaku, si ne dhe gjithë organizmat kulturore nëpër botë). Brenda Pelegrinit kemi emra që bëjnë rezonancë. i njohim sepse i jetojmë sakrificat, sidomos tuajat. Kjo ju jep më tepër forcë gjallëruese, më shumë respekt dhe mbështetje morale. Gurët e mëdhenj i lëvizin njerëz të fuqishëm.

Ju keni provuar vështirësi dhe sakrifica, urrejtjen, smirën dhe xhelozinë e të huajve, por keni triumfuar sepse gjenerator keni dashurinë për Atdheun dhe Fjalën Shqipe, mirënjohjen dhe respektin për njeri-tjetrin, për miqtë dhe lexuesit në të katër anët e botës. Ju njohim nga veprat tuaja dhe ju urojmë shëndet dhe suksese në këtë harmoni të rrallë shpirti dhe pene. Urim dhe falënderim të veçantë, poetes Iliriana Sulkuqi, kryeredaktore e revistës Pelegrin dhe anëtares së komunitetit tonë këtu në Kontinentin e largët. E dimë që ajo s’do t’i mbajë për vete këto urime. Do t’ua nisë të gjithëve ju. Zemra e saj është e madhe vetëm për miqtë. Kur vlerësimet bëhen për atë, zemra e saj i mbyll dyert.

Përshëndetje vëllazërore, të dashur miq, kolegë dhe krijues dhe jetë të gjatë dhe me sa më pak vështirësi “Pelegrinit” tuaj, “Pelegrinit” tonë!

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane


Presidenti : Adnan MEHMETI

Kryetari: Dalan LUZAJ

SHBA, maj 2009




Z. Nase,


Ju përshëndes për punën që bëni si staf për cilësinë e revistës (ndoshta pa teprime) nga më cilësoret për mua, "Pelegrini". Ju uroj për 5-vjetorin e saj. Na dhurofshi edhe në vijimësi Pelegrinë të tillë.


Miqësisht, Fation PAJO

SHBA, maj 2009




No comments:

Post a Comment