Sunday, June 14, 2009

Urime për Pelegrinin....3





Kristos Tumanidhis
Poet grek

Revistë që ka fituar pasaportë ndërkombëtare...

Është gëzim dhe nder për mua të uroj 5-vjetorin e Revistës Letrare-Artistike “Pelegrin”.
E njoh që “Pelegrin” është nga revistat më të rëndësishme shqiptare. Një revistë përveç pasaportës etnike duhet të ketë edhe pasaportën ndërkombëtare. Këtë pasaportë e ka fituar edhe revista “Pelegrin”. Një gjë e rëndësishme është se kjo revistë del në Athinë, prej pesë vjetësh dhe shpërndahet kudo në botën letrare në pesë kontinentet, ku ndodhen krijuesit shqiptarë. Pelegrin nuk është vetëm revistë e rëndësishme e shkrimtarëve shqiptarë, por edhe e shkrimtarëve grekë, ku në çdo numër të saj ata janë ndjerë si në “shtëpinë e tyre”. Z. Nase Jani ju falënderoj nga zemra për botimin edhe nga krijimtaria ime tek “Pelegrin”6! Ndjej nder të madh që të kem dhe unë një vend së bashku me shkrimtarët shqiptarë, tek revista “Pelegrin” dhe te Klubi i Shkrimtarëve “Drita”. Faleminderit shumë.
Athinë, Maj, 2009


Revista Pelegrin, fare mirë, qëndron dinjitoze pranë shumë revistave të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare


Më lejoni të shpreh, në emrin tim dhe të familjes sime, urimet tona të përzemërta për 5-vjetorin e revistës të lavdëruar, “Pelegrin”. Dua të falënderoj botuesin, zotin Nase Jani, dhe stafin e Pelegrinit për mirëpritjen dhe gatishmërinë për të botuar krijimet e babait tim, Dr. Engjëll Telegrafi, i zgjedhur nga Ju Anëtar Nderi i Stafit të Revistës. Përfitoj nga rasti i 5-vjetorit të revistës të uroj të gjithë bashkëpunëtorët për nivelin e lartë artistik, që i sjellin lexuesit.

Revista Pelegrin, fare mirë, qëndron dinjitoze pranë shume revistave të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, me të cilat kam pasur rastin të njihem nga afër. Përfitoj nga rasti gjithashtu të falënderoj anëtaret e revistës qe nëpërmjet mesazheve dhe komunikimeve te tyre ne momentet tona me te vështira na u gjenden pranë. Uroj që Revista Pelegrin dhe stafi i saj të kenë veprimtari të vazhdueshme në vitet që do vijnë.

Me respekt dhe mirënjohje,

Flonia Engjëll TELEGRAFI

Nju Jork, prill, 2009




Pelegrini, në 5-vjetorin e tij, me misionin fisnik e historik


Ndjehem e privilegjuar që nëpërmjet penës jam njohur me njeriun e mirë, të mençur, të talentuar, me kulturë të kultivuar që në indet e para të ekzistencës njerëzore, Nase Janin. Pelegrini mbush Pelegrini 5 vjeç, ndërsa miqësia jonë, ose më mirë marrëdhëniet tona krijuese e njerëzore mes Nase Janit, njeriut që ideoi dhe krijoi Pelegrinin, duket se janë më të hershme, ato i bashkoi fjala e bukur shqipe, arti i poezisë, arti i krijimtarisë, i bashkoi misioni i shkrimtarit që iu dha mundësia, ose më mirë Nase Jani i hapi një dritare të madhe të gjithë krijuesve shqipfolës, duke kryer më së mirë punën e tij, i cili ka qenë për, ne më shumë se një institucion. Ndaj në 5 vjetorin e Pelegrinit, kam arsye të jem e pranishme si një aktore e vogël, brenda madhështisë së saj. Duket se ka qenë i suksesshëm ky mision Pelegrini në këto vite të jetës së tij.. Nëpër udhë të pafundme jete, duke trokitur në çdo derë e zemër ka gjetur dhe ka falur dashuri, me artin e fjalës. Gjithmonë me këmbë në tokë. Me një gjeografi të pasur kontinentesh që është për t’u pasur zili. Nuk e di se si u ndjeva e lumtur dhe krenare për ty “ Pelegrin”, ndërsa mora penën të të uroj nga zemra, me fjale zemre, misionin tënd kulturor e të paqtë mes bashkëkombësve të mijë kudo që ndodhen, në të gjithë cepat e hapësirat e këtij globi që e quajmë, bota jonë. Më duket se ke një shekull udhë, ngarkuar me fjalë e radhë poetësh, shkrimtarësh e artistësh të kombit tim, dhe me dritë Kosove e mall Çamërie të munguar. I paqtë, i heshtur dhe pa poza marramendëse delirantësh ecën në misionin tënd fisnik e historik. Do të mundja të falënderoja nga zemra që për kaq vite kam qenë edhe unë pjesëz e jotja, kam udhëtuar së bashku me ty, kam takuar së bashku me ty miq e kolegë, lexues e studiues që kanë kontribuar për ngritjen profesionale të kësaj reviste. Kjo rrugë e përshkruar prej mundimeve e sakrificave të Nase Janit, të Njeriut me dije e kulturë shumëdimensionale, që pa frikë do ta vlerësoja si MONUMENTIN E KULTURËS, dhe që me siguri në memorien tonë e të qindra shkrimtarëve që kanë lënë një pjesëz të shpirtit të tyre krijues, tek Pelegrini, ndajnë me mua të njëjtin mendim e vlerësim. Por, një vend të veçantë tek Pelegrini ka edhe poeti, skenaristi, publicisti i talentuar Kolec Traboini, i cili PELEGRININ-it i dha një fytyrë estetikisht të përsosur duke e shpërndarë në të gjithë cepat e botës, ku krijuesit shqiptarë, të harruar prej halleve të tyre, të pambrojtur nga vendi amë, u kthyen si zogjtë nga shtegtimi, tek shtëpia e tyre krijuese: PELEGRINI. Nuk do të lë pa përshëndetur edhe miken time të mirë, poeten që pa drojë do ta quaja: Poetja Kombëtare, Iliriana Sulkuqi, e cila ka luajtur rolin e një menaxhere shpirtërore për krijuesit anë e kënd botës. E pra të nderuar miq të Pelegrinit, dua të shpreh njëkohësisht urimet e mija më të mira, për të gjithë kolegët e mi-gazetarë e krijues, për të gjithë ata krijues që janë në stafin e Pelegrinit, të cilët edhe pse të ndodhur nëpër shtete e kontinente të ndryshme, punojnë sikur të jenë në një ndërtesë të përbashkët, duke i dhënë Pelegrinit tonë gjithçka nga vetja e tyre dhe duke e jetësuar atë përjetësisht në historinë e artit shqiptar. Po të kisha mundësi, do të thërrisja, aq sa të më dëgjonin të gjithë miqtë e mi dhe lexuesit miq të Pelegrinit: “Shumë urime për Ty…”

Nga Fatime KULLI (shkrimtare)

Tiranë, Prill, 2009



Një festë tipike, festë Pelegrini

Fatmir TERZIU


Kur nis e numëron shpeshherë ndonjë ditë që lidhet me festiven, tendosesh mos harrosh, apo kapërcesh shifrat që lidhen me të. Por, ndonjëherë shifrat kapërcehen pa numëruar. Vijnë e ikin dhe diktojnë pa e kuptuar. Pa i numëruar aspak sekondat, minutat, orët, ditët, javët, muajt... të pesë vitet që lindën dhe rritën bashkëjetesën artistike të krijuesve shqiptarë anembanë rruzullit, revistën “Pelegrin”. Dhe në këtë numërim natyrshëm krijuesit e saj ndjehen disi më ndryshe. Ndjehen në ritmin e festës pesëvjeçare, në ritmin e ditëlindjes. Kur bëhet fjalë për festë zakonisht bëhen gati zbukurimet, veshjet, ftesat, hesapet..., e një mori hallesh të tjera që lidhen me festiven. Por, kur festa është në fushën e letrave, këto hesape vijnë ngjizur me letra e shifra bashkë. Hesape që vijnë nga inerci vrullesh të fjalëve që gudulisen nga penat e krijuesve të panumërt anekënd Globit, nën një ombrellë të thjeshtë, modeste, vrull-ndjellëse, mesazhiere, tipike dhe mbi të gjitha Krijuese dhe Artistike. Nën një ombrellë arti me emrin tepër domethënës “Pelegrin”.

“Pelegrin”! Një strehë e ndjeshme që pret e përcjell Artin Krijues të shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë të kudondodhur prej pesë vjetësh tashmë. Është një festë shkrimtarësh. Një festë krijuesish. Një festë me siglën “Pelegrin”. Një festë që ka kaluar nëpër shtigje vlerash. Një festive që zbret me krenarinë e saj legjitime të njëmijë e tetëqind e njëzet e pesë ditëve. Një festë që dikton ritmin krijues të 60 muajve. Një festë që përshin rrahjet zemërore të qindra krijuesve të të gjitha moshave, niveleve e premisave. A mund të numërohen tik-taket e zemrave krijuese?! Natyrshëm që jo! Janë rrahje festive. Rrahje që gjithmonë vijnë nga sikleti i festives, njerëzores, humanes dhe vlerës. Rrahje që mbartin venave dhe kapilarëve të Botës së Letrave, krijimin e lindur nga këto ritme zemrash, nga këto pulsime krijuesish. Pulsime që vigjilojnë festën. Pulsime që ligjërojnë festiven. Një festë tipike, festë Pelegrini!

Një udhëtim festiv i gjatë me ‘misionarë’ të një udhe të shenjtë dhe të shtrenjtë. ‘Misionarë’ vlerash dhe ruajtës të vlerave, trashëgues dhe zëdhënës për brezat. Një udhëtim i gjatë festiv, kërkues, sidomos në qëllimet dhe synimet e tij të larta me moralin e letrave shqipe. Dhe kështu mes këtij udhëtimi pelegrinazh natyrshëm është edhe sfida e “Pelegrinit” që vjen e prekshme, e gjallë dhe tërheqëse. Dhe si një severgjenatë e lashtë del nga muza krijuese, duke rishfaqur vlerat e duke ringjallur shpresat e një rrugë të nisur e të pabitisur mes germash e letrash shqipe. Një rruge Arti!

Miqtë e shumtë të “Pelegrin”, tashmë janë gati të ngrenë dollinë! Dollinë e letrave që vjen me një modesti pelegrinësh të heshtur, pelegrinësh të sinqertë, pelegrinësh mesazhjerë. Miqtë e “Pelegrin” janë në [prag]festë. Janë në këngë. Janë në valle. Janë në ritme jete. Janë “Pelegrin”-ë! Kështu një urim me këtë rast bashkohet edhe nga dhjetëra krijues shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe. Një pjesë e mirë e tyre mu lutën të tejkaloj normativën e këtij urimi, duke shtuar urimin e tyre familjar. Urime dhe jetë të gjatë “Pelegrin”!

Londër, maj 2009



Urimi më i mirë për Pelegrinin

Z. Nase Jani dhe znj. Iliriana Sulkuqi

Shoqata e Krijuesve “Petro Marko”, Vlorë mësoi lajmin më të gëzueshëm për ditëlindjen e pestë të revistës “PELEGRIN”. Duke ju uruar, në këtë përvjetor, ne krijuesit e penës vlonjate, u themi se kemi gjetur veten tonë nëpër faqet e revistës. Kjo revistë është një ndër më të mirat botime që nis e shpërndahet në të gjithë vendet dhe trojet ku banojnë shqiptarët “Pelegrin” është shembulli më i mirë i pasqyrimit të letërsisë shqiptare e botërore me dinjitetin e vetë. Shumë krijues vlonjatë kanë pasur krijimet e tyre në faqet e kësaj reviste prestigjioze. Në rrugën e suksesit bashkohemi me urimet e shumë miqve të tjerë dhe ju presim në qytetin tonë për të festuar së bashku 5-vjetorin e Pelegrinit.

Kryetari : Myrteza MARA

Sekretari: Gëzim LLOJDIA

Vlorë, maj 2009




I dashur Nase Jani!


Sot më ra në dorë Revista «Pelegrin» (Nr. 12), që ju patët mirësinë të më dërgonit. Me punën e Revistës «Pelegrin», drejtuar nga ju, si dhe të Klubit të Shkrimtarëve «Drita», isha njohur edhe më parë, nëpërmjet faqes online, por shfletimi i faqeve të Revistës ishte një kënaqësi krejtësisht e veçantë, po ashtu edhe fakti që, midis mjaft shkrimeve të bukur dhe të rëndësishëm për kulturën tonë, kishit përfshirë edhe artikullin tim mbi poezinë e poetit tonë të madh Ali Asllani, dedikuar Heroit të Pavarësisë, Ismail Qemal bej Vlorës, poezi që, fatkeqësisht, për arsye politike tashmë të njohura, nuk e kishte parë deri më sot dritën e botimit. Duke qenë se Revista «Pelegrin» mbush 5-vjetorin e krijimit, përfitoj nga rasti t'ju bëj përgëzimet më të mira për punën sa fisnike aq edhe të vështirë, nëpërmjet së cilës u krijoni mundësinë shqiptarëve dhe miqve të Shqipërisë, kudo që ndodhen, që të pasqyrojnë vlerat e tyre intelektuale dhe artistike. Pranoni, z. Jani, urimet dhe përgëzimet e mia më të përzemërta,

Juaji

Darling Ismail VLORA

Itali, maj 2009


No comments:

Post a Comment