U R I M
Gjej rastin që, në jubileun e pestë të saj, të uroj nga thelbi i zemrës gjithë stafin e " Pelegrinit ", krijuesit shqiptarë të kudondodhur në botë, të cilët kanë qenë e janë burimi jetëdhënës i kësaj reviste. Njëherazi, do të çmoja ndihmesën e mesazhet që përcjell ky organ letrar-artistik në të gjithë diasporën e në vende ku jetojnë shqiptarë të mërguar për afro dy dekada, por edhe në treva autentike shqiptare që padrejtësisht kanë mbetur jashtë kufijve historikë.
Se bashku me urimin e ditëlindjes së Pelegrinit, Stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj, iu uroj : Sa më shumë Suksese!
Gjithmonë qofshi luftëtarë të përhapjes së shpirtit intelektual, vlerave të artit e kulturës shqiptare, në çdo trevë, ku ka shqiptarë, por edhe adaptimi i këtyre vlerave, i shpirtit të lirë, me vlerat më të mira në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët!
Përsëri URIME & SUKSESE! Jetë të gjatë PELEGRIN!
Jetëgjatësia jote u jep frymë dhe eterniteti, vlerave dhe identitetit tonë kombëtar! Respekt e Mirënjohje për kontributin Tuaj
Monda MOISIU
SHBA, Maj 2009
Bashkoji edhe urimet tona me rastin e 5-vjetorit të "Pelegrinit". Jetë e rrugë të gjatë, me krijime gjithnjë e më te bukura. Edhe pse 5-vjeç konstatojmë se ka pjekurinë e një burri me mustaqe. Suksese edhe stafit në punën e tij për botimin e kësaj reviste të dashur për krijuesit dhe për lexuesit.
Miqësishit: Zhaneta e Ndue LAZRI
Bolonjë, Itali, Maj 2009
Te dashur miq të Revistës "Pelegrin"
Revista Juaj dhe e jona mbushi 5 vjeçe. Nuk janë shumë. Por ditëlindje si kjo janë gjithmonë te bukura dhe te veçanta. Kur kujtojmë "bëmat" e Revistës suaj, harrojmë se ajo është pese vjeçe. Për nga pjekuria dhe bukuria na duket si një zonjë e re dhe me pretendime. Këtë e ka vërtetuar në çdo numër të saj. Cilësia është tipari i saj i parë dhe për këtë keni meritë të gjithë miq të stafit të revistës, të gjithë drejtuesit dhe bashkëpunëtorët tuaj anekënd globit, ku ka shqiptarë të penës dhe të artit. Ju faleminderit që na e sillni fjalën e bukur shqipe me kaq shije dhe seriozitet! Me punën tuaj na e keni sjellë Shqipërinë kaq afër, me punën tuaj na i kini sjellë miqtë e shokët e artit, pranë. Dhe kush tha që edhe ju vetë jeni larg Atdheut?! Asnjë që punon çdo ditë me dashurinë për dheun e të parëve, për popullin e vet, për letërsinë dhe artin tonë të bukur dhe dinjitoz, nuk mund të pretendojë se është larguar nga Atdheu. Këtu hyni dhe ju të dashur miq të revistës "Pelegrin". Në emrin tonë dhe të gjithë anëtarëve të shoqatës Atdhetare - Kulturore, Shqiptare-Amerikane "Bijtë e shqipes" në Filadelfia ju urojmë: Gëzuar 5-vjetorin. Paçi jetë të gjatë dhe mbarësi së bashku me Revistën tuaj të dashur për të gjithë ne!
Me respekt dhe dashuri.
Llazar VERO, Kryetar i Shoqatës,
Vlashi FILI, Sekretar i Shoqatës.
Filadelfia, më 10 Maj, 2009
Përshëndetjet më të përzemërta për revistën letrare-artistike PELEGRIN, që mbush 5-vjet. Për drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e saj, që me një punë të frytshme, me mençuri dhe ndjenja artistike të pashtershme, shpunë në duart e lexuesve shqiptarë, në gjithë botën, atë revistë-mbi-dyqind faqe, me peshë MEMEDHEU. Me krijimtarinë letrare cilësore, me rubrikat e shumta jashtë rutinës letrare, revista “Pelegrin”, na bëri të ndihemi të bashkuar edhe pse të shpërndare në vende të huaj.
Uroj të ketë jetë te gjatë dhe frymëzim të pashtershëm!
Me respekt: Vera HANXHAKU (Karaj)
Kretë, maj 2009
Një gur në themelet e kulturës sonë kombëtare
Ndjehem i lumtur që më jepet rasti të përshëndes revistën " Pelegrin ", pasi e konsideroj, atë dhe çdo botim tjetër, që del në gjuhën tonë të bukur shqiptare, jashtë trevave ku jetojnë etnikisht Shqiptarët, si një dallëndyshe të brishtë. Ajo përcjell e merr mesazhe tek çdo zemër që rreh për atë vend të bukur e të mrekullueshëm, që ne e thërrasim në të katër cepat e globit, Nënë Shqipëri. Është një gur që vendoset denjësisht në themelet e vetë kulturës sonë kombëtare. Përgëzime stafit për këtë mision sa fisnik aq edhe patriotik, i cili ka mbledhur rreth tij njerëz të mençur, intelektualë, krijues të talentuar, artistë që u "kullon zemra gjak" për At' dhe, që kemi lënë pas. Ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e tij, me vese e histori të vjetra ballkanike, por që për ne të ikurit, mbetet po aq i shtrenjtë dhe i dashur, si një prind i vërtetë. U uroj nga zemra gjithë të mirat krijuesve të talentuar e stafit që bëjnë "Pelegrinin ", kudo që janë, për misionin historik e fisnik që kanë marrë përsipër për përhapjen e ripërtëritjen e traditave tona artistike më të mirë kombëtare, duke e përcjellë atë me shumë ndjenjë e dashuri, jo vetëm për brezat tanë të ardhshëm, por edhe për ta prezantuar atë kudo ne botë, ku jetojnë shqiptarët. Këtë bënë edhe rilindësit tanë të mrekullueshëm disa dekada më parë.
Me mirënjohje, Viktor BRUÇETI, ish aktor i teatrit "Migjeni" Shkodër
Angoulemë – Francë, Maj 2009
"Përshëndes përvjetorin e revistës "Pelegrin", organ shtypi i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artisteve shqiptarë që jetojnë në Athinë dhe ne veçanti redaksinë e kryesuar nga Z. Thanas Jani, ideatorin e realizuesin e saj) e grupin e bashkëpunëtorëve të shpërndarë në gjithë anët e botës, të cilët sjellin kontributin e tyre në pasurimin e faqeve të revistës, me krijimtari të autorëve tanë në prozë e poezi, përkthimet, artikuj me intervista e reportazhe të cilat synojnë në evokimin e historisë letrare shqiptare dhe pasqyrimin e realitetit bashkëkohor të saj. Në çdo numër të saj, si në një antologji të madhe qëndrojnë afër njëri- tjetrit e djeshmja dhe e sotmja e letërsisë shqiptare, autorë të mirënjohur e të rinj, krijimtari e kolosëve të letërsisë botërore e të letrave shqipe- do të thosha një "panair i krijimtarisë", ku çdo krijim paraqitet si "stand" më vete e çdo lexim, një libër më vete. "Pelegrini" është një nga realitetet e sotme te veprimeve kulturore për promovimin e autorëve shqiptare. Një iniciative e admirueshme e konsoliduar ne vite. Përvjetori është një pikë-arritje edhe një pikë reflektimi për të vazhduar në të ardhmen. I uroj "Jetë të gjatë" revistës Pelegrin e Suksese krijuesve e gjithë kolegeve të mi, bashkëpunëtorë të saj, që me kontributet e tyre sjellin copëza realiteti krijues kudo ku jetojnë."
Bolonjë, Itali
Këtë gjuhë flisnin veç perënditë
Shumë i çmuari Z. Jani!
Më lejoni që përmes shkronjave të gjuhës mëmë, t’ iu përshëndes dhe t’ iu përgëzoj me rastin e këtij përvjetori ,për punën Tuaj të palodhshme. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të urojë pesë vjetorin e ditëlindjes së “Pelegrinit’’.
Ndjehem jashtëzakonisht e privilegjuar të jem pjesë e kësaj sofre, që ushqen mijëra dashamirë të penës shqiptare, duke ruajtur e kultivuar traditën kulturore, por, një gjë të tillë mund ta bëjë një njeri të cilin e sjell veç perëndia si të shenjtë, e ai njeri jeni Ju, Z. Jani, që me mundin dhe sakrificën tuaj arritët deri në këtë ditë, duke mos na harruar as neve që dallgët e jetës na kanë bërë të sfidojmë një armik të përbetuar.
Në këtë përvjetor të ”Pelegrinit’’ u jap kurajë të gjithë bashkëpunëtorëve të Revistës dhe të gjithë anëtarëve të Klubit ,,Drita’’, thjeshtë të gjithë atyre që kanë hedhur edhe një shkronjë të vetme të gjuhës së shenjtë, që kanë kontribuar brenda dhe jashtë kufijve, dhe uroj e shpresoj që vullneti i tyre i mirë të vazhdoj edhe më tutje, e që pluhuri i harresës të mos u bjer kurrë.
Urata dhe bekimi im le të ju përcjell përherë, gjithnjë do të jem pjesë e sofrës suaj. Me një theks të veçantë i falem Z. Jani që na bashkoi të gjithëve.
Me respekt,
Aishe Qorraj – Berisha
(Shqipja e Dukagjinit)
Prishtinë, Maj 2009
Kam mësuar ta dua “Pelegrinin”
I nderuar Nase!
Jam shumë e kënaqur të jem e ftuar në ditëlindjen e “Pelegrinit”, që tani është rritur e është bërë 5 vjeç. Jam gjithashtu, shumë e kënaqur të jem pjesë e gjallë e këtij rrjeti shkrimtarësh e artistësh shqiptarë, brenda e jashtë kufijve, që duan, promovojnë e rrisin të bukurën.
Kam mësuar ta dua “Pelegrinin”, përmes dashurisë për Nasen e kudondodhur, për përkushtimin e tij, për njeriun e gjerë e të mirë, pafundësisht të mirë; që ecën duke lënë gjurmën më të bukur të shqiptarisë, profesionalizmit, të qenit artist e të qenit bërthamë, gjenerues, në çdo ditë, në çdo kohë, te çdonjëri.
Në këtë përvjetor të “Pelegrinit”, në mirënjohje të gjithsecilit që e ka pasuruar, e ka rritur apo shfletuar, falënderoj të gjithë ato që kanë kontribuar e do vijojnë të jenë fryma e tij.
Ardita V. REPISHTI
Tiranë, prill 2009
Jam krenar që jam pjesëtar i Pelegrinit...
I nderuar Thanas, Miku im i malluar për dashurinë e poetëve dhe njerëzve të mirë kudo ku janë. Të përshëndes për Festën. Sot dita më është bërë më e bukur se po përshëndes një Pelegrin-pesëvjeçar, të bukur e të zgjuar. Të etur për vite më të lavdishme që burojnë nga përkushtimi dhe sakrifica në shërbim të kombit. Të papërtuar për të hapur hulli të reja në udhën e fisnikërimit të kombit.
Jam krenar qe jam pjesë e Pelegrinit edhe pse largësia shpesh t'i pret paksa krahët për të fluturuar me të në Qiejt e Kujtesës. Një arsye më tepër, kjo ditë që të bashkojmë edhe më shumë orët e vlefshme për të qenë gjithmonë pranë PELEGRINIT kudo ku ai është. Me “Pelegrin”, kuptojmë më mirë vetë-veten dhe atë që do të arrijmë nesër. Me shumë respekt e dashuri
Berat, maj 2009
No comments:
Post a Comment