Sunday, June 14, 2009

Urime për Pelegrinin....2

Dy fjalë e një urim

Nga Dr. Evriviadhi GORO

Pesë vjet më parë, shumë nuk besuan se “Pelegrin” do të fluturonte aq lart e aq larg, por ai vazhdon fluturimin pa ndalesa çlodhje, përditë më i vendosur, përditë më i shëndoshë e më i pjekur. E nisi këtë punë pa plan, pa ndonjë synim fitimprurës, por me shpresë që të bëhej tribun, ku të mblidheshin dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë e krijues të rinj, ku mund të provonin e të zhvillonin talentin e tyre jashtë atdheut, të cilin e ruajnë me xhelozi në zemër e në mendje. Këtë ndjenjë, “Pelegrin” e përcjell kudo që jetojnë e punojnë bashkatdhetarët, që u detyruan të braktisin vendin për një jetë më të mirë, por me siguri u zhgënjyen... Pelegrini e ndjen veten të gëzuar për misionin që kryen. Plejada e letrarëve dhe letrareve që hodhën faqet e para të krijimtarisë së tyre në këtë revistë, me siguri do të japin vepra me vlerë në të ardhmen, pa harruar se udhën e ndriçon Pelegrini, të cilit zor t’i gjesh shok jashtë por edhe brenda vendit. Pelegrini nuk matet me vite, por me atë që merr e përcjell, me nivelin e lartë artistik dhe me përmbajtjen e shëndoshë me hallet, dhimbjet dhe shpresat e të gjithëve. Pelegrini nuk është më i mitur pesëvjeçar, por një krijesë që e ka kaluar me sukses moshën e pjekurisë. Dhe të mos harrojmë themeluesin e tij, të mirin, të talentuarin, njeriun e sakrificave në emër të artit, z. Nase Jani. Fluturo, o “Pelegrin” deri sa të hysh në përjetësi!
Himarë, maj 2009




Urime revistës "Pelegrin"


Shqiptarëve u takon më shumë se shumëkujt ndoshta të jenë pak pelegrinë në jetën e tyre. Për gjysmë shekulli ata u izoluan nga një regjim çnjerëzor e i mbrapshtë duke u izoluar e privuar nga udhëtimet e njohja e botës. Pas rënies së komunizmit, shumë syresh u bënë pelegrinë nga halli dhe shtegtuan në të katër anët e globit. Hapni faqet e revistës Pelegrin dhe do t'i shihni ata të thonë shpirtin e tyre nëpër faqet e saj. Revista Pelegrin, një pelegrin i vërtetë kulturor, mbush pesë vjet që botohet. I uroj botuesve të tij dhe të gjithë kontributorëve në të suksese të mëtejshme në përhapjen e zërit e shpirtit shqiptar në botë, një zë e shpirt modest e vital që e pasuron racën e njerëzve mbi dhe.

Betim MUÇO

SHBA, maj 2009




Enciklopedia më e plotë e krijimeve të shqiptarëve këta vitet e fundit

Jam i lumtur të përshëndes këtë herë 5 vjetorin e revistës letrare- artistike Pelegrin. Jam i lumtur sepse kjo revistë e niveleve shumë të larta artistike është enciklopedia më e plotë e krijimit të shqiptareve këto vitet e fundit. Në të gjen si krijimet e shumë autorëve të cilat, në kushtet e këtyre viteve nuk do të njiheshin, si edhe aktivitetet e gjëra të klubit të shkrimtarëve “Drita” dhe të aktiviteteve kulturore në emigracion. Kjo vepër, me materiale të pafundme, kërkon pasion të thellë, vullnet të hekurt, punë të pafund dhe të palodhur dhe sakrifica të mëdha. Dhe të gjitha këto tipare janë mbledhur tek krijuesi i saj dhe i Klubit “Drita”, zoti Nase Jani. Vetëm një njeri si ai mund të kapërcejë vështirësitë mjaft të mëdha të të gjithë procesit që nga mbledhja e materialeve deri tek vështirësitë ekonomike të botimit. Në një kohë, kur shumë njerëz përpiqen të fitojnë dhe të përmbushin kënaqësitë e tyre të vogla materiale, Nase Jani përdor të ardhurat e veta të pakta për të bërë të mundur realizimin e kësaj vepre e cila tashmë është e njohur edhe nga të huajt për seriozitetin, nivelin e lartë. Nuk flasim këtu vetëm për anën ekonomike dhe organizative të kësaj vepre dokumentuese të shekullit të XXI për shqiptarët, por puna e Nase Janit është edhe konkrete në faqosjen përgatitjen në kompjuter dhe shtypjen e shume numrave të revistës. Në kohën kur vlerat e vërteta njerëzore janë futur në krize, puna e Nase Janit dhe e revistës “Pelegrin” përbën një pikë referimi dhe një shembull të qartë se si duhet te përpiqemi dhe se si duhet të shkojmë përpara. Zoti Nase Jani i përket një brezi kolosësh të mendimit shqiptar të cilat nuk ndalen para asgjëje për arritjen e qëllimit të tyre të lartë, qëllim te cilin Ai e ka sintetizuar në revistën “Pelegrin”. Përveç vlerave të saj artistike kjo është një vepër me vlerat të larta historike e cila me kalimin e viteve rritet vazhdimisht.

Mikel M. NAKUÇI

Dermatolog Venereolog.

Doktor i shkencave i Universitetit të Janinës

Athinë, qershor 2009






Jetëgjatësi dhe cilësi, përherë në ngjitje


I nderuar Nase Jani,

Të nderuar bashkëpunëtorë të revistës "PELEGRIN"


Revista juaj prestigjioze, sa shqiptare aq dhe europiane, i ka shtrirë krahët për pesë vjet tej kufijve ku botohet. Ajo ka përthithur në gjirin e saj dhe ka pasqyruar materiale me vlera të shkrimtareve, publicistëve e njerëzve të kulturës, jo vetëm të diasporës shqiptare në Greqi, po dhe nga gjithë trojet shqiptare e ngulimet tona nëpër botë.

Ju urojmë për revistën, në këtë 5-vjetor të suksesshëm: jetëgjatësi dhe cilësi, përherë në ngjitje, për t'iu përgjigjur denjësisht vlerave artistike e kulturore të simotrave në Shqipëri, Greqi e gjetkë. Punë të mbarë, vëllezër!

Për Shoqatën Mbarëshqiptare të Shkrimtareve për Fëmijë e të Rinj

Kryetari

Pandeli KOÇI

Tiranë, prill 2009




Një trashëgim me vlerë për letërsinë shqiptare


I nderuar Zoti Thanas Jani!

Pesë vjetori i kësaj reviste dinjitoze, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një event i rëndësishëm, i gëzueshëm dhe domethënës për të gjithë ne. Që “Pelegrin” erdhi në këtë 5-vjetor, në radhë të parë është puna juaj këmbëngulëse dhe me vlerë, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj të shumtë.

Dhe ne sot kemi këtë revistë me një paraqitje të jashtme kaq të mirë dhe me shkrime të mrekullueshme të bashkëpunëtorëve të saj nga e gjithë bota, që mbledh zemrat dhe shpirtin shqiptar për të lenë një trashëgim të vyer letërsisë shqiptare.

Ju uroj të keni jetë të gjate dhe shëndet për ta vazhduar këtë veprimtari.

Me respekt

Mimoza HAMETAJ

Ankona-Itali, prill 2009




Rrugë të mbarë Revistë e të gjithëve!


I nderuari Nase! Në emër të Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, i urojmë nga zemra 5-vjetorin e saj revistës “PELEGRIN”, organ i Klubit të Shkrimtarëve “Drita”. Në këto 5-vjet të jetës së saj, plot vështirësi dhe arritje kjo revistë ka lënë gjurmë të thella në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës dhe letërsisë shqipe kudo në botë. Ajo, e nisur si një iniciativë mjaft e guximshme nga ideatori i saj; Nase Jani dhe i mbështetur nga stafi i tij i mrekullueshëm, nga viti në vit, u kthye në një tribunë për shpalosjen e mendimit. Në këtë 5-vjetor, kjo revistë prestigjioze e ka kryer rrotullimin e saj në mbarë botën, që nga Evropa, Amerika, Kanadaja dhe më gjerë. Pra, roli i saj i nisur si një nevojë për të plotësuar boshllëkun shpirtëror të emigrantëve të etur për letërsi e kulturë, i kapërceu këto kufij dhe ajo, befas, u kthye në një revistë mbarë-botërore.

Ne urojmë: Rrugë të mbarë revistë e të gjithëve, jetë të gjatë dhe faqe të arta të krijimtarisë së shqiptarëve kudo në botë!

Milianov KALLUPI

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”

Elbasan, prill 2009



No comments:

Post a Comment