Monday, June 15, 2009

Xhevahir SPAHIU - Poeti dhe fjala




Xhevahir SPAHIU

Akademik










Fjala


I thanë fjalës: tani je e lirë,

Por fjala s’kish fuqi të thosh: nuk më duhet,

E ç’më duhet, kur s’u thashë atëherë kur duhej?

Kam mbetur pa krahë,

Kam mbetur pa qiell,

Jam jetë pa ëndërr,

Jam ëndërr pa jetë...

I thashë fjalës: je e lirë.

Vështirë, tha fjala, sa vështirë

Të besosh se je e lirë,

Pasi ke ngrenë rrokjet e tua,

Pasi ke mbetur cung

Dhe liria bëhet burg...

I thanë fjalës: liria jeton.

Fjala ua ktheu: s’jam si Kostandini,

që pas vdekjes udhëton...

I thanë fjalës: ti je liria,

Për ta kuptuar këtë duhet fare pak.

Ajo besoi,

Ajo hapi gojën,

Por në vend të tingujve

Prej saj doli gjak.



DIL

Kur s'i qesh buza buzëqeshjes
Kur dhe vetmia zë vetmohet,
ti rri ngujuar brenda heshtjes,
po tjetërkush për ty ngujohet.
Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos,
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën,
Të moçmit mure Jerikosë.

Dikush për ty përbluan urinë,
Mos ndjejnë uri as zogjtë as ti.
Ti-një shushamë një suferinë-
Ngujuar brenda vetes rri.
Dil, sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë Harrimi osh.
Në këtë botë të pamatë,
Të rrosh përkthehet: Të luftosh!






U R I M

Poet, të kërkon fjala!

Klubi i Shkrimtarëve “Drita” dhe Revista “Pelegrin”

i uronj shërim të shpejtë Poetit, Akademikut, bashkëpunëtorit dhe mikut tonë

Xhevair Spahiu

Poet, të kërkojnë shokët e miqtë, që ti i ke të shumtë brenda e jashtë Shqipërisë, Të kërkon familja e të afërmit e tu të dashur.

Poet, eja sa më shpejt,

të kërkon FJALA!

Athinë, prill 2009



I dashur Xhevo…

Kushtim nga Iliriana Sulkuqi


E ç’do t’i gjejë më shumë poetët …?

Të sëmurë, që nga lindja kanë ardhë…

E ç’do t’i gjejë më shumë se një ikje…

Kur fjalën si lindje kanë lënë…

A mund t’i bëhet më shumë një poeti

Sa, për të tjerët ai ka bërë?...

Udhë të mbarë poeti ynë!

Udhë të mbarë e kthim të shpejtë!

E, sado që të vonosh-

Ku na le do të na gjesh…

Herë pikëpyetje si kërrabëz

Që përzgjedh një fjalë të pjekur,

Hera-herës çudit-pikëz

Që s’ na fole kaq papritur…

Udhë të mbarë poeti im!

Kthimin tënd do ta pres –

Mbi Tomorrin bardhë e mardhë-

Shenjë me shkronjëza do të bëj…

Udhë të mbarë, poet-Poeti!

Lutja jonë t’u bëftë krahë!

Mos na lër me brenga shpirti!

Ardhsh pranë fjalës – Kryefjalë!


Brooklyn, NY, 9 prill, 2009



Borxhet e mia


Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe,

S’është asgjë mbytja në lumë

A në dhomat e gazit...

I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,

I kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,

I kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,

I kam borxhe krimit që s’i vura emër...

Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe:

I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr,

I kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,

I kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët,

I kam borxhe ardhmërisë që ia lashë te pragu,

Terrin e një kohe të largët...

Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe.

U kam borxh të gjallëve,

U kam borxh të vdekurve,

Gurin e varrit e shes

të laj borxhet.

Dhe ve pikë këtu.

Tani mund të flisni

për borxhet që me keni ju...


Udhëtimet e mia


Do ta shaloj renë
të shkoj mbi malet e mia,
po deshën shi, t’u derdh pika lotësh.

Do ta shaloj kalin
të ndiej shijen e erës
kur dashuria më pret.

Do ta shaloj lumin
të më çojë në det,
të mbaj mbi vete anijet.

Do ta shaloj pemën
mos pikëllohet pa zogjtë,
rrënjët t’i ngulen më thellë në tokë.

Do ta shaloj ëndrrën
pa yzengji dhe pa fre,
të më çojë tek e nesërmja.

Do ta shaloj këngën,
zot i saj, rob i saj, – t’i këndoj
lëvizjes dhe nga pika e vdekur.


Sonte

Jetoj brenda syve te tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S'jemi vetvete,
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
humb rrugën si ai që në pyll s'ka kaluar
asnjëherë.
Sa do të doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?

Për të djeshmen time ti mund të pyesësh
një lumë,
do lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.

Krejt e kotë.
T'i lemë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.


Eja të vdesim, e dashur


Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s'e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s'ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç'na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.

1 comment:

  1. Poet i madh, misherim i nje shpirti te lire e te bukur, i nje tradite te madhe dhe unike shqiptare! Duhen vleresuar keta Xhevahir te shkelqyer te fjales shqipe, por jo vetem moralisht sepse emri i tyre prej kohesh eshte gdhendur me guret me te cmuar ne kluturen e fjales,dashurise, romantizmit, dhimbjes, mallit, por dhe materialisht nga shteti shqiptar. Keta jane monumente te gjalla te krijimtarise.

    Respekte dhe urimet me te sinqerta per te madhin
    Z. Xhevahir SPAHIU

    Edgar Varkova

    ReplyDelete