1936
“Njëra nga poezitë e mia, mbase njëra nga ato më të bukurat lirike, të shkruara nga unë, ka marrë emrin e një vajze ruse, "Lora" (që do të thotë Larisa). Poezia i përket pikërisht asaj periudhe, kur nisi konflikti dhe unë u ktheva në Tiranë, duke qenë i detyruar të ndahesha prej saj. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, përgjithmonë humba mundësinë, madje edhe për të mbajtur korrespondencë me të”…
Llora
-I-
Llora
Prapë m’u kujtove, Llora.
Dashurinë tonë të shkuar
Prapë ripërtyp
Si demi që ripërtyp barin e livadheve të largët
Natën
Në grazhdin e rrethuar nga bora.
Po ripërtyp
Atë asfalt e zhavorr të zi kërcitës,
Boritë dhe katrorët mizëri të taksive,
Tabelat e kafeneve plot dritë,
Afishe, stacione metrosh
Ku me ty brodha...
Nofullat e zemrës
Me dhëmbin
Llora.
Llora
Prapë m’u kujtove, Llora.
Dashurinë tonë të shkuar
Prapë ripërtyp
Si demi që ripërtyp barin e livadheve të largët
Natën
Në grazhdin e rrethuar nga bora.
Po ripërtyp
Atë asfalt e zhavorr të zi kërcitës,
Boritë dhe katrorët mizëri të taksive,
Tabelat e kafeneve plot dritë,
Afishe, stacione metrosh
Ku me ty brodha...
Nofullat e zemrës
Me dhëmbin
Llora.
-II-
Tani shiu godet me shkelma xhamave.
Atje qielli si negativi i zi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
qëndisur me drita anëve
Karfosur me paralele dhe meridianë
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar...
Pati net,
I qullur nga stuhia jote
Heshtja pranë teje dhe pasionit të marrë
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.
Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s'thosha as fjalën "dashuri".
S'e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty.
-III-
Ja
Vetëtimat e bardha në qiej
Adresën tënde shkarravisin.
Sikur këto re
Të përhimëta
Të ngarkuara
Te ti dërgoja si letra, Larisa.
Letra ...
Nga tërë letrat që shkrova
S’di pse të dërgova atë më të marrën
Pas së cilës si personazh Dostojevski
Të thashë njëqind herë "më fal!"
Më pas atë faj për ta shlyer
Doja të t’ shkruaja por më kot.
Lapsi më ngrinte mbi letër
Dhe unë ngrija si robot.
Ti u ngryse kur ta shpjegova,
Vështrimi t'u err, t'u mpi,
Si sytë e falltarit kur pikasin
Midis fallit kumtin e zi.
Diçka qe prishur në botë
Në zemerek të saj, në aks.
Ikje e letrave si e zogjve
S'parandillte veç dimrin plak.
-IV-
Kështu pra te ti nisja këto rè
Gjer në vilën tënde në rrethinë të Moskës.
Ti në mesnatë e hutuar atje
Do të çoheshe nga gjumi
Tek xhami t'afroheshe:
Ç'ndodh kështu?
Ç'është kjo gjëmë,
Ky shi herë i mërzitur, herë i rreptë,
Këto vetëtima,
Këto rrufe?
Dhe do të rrije gjithë natën tek dritarja
Retë të deshifroje,
Llora.
-V-
Zor se në jetë do të takohemi.
Adresat humbën,
S'ka më letra.
Ti mjegullat,
Unë retë
Do t’i dërgojmë njëri-tjetrit
Gjersa dhe vetë
Të mjegullohemi.
-VI-
Me kujtohet, gazetat hapa në mëngjes
Si një tërbim, si një shkulm ère,
Shkronjat vallëzonin si në ethe:
Prerje. Prerje. Prerje.
Prerje mardhëniesh diplomatike
Kurrë s'do të shoh ty.
Ambasadat u mbyllën.
Pasaportat,
Vizat
Ranë në zi.
Mbi ijët e tua të bardha
Ra pluhur.
Mbi sytë e tu.
Larisa Diplomaticeskaja
Ç'ndodhi në botë kështu?
-VII-
Qëndrova përpara globit.
Ballin e nxehtë mbështeta
Mbi rrudhat e meridianëve
Do të desha të pija me globin,
T' endeshim të dy të dehur,
Ai mes kozmosit,
Unë rrugicave të Tiranës.
-VIII-
Nga erdhi kjo dashuri
Në kohën kur turp më vinte nga fjalë.
Ishte me siguri si ndëshkimi
I atij që me tempullin tallet.
Njohja në stacionin Komsomolskaja
Banale si rrallëherë ish
Numri i telefonit
Numri i telefonit shkarravitur çkujdesshëm
Me të kuq buzësh
Barbarisht.
Restorant Leningradi
Shampanjë
Snobizëm i dyanshëm.
Kotni.
Perlat, secili, pse vallë
Përpiqet t’i fshihte në thellësi?
Një të kollur si prej prostitute
Ajo nxirrte orë e çast si mburojë,
Ndërsa unë ngul këmbë se nga lirat,
Merrja vesh më pak se nga futbolli.
Veç te portë e shtëpisë
Nën ca jargavanë
Ajo psherëtiu njerëzisht
Dhe iku me vrap pas puthjes së parë
E kthyer në madonë sërish.
-IX-
Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës
Natën avioni u ul n'aeroport.
Ç'pati mes nesh,
Llora,
Harrese, ftohje, abort?
Tek dera e avionit era të priste.
Zemra ime me dëborë u mbush
Si një vetmi e madhe zbrisja
Po n'aeroport.
Askush.
Askush.
Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.
Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës
Ti s'dija ç'kishe, s'më prisje.
-X-
Në “Kafe Artistike” bashkë jemi prapë.
Jashtë dëbora ruse.
Brenda ti.
Shkrofëtin brenda meje geni i racës:
Prapë me sllaven bën dashuri.
Pusho, gen i vjetër i racës,
Në thellësi, në humnerë hesht,
Nëse jetës sime do ti duhej një kryq
Kryqi im ajo le të jetë.
-XI-
Dhe ja gdhiu mëngjesi plot gazeta.
I ngrysur, shpresë-pak, shtetëror,
Kemi flakur të dy mburojat,
Si qelqi të thyeshëm jemi prore.
Ku janë ditët e shkujdesëshme.
Të dielat mendjelehta, të martat,
Kur ti me shthurjen unë me injorancën
Vërtiteshim si me maska?
Tani që të tjerët rresht vunë maskat
Ne papritur i hoqëm ato
Fishkëlle, ulëri erë e marrë,
Orën e ndarjes këndo!
-XII-
Ndarja ...
Një fjalë goje
Por ndarja është e rëndë, shpirtin ta qit.
Të ndërtosh një ndarje për të qenë
Ësht' më e zorshme se të ngresh një piramidë.
Si yjet janë vërtetë dashuritë,
Kërkojnë hapësira të mëdha e po aq mund.
por jetë e njeriut s'është galaktikë
Që të nxejë kaq yje e katastrofa e shkrumb.
Në jetën e ngushtë koha vërtet s'mjafton
Për dashuri,
Për ndarje,
Harresë.
Pleksen dashuritë dhe ndarjet dhe harrimi
Këngëtor i thinjur shëtitës syqorruari ...
Era e nëntorit
Librin e tretë të vjeshtës
Shfleton dhe mbyll duke ulëritur trishtuar.
Të gjitha këto rikujtoj
Ripërtyp.
Në dhembë gurët e pendimit me kërcasin,
Asfalti i zi më varet nofullave të lodhura.
Kështu pra, Larisa, moskovitja.
Kështu pra, Llora.
E mrekullueshme! Incredible!
ReplyDeletee bukur!
ReplyDelete