Thursday, June 18, 2009

Poezi nga: Lindita AGOLLI, Myrteza MARA




Lindita AGOLLI

Tiranë


Letra e Poetes

Portret


(Për të ditur më shumë lexuesi për Lindita Agollin, i kërkuam të na thotë diçka për jetën e saj dhe veprimtarinë letrare. Si përgjigje, na dërgoi këtë letër.)


Jam ndjerë gjithnjë keq kur më kanë kërkuar jetën letrare, sepse unë nuk e konsideroj të tillë atë pak "jetë letrare" që kam. Njeriu duhet të japë shumë më shumë, të investojë shumë më shumë, të jetë në vëmendjen e lexuesit shumë më shumë, për të thënë pastaj se ka apo s’ka një jetë letrare për t’u treguar të tjerëve... e unë, nuk e ndjej veten brenda asaj bote aq magjepsëse... Zakonisht u kam qëndruar larg elozheve dhe lavdëratave, a ndoshta ndofta edhe kur kam hasur në ndonjë të tillë, natyra ime prej trungut familjar, më ka tërhequr veshin e më ka thënë se "ka ende rrugë gjer në prag të hyrjes...!"

Përveç kësaj, jam tepër e pafuqishme ekonomikisht dhe nuk kam mundur ta ndihmoj veten duke botuar aq sa kam në arsenalin tim letrar personal... dhe kushte familjare aspak të favorshme... Gjithsesi, nëse ndihmon sadopak për prezantim, po them diçka për veten, ose më mire le të them "mbani mend çfarë vlen nga ato që do them".

Ajo çfarë unë mbaj mend dhe në njëfarë mënyre më tregoi se ekzistonte edhe një rrugë tjetër - ajo e të shkruarit - ka qenë një poezi e botuar në revistën "Shqiptarja e re". Dhe dihet, poezitë e para i kushtohen mësuesit dhe nënës. Atëherë isha vetëm nëntë vjeçe. Me pas, riangazhimet e mia me shkrimet dhe poezinë kanë qenë gjatë periudhës së shkollës së mesme (unë e kam kryer atë në gjimnazin "Sami Frashri, Tiranë") Ka qenë një periudhë kur ndonjë shkrim, hartim, poezi a tregimi im gjente një copëz vend në gazetën Rinia a ndonjë tjetër.

Ishte mosha e studentit ajo që më dha një shtytje të madhe për të shkruar. Mbaj mend, ne 1978, Shkurt ka qenë, në një konkurs të gazetës Studenti i Bujqësisë, tregimi im "Poezia e shoqes" fitoi çmim. Atëherë unë ndiqja studimet në Fakultetin e Zooveterinarisë, Dega Zootekni. Dhe ky ishte një moment që tek unë zgjoi shpresën se "nuk është shkolla ajo që të bën krijues letrar". Sepse dihet mirë që, në atë kohë, perceptimi i të lëvruarit të një fushe shihej ngushtë...aq ngushtë saqë vlerësimi i prirjeve dhe aftësive bëhej në varësi të shkollës që ndiqje. Psh, unë pata njohur të porsadiplomuar në letërsi që, jo vetëm nuk mund të shkruanin dy radhë hartimi, por edhe për nga drejtshkrimi ishin keq fare. Nuk dinin të shkruanin sipas standarteve ortografike dhe gramatikore dhe në sintaksë bënin gafa serioze.

* * *

Nga 1982 kur mbarova studimet dhe deri ne 1990, punova në Lushnje. I kujtoj me dhimbje ato kohë, por edhe me kënaqësinë që gjendesha brenda një bote që ishte e imja dhe më pranonte pa kushte e kufij. Kujtoj se si nuk pushoja së "zhgarravituri" vargje e tregime, se si kur vija në Tiranë ndonjë ditë jave, vrapoja në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe tentoja të takoja ata që kishin në dorë për të botuar ndonjë gjë.

Filan Fisteku (emrin nuk dua ta përmend për etikë dhe për edukatën me të cilën jam ushqyer) sa herë shkoja atje, më thoshte "këto tema lërja Kadaresë dhe Agollit, ti shkruaj ndonjë gjë për kooperativën!" E ku e dinte ai se ç’do të thoshte të shkruaje për kooperativën?! E ku e dinte ai se e vetmja gjë që ta shkatërronte muzën dhe frymëzimin, ishte pikërisht kooperativa?! E ku e dinte ai se, të shkruaje çfarë bëhej në kooperativë, do të thoshte të ndërgjegjësoheshe ti vetë dhe të tjerët për vetëvrasjen, dhe të rivetëvriteshe duke marrë edhe dhjetëra të tjerë me vete!!

Të shkruaje për kooperativën do të thoshte të tregoje se si Kadriu, një fshatar të cilit i vdiq djali 5 vjeç ,nga ftohja dhe nga ushqimi i keq, nuk arriti dot të marrë një copë letër nga kryetari i kooperativës për të bërë drekën e varrimit!

Atij personi, Filan Fistekit, unë kurrë nuk i thashë se isha mbesa e Kryetarit të tij! Nuk arrija të prekja logjikën se, për mua, ai ishte si për të gjithë të tjerët: Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ku po të kërkoja, me siguri të padiskutueshme do ta kisha gjetur mundësinë për tu botuar. Dhe ky ndoshta ka qenë gabimi im më i madh: nuk e përdora kurrë emrin e xhaxhait tim për të përfituar! Për asgjë! As për shkollën, as për emërimin dhe as për botimin e shkrimeve. Që ishte gabim, e them shumë çiltërsisht dhe pa e cenuar ndërgjegjen e as logjikën, me vetëdije të plotë. Por ja që kështu ishte dhe unë s'jam duke thënë asgjë të re.

Po Dritëroi?!

E, meqë më pyetët po ju them se mes nesh ekzistonte një kod moral sipas të cilit asnjëri prej nesh brenda familjes dhe të afërmve nuk shkelte parimet... ashtu e kuptonim dhe ashtu e kemi edhe sot; gjithçka në jetë arrihet dhe është e merituar mbi bazën e aftësive individuale. Dhe kjo, sinqerisht, sidomos në fushën e artit, vlen mbi çdo lloj morali tjetër nëse do të jesh prej vërteti. Madje këtë e kam shprehur edhe në një nga poezitë e mia: Nën hije jo/ s'kam dashur kurrë të rritem/pak Diell sa shumë më mbush/nën hije venitem dhe jam askush/ etj etj...

Po më pas?! Eh, dihet... Për afro shtatë vjet e papunë. E ikur nga qyteti i lindjes dhe me profesion padrejtësisht të neglizhuar nga shoqëria. E harruar. Pastaj, në ato kushte aq të pafavorshme, ndërkohë që im shoq rraskapitej rrugëve të Europës dhe Ballkanit për të siguruar jetesën për familjen, unë nuk mungova të kryej studimet pasuniversitare dhe të mësoj gjuhë të huaja.

* * *

Mirëpo, koha shkon.... shkon dhe kurrë më nuk vjen.

Libri im i parë, ku unë përmblodha me përzgjedhje çfarë deri më atëherë kisha shkruar, u botua në 1995 nga Toena "Trokas në derë hedh hapin hyj". Në 2001, botova vëllimin me poezi "Mbi krahun e mjelmës" shtëpia botuese "Dritëro". Në 2006, vëllimi me poezi "Paso Doble" shtëpia botuese "Erik". Kam përkthyer fragmentarisht dhe redaktuar plotësisht "Kurrikula Bazat dhe Themelet " një libër rreth 600-700 faqe, shkencor metodik, në bashkëpunim me një grup shkencor të Institutit të Kërkimeve Pedagogjike. Kam redaktuar dhe përkthyer një sërë librash universitarë si dhe tekste shkollorë. Edhe libra artistikë me poezi, ese dhe publicistikë, kam redaktuar. Kam shkruar vazhdimisht ese, artikuj socialë, kritikë dhe profesionalë në shtypin e përditshëm. Ndërkohë kam në dorë një vëllim me poezi dhe një me tregime. Do botoj atë me poezi më parë sepse është pothuajse gati. Për librin me tregime më duhet të punoj edhe më, por kështu edhe më për mbarë më vjen nga ana financiare, njëherë njërin e pastaj tjetrin... Dëshiroj (them dëshiroj për sa kohë nuk i jam futur ende punës) të nxjerr një libër ku të përmbledh gjithë përsiatjet e mia filozofike e psikosociale si dhe një tjetër profesional në fushën e punësimit. Po të gjitha këto, për sa kohë nuk kanë prekur dorën e lexuesit, mbeten brenda ëndrrës.

Çfarë tjetër?!

Ah, jo! Këtë do ta them njëherë tjetër dhe është e justifikuar të mos e zbuloj, pasi mendoj se është shumë e guximshme... kështu më duket mua të paktën.

Çfarë bëj, me se merrem sot?!

Aktualisht punoj në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Jam në një prej drejtorive më të mëdha të saj që merret me punësimin. Specialiste dhe trainere në fushën e punës. E dua. E dua punën që bëj. E shoh me shumë perspektivë për vendin në përgjithësi dhe veten në veçanti. Më ka dhënë mundësinë e kualifikimit të vazhdueshëm dhe pasurimit tim profesional në Institucione dhe Organizata Ndërkombëtare duke ma bërë lidhjen me punën edhe më organike, edhe më të ngushtë. Gjej në të shumë hapësira ku "krijimtaria" (le të themi kështu) profesionale mund të zhvillohet e të sjellë gjëra me vlerë në raport me fushën e punës. Për më tepër është një fushë që ngërthen shumë elementë të sjelljes njerëzore në situata të ndryshme specifike, gjë që ndjej të përputhet me prirjet e mia. Për këtë e kisha fjalën kur thashë se kam në mend të nxjerr një libër profesional.

Po, pak a shumë, këto janë “veprimtaria” ime, ndoshta si shumëkush tek ne me vështirësitë që dihen; mundim dhe kushte të pafavorshme sociale dhe ekonomike.

Faleminderit



Jam grua


Nuk jam shpirti i një burri

Që vargje t’i thur bukurisë femërore

Që më djeg sa herë shfaqem si e vetmja alternativë

Gjinore e dashurisë

Dashurisë qiellore

Asaj bukurie që më tremb thyer bashkë me valën në ujë

Dhe ku rinia tret imazhe të pa kthim...

Nuk jam shpirti i një burri dhe as pamja

Për të qenë një këngë me zërin e tij

Fshehur pas Safos moderne përgjysmë grua-burrë

Dashuruar me kopjen e vet monstruoze.

Se s’dua

Se s’dua të harroj se ka një portë tjetër

Ku hyj si qelizë e gjendem shpirt

Dhënë pas një burri që më sjell tek vetja

E më mbështjell me lëkurën e tij.

Nuk jam shpirti i një burri

Esenca e tij jam…


Përmbi kubenë e qiellit


Kur stalaktit’ i zemërimit të nisë të pikojë

E përmbi detin e trishtimit të tretet shkumëzimi

Me kripën le të shkrijë dhe pengu yt...

Jepmë sinjal si një puhizë

Që gjethen e shtyn përkundër erës

A shenjë më bëj heshtur pa gojë

T’i japësh ajrit shkëlqim të Diellit

Pastaj të dy do të kujtojmë

Çfarë Leonardo kish ndërmend kur tha

Se trupi ynë qëndron nën tokë

Nën qiellin toka gjithashtu

Po shpirti

Shpirti kurdoherë

Përmbi kubenë e Qiellit…


Qyteti im


Vendlindja ime që gdhihesh mes shpresës dhe zhgënjimit

Nemitur mes pluhurit dhe mohimit

Mejhane barqesh që gushkuqojnë ditën

dhe kukuvajkojnë natën

Mbetur peng në një sahat të vjetër që shtyp

mesditën dhe mesnatën

Si vorbull qorrash që vijnë përqark

Gjakosin shikimin tim

Pa ditur kurrë se drita vjen nga larg

Atje

Pas shpatullës së Dajtit…


Ah, këta demonët


Kur brenda teje lëvizin demonët

Dhe turfullojnë në prag shpërthimi

Atëherë tatuazhet shndërrohen në yje

Dhe të rrëfejnë udhët në çaste përdëllimi.

Gjinjtë e mi, si kupa të arta piji

Plot lëng nën bekim hyjnor gatuar

Dhe shtigjet e Niagarës do shfaqen

Bishën brenda teje kanë zgjuar.

Ah, demonët e tu me sy të zjarrtë

Që kridhen në mistere çmendurish

Ma zhveshin lëkurën si rrobe të vjetër

Më kthejnë në jetë sërish e sërish…


Përtej vetes


Atje

në të gdhirë

ndonjëherë

do ngrihem ngadalë nga shtrati mos të të zgjoj

do shihem në pasqyrë të shquaj gjurmët e natës me shtrëngate

pastaj, do gjej karficën e humbur çarçafëve të rrudhosur

flokët do t'i zhbëj mbi kokë.

Atje

në të gdhirë

ndonjëherë

do gjendem në mes të kuzhinës pa ditur nga t'ia nis

do mendohem dy tri sekonda e pastaj

do marr një kovë në dorë a diç për të pastruar

do ta filloj nga ballkoni...

Atje

një ditë

ndonjëherë

do ndris shtëpinë si Zanë e padukshme

pastaj përsëri do shihem në pasqyrë

karficën do zbërthej flokëve të pushpurisur

do krihem me kujdes.

Atje

në mëngjes

përherë

do të vij si pupël buzë shtratit të të puth tek fle

fjalët e Magdalenës do belbëzoj si pëshpërimë

transparente do dal nga porta jashtë askush të mos më shohë

e në rrugicë do ngadalësoj hapin

Të më arrish...




Myrteza MARA

“Pena e Artë” KADMUS-2006

Vlorë



U lind më 29. 1. 1943 në qytetin e Vlorës. Ka mbaruar studimet e larta ushtarake dhe ka shërbyer , oficer me gradën kolonel, deri sa doli në lirim nga reforma më 1992. Që nga viti 1998-2006 ka drejtuar “Shoqatën e Shkrimtarëve” “Petro Marko”-Vlorë, në fillim sekretar e më pas kryetar. Në Shkurt 2006 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, dega Vlorë dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Prej vitit 2006 është Anëtar i klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”.

Në 4 prill 2009, rizgjidhet Kryetar i Shoqatës “Petro Marko” Vlorë.

Autor i dhjetë vëllimeve me poezi, dy romane, një novelë. Fitues i “Penda e Artë” në konkursin “Kadmus” 2006, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita” & Revista “Pelegrin”. Çmimi “Çift & Harmoni” nga Shoqata “OPINION&VLLEH” në konkursin “San Valentino”-2006. Çmimi i Dytë në konkursin kombëtar “Poezi për Detin”, Durrës-2006. Aktualisht është President i firmës ndërtuese “MARA”-SH.P.K.



Nisje e vonuar


E morëm rrugën

për në Mekën e shpresës

me copa dëshpërimi

ngjitur pas shpirtit.

gjysmë të verbuar

kishim harruar dhe ritet...

Kur të tjerët ktheheshin

ne, atëherë u nisëm.


Nën muret e Koloseut


Një dorë e shtrirë,

nën muret e Koloseut,

fliste njëlloj

si duart e lipsave

në sheshin e Skënderbeut.

Ndava me atë dorë

varfërinë time të varfër,

një çast

u bëmë të dy të pasur.



Kur do të vijë ajo ditë


Bota ka kohë e çmendur,

unë si gjithmonë

stacioneve të harresës,

mbi shinat e marrëzisë.

(kjo është rruga e poezisë!)

Heretik,

kryqëzuar nga drita mospërfillëse

e syve të ftohtë

gërvisht mbi letër,

deri sa të çmendem,

për inat të kësaj bote të vjetër!

Atëherë do shohin tek unë shëmbëlltyrën

dhe do më pranojnë

në çmendinën e quajtur Botë:

-Mbusheni dhe një gotë me marrëzi!

Është Ai, që dikur,

na quante ne të marrë

dhe shkruante poezi!”...

Kur do vijë ajo ditë.



Ditari i një prostitute


Në ngjyrën e vdekjes

kishte shkruar dora e kufomës

me peshën e dhimbjes njerëzore.

Vinte erë jete,

në rreshtat e shkelur nga lotët,

fshehur mizorisë së përdhunimit.

Dëgjohej klithma

në pusin e dëshpërimit,

jehona e lutjeve drejt qiellit

t’i falte mëkatin.

Jo, jo! Në atë ditar

nuk kishte as një grimcë lumturie,

as epsh,

as orgazmë.

As llogari klientësh nuk kishte.

Kufoma e gjorë-xixëllonjë

që shtypet e vihet mbi ballë,

për të ndriçuar ftohtë me fosfor.

I rëndë sa globi, ditari,

por peshën e plumbit,

në mes të fletëve e shtonin

disa thërrime buke!...

Ej,

Mos rrudhni buzët,

nuk ishte ditar pirati!

Ishte një akt i tragjedisë sonë,

shkruar mbi shpirtin e një prostitute!



Mall i virgjër


Vite, e vite pa u parë

Dhimbjen e kishim gëlltitur.

Befas gjendemi përballë,

Si dy drurë të zhuritur.

Unë me mbesën duarëzënë,

Me një tufë lulebore,

Ti me nipin dritëhënë,

Shtrënguar dorë për dore.

I fola në emrin tënd,

Mbesës, kur më hodhe sytë..

Ti gati ngrive në vend

U trembe nga emri yt.

Dhe unë gati i pafrymë,

Kur i thirre nipit të vogël.

Ai mbante emrin tim,

Thashë: është trill, apo lodër?!

Por jo, sytë e vërtetuan

Ish kujtim i një sekreti.

Paçka se nuk u bashkuam

Malli i virgjër na mbeti.


Më thoshte dikur...


Më thoshe dikur: “do vdes për ty!”

Unë s’të besoja, se s’besoja as veten.

Ndodh kështu kur je në zjarrmi

Kur buzët e thara digjen nga ethet.

Më thoshe dikur: “është puthja e parë!”

Unë s’të besoja, se s’besoja as veten.

Për puthjen e parë dikur kam qarë,

Sa edhe sot buzët më djegin.

Më thoshe dikur: “do jem besnike!”

Unë s’të premtova, se s’besoja veten.

Gjithë ai zjarr, kujtim i një dite,

Peizazh i çastit, gjurmë komete.



No comments:

Post a Comment