Friday, June 19, 2009

Poezi nga: Luan XHULI, Aishe QORRAJ BERISHA, Fatime KULLI



Luan XHULI
Athinë













Ajo shenjë...


Ajo shenjë nën gushë

si djegie dielli,

ishin buzët e mia

të nxehura prej teje...

Ajo shenjë nën gushë

si një vulë hëne,

ishin ledhatimet e mia

dërguar prej erës...

Ajo shenjë nën gushë

si re e shkarkuar,

ishte fryma ime

rrëmbyer prej ajrit...

Ajo shenjë nën gushë

si gjethe e pjekur,

ishte stina ime

me ditët e tua...

Atë shenjë nën gushë

S’e fshehëm prej turpit,

ishte dielli ynë

që kish ndaluar të çlodhej!...

mars, 09


Flokët


Sa isha i vogël

ishin të zeza dhe kaçurrela,

...të shkujdesura si fëmijëria...

Më vonë,

kur shihja si rriteshin më shumë vajzat,

të rregullta dhe të bukura

si adoleshenca...

Tani,

asgjë s’ka mbetur nga të parat...

Një vjeshtë që fryu,

i rrëzoi

duke filluar nga balli...

dhe ato pak që mbetën,

ndryshuan formë dhe ngjyrë..

Dyshoj,

nëse kam qenë unë,

ngaqë koha s’arriti të më shpjegojë

të gjitha!...


Atëherë


...tek një rrugicë,

që tani nuk ekziston,

pushkatova ndjenjat për ty...

Zgjova pagjumësinë,

thërrita ëndrrat që nuk flinin

dhe varrosa përfundimisht

sytë e tu

dhe parajsën e tyre maramendëse....

Tek ajo rrugicë,

që tani është shdërruar në shëtitore të gjelbër,

u shumëzova me veten

duke pjesëtuar,

gjithçka të mbledhur prej teje....

humba orientimin,

dhe anët e horizontit ,

që me ty ishin një më tepër.....

U ndamë,

si planetë me orbita pa takim,

që rrotullohen

vetëm rreth vetes..

Mbas kaq vjetësh,

të pashë të eklipsuar,

hije dhe pasiguri,

si të ishe prej rëre...

Veçse,

i besova zemrës,

i kishte harruar

trokitjet e dikurshme!...

7-1-09


Hardhia e mallit


…Ka mbetur aty

tek ajo shtëpi

me tjegulla të thyera

si gojë me dhëmbë të prishur...

Ka mbetur aty

tek ai oborr

me barishte të thara

si barku i një gruaje shterpë...

... aty,

tek sytë e nënës së vdekur

shndërruar

në qirinj meraku...

Hardhinë e mallit

e kam këtu,

një gotë bosh emigranti

me parete-zemre,

krisur nga ngricat

dhe mplakja......

Nëntor, 08





Aishe Qorraj-Berisha

Prishtinë


E lindur në Deçan, më 23. 11. 1968 dhe banuese në Prishtinë.

Ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës. Po ndjek Studimet Pasuniversitare në Universitetin e Tetovës. Në vazhdimësi është trajnuar për reformat e arsimit, barazinë gjinore e deri te trajnimet për zëdhënës.

Që nga shtatori i vitit 1994 ka dhënë mësim në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë. Nga tetori i vitit 2002 jam e punësuar në Ministrinë e Transportit Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, zëdhënëse dhe lektore pranë kësaj Ministrie, zëdhënëse e parë e Qeverisë së Kosovës përkatësisht e Kryeministrit, e kthyer përsëri në atë ministri.

Prej vitit 2007, u emërua zëdhënëse pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku punon edhe sot. Me krijimtari është marrë qysh në bankat shkollës.

Në vitin 2002 ka botuar librin e parë me poezi me titull , “Kantatë për Lirinë’’. Në vitin 2006 kam botuar romanin e parë me titull “Plaga e Mallit’’. Ka në dorëshkrim romanin tjetër me titull , “Një natë në qiell’’. Letërsia e saj është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika letrare.


Kufomat në pranga


Mes engjëjve ishte ëndërr e fundit,

lebetitje tmerri gjoksi mbuluar me gjak

në pështjellim zërash gra, pleq e fëmijë,

një i ri verbërisë i përgjërohej në gjunjë.

Kush thotë se na kanë gjetur,

të burgosur jemi, ndoshta edhe të vdekur,

ato e dinë, pyesni nënat.

Kush thotë se na kanë gjetur...

Një vejan e qante hëna,

as këmishë s’na lanë vrastarët.

me këtë gji u mëkuan heronjtë,

edhe kur pëshpëritnin fantazmat,

një jetë të tërë mall,

vetëm të prehen në tokën nënë.

Vallë, ç’ plane bën vdekja

kur djalë-dëshirin nuk e lë në gji

përgjumet mendja nga kurorë lulesh,

ku ta lë kur nuk ka as varr.

As heshtja nuk ka mëshirë

lotët i ngrinë dhe dielli

ç’ gjuhë flasin bashkë djaj dhe engjëj,

as parajsë as ferr, thotë fati, për heronj.

Më tha një herë një i shenjtë,

trupi që tretet nuk ka vlerë.

Nuk humb gjaku, as me tradhti,

kjo zezonë s’e ka emrin liri.

Beronjat fshihen gur e dru,

virgjërinë e merr në gji vdekja.

Ç’ peshë varri ka vetë jeta,

dashuri e pafund, dritë amshimi.

Ata që bënë flamur

përjetësia i merr në gji.


Simfoni e trishtuar


As për ADN-në s’ka më gjak,

digjen fjalët, mendimet, ëndrrat,

simfoni e fundit s’e duron mjerimin.

Idhulli im, shenjtor i dhembjeve.

Të zbresin meteorët, e vërteta,

trupi në dhè të huaj, frikë na ka mendja.

Për të gdhendur një emër

në lisin e vjetër, kurrë nuk është vonë.

Fëmijët lindin diell dite.

Sytë plot mall për simfoninë

me tinguj paqe

të lënë përgjysmë.

Në ritualin e fundit

varrosën të kaluarën

dhe një emër që nuk e thirra.

Sytë e qiellit deti i mori në gji

të mos i verbojë qetësia.

Eshtrat vijnë e fshihen yjeve

që t’i presin agimet

rrugëve të jetës

mbi varr

një grusht dhe

këngë e fundit

Simfoni e thënë për ta,

me gjuhë dielli.


Mall


Më djeg mall i mallit tënd,

mall i lënë peng.

Epshi këput vargun,

djalli përgjon pragun.

Hyra befas në jetën tënde,

tmerri hapi plagë.

Nga trishtimi ikën engjëjt,

miqësi zunë smirëzinjtë.

U këputën lulet e para,

si një mall i përdalë.

Mbrëmjeve të heshtura,

ndalet kujtesa,

për të marrë frymë,

nga lodhja e netëve pa gjumë.





Fatime KULLI

Pena e Artë”-KADMUS 2006

Tiranë


Bimëza oreks-ndjellëse...

Lëngimi poetik, për një dashuri të madhe njerëzore


Një lirikë mjegullore, që noton mes ëndrrës e zhgjëndrrës, ku ndjenjat e hapura ndërthuren çdo çast me instinkte të papërmbajtshme. Pikërisht, këtu qëndron karakteri agresiv i kësaj poezie që synon të jetë sa e moralshme, aq dhe tabuthyerëse. Shpërthimet e kontrolluara të këtyre vargjeve i ndien në çdo poezi dhe pa dashur të sjellin në realitetin tonë, ku anarkia mbretëron krenare në çdo qelizë të shoqërisë, por metastazat e saj depërtojnë deri në shpirtrat tanë të munduar e të shtrydhur nga diktatura, po dhe në shpirtrat e brishtë e të çoroditur të të rinjve.

"Vdekja klinike" e shpirtit të poetes qoftë metafora e ringjalljes së dashurisë shumëngjyrëse që s'mund të shkelet nga këpucët e baltosura ose të lustruara qofshin, flasin qartë për shpirtin që lëngon poetikisht, për një dashuri të madhe njerëzore.

Nga : Sazan Goliku



Në limanin e vetmisë


Sa shumë të kërkova në limanin e vetmisë...

Ku erërat rrihnin tërbimthi me damarë të nxehtë...

Diell i një dimri të shkuar, gur mali, më ther në shpirt...


Nën çatinë e ëndrrës...


Në kangjellat e ëndrrës

Shkarravitur në ditar

Ndjej aromën e muzgjeve

që zgjat gishtërinjtë,

duke pikturuar imazhe .

Nën çatinë e ëndrrës

Shkarravitur në ditar

Dëgjoj zëra të trishtuar

Nën vesën e lotëve,

Si oshtima e valëve të detit

Që shpon lëkurën e qiellit.

Në shtëpinë e ëndrrës

Qëndisur në ditar

Pikon një mall...

Vjen e nesërmja...

Krahëzat e së djeshmes

Përkëdhelin perëndimin diellor,

Si trishtim i artë

Përpëlitet hutueshëm.

Imazhi qan lot-bardhë

Si vaji i një fëmije.


Perëndi fantazmash...


Po të tregoj ty mikja ime

e panjohur

Sonte u zgjova trembshëm nga gjumi.

Shtrati m'u fundos

Nën ujërat e ëndrrës...

Kullosja në livadhe të thella,

Tmerrësisht të thella...

Nga fundi i parajsës

Kundrova flokë të verdha.

Shëtisja dhe këndoja

Buzëfrymës më të bukur

të planetit, të Burrë...

s'pyesja për gjëmat e lajmëtarit

se po tradhtoja bashkëshortin...

I derdha të gjitha qelizat fisnike

Në një arë të artë prej bimësh,

Që shkëlqenin si perëndi fantazmash

E qëndisën emblemën e bardhë

Në dëshirën time.


Buzëqeshja e largët...


Një psherëtimë e ftohtë

Si tingulli i kitarës telkëputur...

Qetësisht e vetmuar rrotullohet,

U duk se më çeli buzëqeshja e largët...

Kur vesha fustanin e bardhë,

nën puthjen e ëndrrës së artë,

dukej shumë i lumtur...

Unë, materie e buzëqeshjes së trishtuar

ëndërroj krahët e kalit të bardhë,

të ëndrrës realitet...

Në këtë tingull shpresëkëputur

Që kohë më parë

I adhuroja tingujt të krijuar

dhe formën e kurmit burrëror.

Eh, kujtoj

buzëqeshjen e tij të çmendur,

që gajasej në sup të mbrëmjeve.

nën qiellin e syve të tij

çelnin bulëza të paçelura..

Vrapoja nëpër ëndrra të kaltra.

U duk se më çeli buzëqeshja e largët...


Bimëza oreks-ndjellëse...


Mes syrit të pasionit

Më shpon lëkura e ëndrrës...

Gjelbëron bimëza oreks-ndjellëse

E mëkatit mashtrues.

....dëgjohen tingujt e shfrenuar

në partiturë frymorë.

I dua tingujt të ndjeshëm

si perëndimi i syve

nën lëkurën e burrit, pas ekstazës...

si çlirimi i trupit të qiellit

pas shtrëngatës së shiut.

Midis syrit të pasionit

Thith ajrin e poreve të qelizave ujore.

Nën rrënojat e zemrës sime

Gjelbërojnë bimëza të reja,

të ëmbla, të hidhura

Jehonë e tingujve të paqetë...


Orgazëm Diellore


E vara fatin tim

Në pikëz të lotit,

që pafajësish pinë ajrin

nën gjoksin burrë...

Puthja ime nikotinë e pashëruar

Lumturohet si kalë i ujshëm

Buzë ajrit, soditës i rrahur...

Muret e frymës lëkundur

Të palodhur, madhështohen

Si ushtarë fitimtarë.

Nën rrahjet e thella të zemrës sime

Ofshamat shemben

Si kalaja prej rëre.

Në partiturën orkestrale

Të orgazmës diellore.

Puthja çlirohet si jehonë e përjetshme

Në sekretin e ekzistencës

Të mbretërisë seksuale.

Dëshira, bishë e pamposhtur

nën malin me vesë të Burrit B.

Ndër shalë të buta,

të tigrit gojëmbël

Rrjedh diell drithërues.


1 comment:

  1. Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
    Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
    Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
    *Spell për të mbetur shtatzënë.
    *Magji për t'u ribashkuar.
    *Shëroni çdo sëmundje.
    * magji për fat të mirë.
    *Magji për pasuri.
    Dhe të tjerët.
    Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete